Hyqmet Zane: Zëri i Çamërisë në mitingun e parë të demokracisë në Elbasan

617
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Formatimi i Shoqatës Çamëria pas krijimit të Partisë Demokratike në rrang kombëtar, ishte sinjali i parë i një marrëdhënie të gjatë të komunitetit çam me demokracinë në Shqipëri. Ishin ditë e muaj të vështira të pluralizmit shqiptar përballë sistemit të diktaturës staliniste të enverizmit dhe sigurimit të shtetit, që bënte të gjithë përpjekjet nga më kriminalet që të pengonte, të sabotonte dhe të frikësonte  popullin për pasojat që e prisnin nga demokracia, sipas tyre.

Nëse shohim e dëgjojmë ngjarje nga më të ndryshmet të shumta me vrasje kriminale dhe me një lloj frikësimi të popullit nga sjelljet gangsteriste të pushtetit, mund të themi se ngjarje të tilla janë si dy pika uji me atë periudhë të para 30 vjetëve në prag zgjedhjesh.

Kujtesa kombëtare e atyre muajve të pluralizmit në Shqipëri nuk mund të lerë pa përmendur faktin se si arrestoheshin nëpër natë djemtë e qytetit të Elbasanit, si edhe në të gjithë qytetet shqiptare dhe që keqtrajtoheshin mizorisht në birucat e pista me metoda çnjerëzore nga policia sekrete me nënshkrimin e deklaratave siç donte Ministria e Brendshme e Gramoz Ruçit të asaj kohe që sot qëndron në krye të parlamentit ?! Djem elbasanas si Halil Mahmutaj dhe Enver Rusta, Ismail Çala dhe Beqir Çelemeni, Fatmir Murrizi dhe Astrit Danga, Ibraim Biçoku dhe Ibrahim Pleshti, Arben dhe Armand Miraku, Mit’hat Havari dhe Arjan Lazareni, Belino Leka apo Xhafer Spahiu, Pëllumb Shabani apo Gazmend Xhaferi, Rexhep Ibrahimi, edhe të tjerë që edhe sot e kësaj dite disa prej tyre nuk jetojnë më se plagët që morën i kushtuan jetën vite më pas. Kulmi në atë pranverë u arrit me vrasjen e djaloshit 19 vjeçar Ndriçim Duraku që u vra më 13 mars 1991 për të mbetur “Dëshmor i Demokracisë” në mes të pranverës kur ai ishte në rritje e sipër si një lule pranvere e demoracisë që u pre në mes. Dhe më pas 4 djemtë e Shkodrës “Dëshmorë të Demokracisë” Arben Broci dhe Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka që u ekzekutuan nga plumbat e policisë sekrete. Po në 16 maj 1991 u vra nga policia e Durrësit djali nga Çamëria Myfit Nexhipi, ashtu si më 25 shkurt 1990 ishin vrarë në kufi edhe Sokol Hado dhe Frederik Haruni dhe për rastësi shpëtoi nga plumbat Enver Malko. Në të gjithë rastet në krye të Ministrisë së Brendshme ishte po Gramoz Ruçi.

Njëherazi do të doja të kujtoja jo thjesht edhe pjesëmarrjen time në formatimin e Shoqatës Çamëria, por edhe atë lidhje të natyrshme që përjetohej e dëshirohej nga komuniteti çam. Mbështetja për PD në tërësi nga komuniteti çam ishte pasojë e çlirimit nga diskriminimi i poshtër dhe përbuzës, me persekutim dhe përçmin 45 vjeçar që i bëri sistemi komunist që krijoi ndarjen krahinore dhe klasore si model i ndarjes për ta nënshtruar më kollaj dhe më mirë krenarinë çame duke iu dalë në krah grekëve që bënë genocid në Çamëri.

Edhe pse entuziazmi i fillimit nuk u ruajt për shkaqe të situatave gjeostrategjike të shtetit shqiptar dhe të ngarkesave individuale nga ata që drejtuan shtetin dhe qeverisjen, përsëri çamët ndjeheshin mirë tek PD dhe kurrësesi jo tek PS. I kemi thënë dhe shkruar shumë marrëdhëniet mes PD e Shoqatës Çamëria si vendosja e 27 qershorit si “Dita kombëtare e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë” më 1994 apo traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë më 1996 që u zbatua në mënyrë të njëanshme vetëm për grekët se më 1997 erdhën pinjollët e Pitulejve. Më pas rrethanat e krijuara për të gjithë shqiptarët dhe sjellja e qeverisjeve të njëpasnjëshme socialiste u kulmuan me mosaprovimin e Rezolutës për Çamërinë në 2004 dhe sjelljet private e një force politike që pretendonte për mbrojtjen e çështjes çame që kaloi tek e majta, me gjithëse dëshira e çamëve të vërtetë ishte tek e djathta.

Por si tani 30 vjet më parë kishte një etje të madhe edhe nga komuniteti çam që t’i jepnin mbështetjen Partisë Demokratike, me gjithë reminishencat e së shkuarës nga disa patritotë çam që kishin pasur edhe ndonjë privilegj nga diktatura. Edhe në Elbasan heshtazi lindi një fenomen i tillë dhe sa më shumë afrohej dita e zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit, aq më shumë shtohej presioni për një pjesëmarrje në mitingun e parë të madh në Elbasan më 26 mars. Si sekretar i Shoqatës Çamëria, u pa e udhës që të isha unë përfaqësuesi që do të flisja në atë miting.

U përgatita me seriozitet për të vlerësuar dhe pasur një përfaqësim dinjitoz si çam dhe intelektual, por edhe si njeri që e kisha vuajtur në familjen time dënimin e babait tim nga diktatura, edhe pse ai ishte një ish i internuar në kampet e shfarosjes në masë në Mat’hausen dhe në Dakao të Gjermanisë. Kur erdhi dita e mitingut para një populli të tërë në shesh, i mposhta emocionet, e thura mendimin tim me forcën e fjalës dhe të shpirtit që ma dha entuziazmi dhe atmosfera e zjarrtë e pjesëmarrësve të shumtë. Isha në mbështetje të Partisë Demokratike dhe fitores së demokracisë.

Ishin përfaqësues të PDSH nga Tirana elbasanasi  Neritan Ceka dhe kryetari i degës Elbasan Fatmir Manushi e të tjerë përfaqësues që mbështesnin demokracinë, si dhe ata të komunitetit musliman Kaje Biçaku. Në fjalën time lartësova figurën e “Mësuesit të Popullit” dhe “Dëshmorit të Kombit”, “Qytetar Nderi” i Bashkisë dhe Qarkut Elbasan Salih Iljaz Çeka nga Fialti i Çamërisë që në Elbasan jetoi e punoi dhe dha jetën si demokrat kundër forcave obskurantiste të kohës. Mbaj mend se jam duartrokitur dhe fjala ime u vlerësua se ditë më pas më kanë takuar shumë e shumë njerëz që më përgëzonin për fjalën që mbajta.

Nuk ishte shaka, por guximin ma dha nëna ime e ndjerë tashmë, që mbante mbi supe peshën e persekutimit të familjes. Pati edhe njerëz të afërt që më erdhën në shtëpi që më thanë se po rrezikoja jetën se më kishin fokusuar ata të policisë etj. Nëna ime kapedane, kur dëgjoi këto fjalë, i tha atij që i foli “le ta vrasin djalin po qe se flet për të drejtën dhe demokracinë. Nuk dua të më flasësh ti kështu. Do i marrin te keqen djalit tim të vetëm”. Pati edhe të tjerë që më provokonin rrugës, por qëndrimi im edhe si çam më dha krenari dhe forcë të përballoj çfarëdo lloj presioni. Qëndrimin tim si çam dhe qytetar i Elbasanit e  tregova redaktor edhe me gazetën “Intelektuali” si oergani i Shoqatës së Intelektualëve Antikomunistë të Elbasanit më 1996 dhe në gazetën “Albani” 1997 – 1999 dhe më pas në TV Dardan dhe po ashtu edhe si gazetar i RD (Rilindja Demorkatike) për 15 vjet.

Vitet ikën dhe pas 30 vjetësh jam këtu se jetën ma ka dhënë i Madhi Zot dhe kam ardhur në këtë jetë me bismilahi, siç më thoshte nëna ime. Jam në rringun mediatik dhe me lutjen që të fitojë e djathta me rikthimin e demokracisë dhe largimi i kësaj qeverisje neodiktatoriale dhe neoikomuniste e bijve bastard të etërve dinakë. Kam bindjen se edhe çështja çame nuk mund të bastardohet nga segmentet e lidhura me gGreqinë apo me sillogjet greke brenda qeverisjes shqiptare për të hequr fjalën “Çamëri” nga tekstet e shkollës dhe kundër qëndrimit me dy fytyra të kryeministrit Edi Rama. Nga një anë ai fliste qartësisht në një TV greke për çamët dhe nga ana tjetër harroi çfarë kishte thënë dhe më pas u bë kundërshtari i kësaj kauze kombëtare dhe jo thjesht çame.

Lidhjet e Çamërisë me Elbasanin janë të hershme si me arsimin në Normale, por edhe me praninë e mësuesit Salih Iljaz Çeka nga Fialti i Çamërisë dhe është e natyshme që edhe më pas marrëdhëniet kanë qenë të mira me këtë qytet dhe tanimë me demorkacinë edhe në përfaqësimin politik. Sot një vajzë demokrate, një doktoreshë si Lumturi D. Hasa do të jetë kontributi dhe lidhja e rradhës e Çamërisë me demokracinë dhe veçanërisht me Partinë Demokratike.