Hyqmet Zane: “Mbreti lakuriq” dhe ndërkombëtarët që nuk e shohin

86
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shenjtëria e votës dhe parallinjtë e votimeve

Pothuaje të gjithë ndërkombëtarisht e dinë atë historinë e mbretit lakuriq që i marrosur pas lavdisë së tij porositi një palë rroba të reja nga disa mjeshtra rrobaqepës. Ata, duke qenë se e dinin marrëzinë e këtij mbreti dhe për ta bërë që të tallej mileti, bënin sikur endnin rrobat e tij, por në fakt ata  e bënë të vetën, se mbreti i verbuar nga lavdia e tij, i dukeshin të bukura rrobat dhe ai nuk e shikonte veten që ditën e festës doli lakuriq. Të gjithë u habitën, por as oborrtarët, nga frika e ndëshkimit, nuk i thanë gjë, se verbëria e mbretit ishte aq e madhe për trupin e tij.

Sinkronizimi që i bëhet qeverisjes dhe vetë kryeministrit të Shqipërisë së sotme përmes kësaj historie na sjell në vëmendje se, janë të shumtë ata që nuk duan të pranojnë se si një qeverisje e dështuar 8 vjet (jo thjesht si një sllogan opozitar), kërkon një mandat të tretë. Dhe kur nga votimet kryeministri që kishte bërë një fushatë paraprake të mirëmenduar me patronazhistët që mund të thuhet se ishin spiunët e popullit, u sollën paudhësisht, sipas porosive të njeriut që e stigmatizon veten si kryepatronazhist.

Por puna paraprake e rëndësishme e kryeministrit që mendonte lavdinë e tij së bashku me “oborrtarët” e tij, ishte grumbullimi i parave nga të gjitha punët e paligjshme dhe të çdo lloj prurje. Mund të përmenden drogafikimi i vendit, nga trafikimi i të gjitha llojeve të drogave, nga vjedhjet e bankave që paratë nuk dihet se ku shkonin dhe autorët nuk kapeshin, por edhe prurjet nga tenderat dhe PPP, nga projektet digjitale dhe çfarëdo lloj donatori të paligjshëm, janë tërësia e “rrobave të reja” të kryeministrit me poturre e me atlete dhe kollare.

Më shumë se gjithçka ishte e gjithë administrata publike që, punën e vet të rëndësishme nuk kishin atë për të cilën paguheshin, por puna në terren në favor të votimeve për pushtetin. Fiktiviteti i administratës që merrnin para dhe nuk e di askush se ku është e me se merret që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ishin një paligjshmëri që stolisnin rrobat e lavdisë së kryeministrit, pa pyetur as për ndërkombëtarë e as për ambasadorë, që dukej sikur edhe ata, nuk po e shihnin mbretin lakuriq, por ia vishin ata rrobat atij të lavdisë.

Ja që gjithë mileti e pa mbretin lakuriq, se e provoi paudhësinë e tij. Por edhe sikur askush të mos i ketë parë këto, ata dhe Zoti e dinë se çfarë është bërë dhe mëkatet e gjynahet që kanë shoqëruar jo thjesht ata, por një popull të tërë që vazhdon me reminishencat e së shkuarës. Duket si një  bimë e së keqes që ka lëshuar kaq shumë rrënjë si Kuskuta (shqip -Helmës), që cilësohet si bimë barishtore parazite, me kërcell kacavjerës dhe pa gjethe, me lule të verdha, të bashkuara si tufë, që dëmton rëndë bimët bujqësore. Ose si me thënë dëmton rëndë lirinë e një populli dhe votimet e tij të ndershme.

Shenjtëria e votës që garantohet me kushtetutë u bë e përdalë se e shkërdhyen qentë e rrugëve mbarë e prapë dhe ia hoqën çdo qelizë shenjtërie. Më shumë se shenjtëria e votës, uratën e mori “shenjtëria” e parave të parellinjëve që nuk kanë asnjë lloj shenjtërie para popullit që i shikon, i di, dhe hesht për të keqen e vet.

I gjithë ky teatër komik që është luajtur në Shqipëri ka krijuar absurdin e vet tragjik që na ka sjellë në një prapaktheu 100- vjeçar. Dikur Woodraow Wilson shkroi se “As unë, as populli amerikan kurrë nuk do të biem dakord që shqiptarët  të sakrifikohen nga fqinjët”. Dhe ky personalitet amerikan bëri atë që edhe para Zotit, u pranua si e merituar, sot kemi një ambasadore amerikane që po sakrifikon të ardhmen e një populli me ndërmjetësinë e një kryeministri të veshur “lakuriq”, por që edhe ajo, nuk po e shikon lakuriqësinë e të vërtetave të tij dhe të shqiptarëve. Janë opinione që i vjelim si mesazhe kudo dhe me këdo që takohemi, shqiptar të ndershëm dhe idealistë që priste të shikonte lavdinë e shenjtërisë së votes, dhe pa “shenjtërinë” e lavdisë së parave të parellinjëve, që janë më të lavdëruarit në këtë vend.

Fryma e krijuar me të gjithë makinerinë e frymëmarrjes që nuk iu dha oksigjen të sëmurëve me CoronaVirus në spitalet kasandra, ku shqiptarët vdisnin me tufa, por u dha frymë dhe oksigjen blerjes së votës që të pranohej si domosdoshmëri që ditën e zgjedhjeve të mos kishim trazira se do na shihnin ndërkombëtarët. Vërtet atë ditë nuk panë trazira, por nuk mundën ose nuk donin të shihnin të vërtetat në paraskenën elektorale, edhe pse ishin në Shqipëri dhe kishin veshë e dëgjonin, kishin sy dhe shikonin. Si qytetar shqiptar i referohem gjithnjë personaliteteve që kanë thënë eksperiencat më të shkëlqyera, si në ratsin e Prustit ku shprehet “Kurrë mos kini frikë të shkoni tepër larg, se e vërteta qëndron përtej”. Tamam si ai “bunaci” i detit që fle dhe që fsheh shpërthimin e mëpasëm. Këtë nuk e ndalon njeri se është ligjësi e natyrës.

Ku ishit ju o ndërkombëtarë që e latë kryeministrin që të dalë lakuriq, se më 1944 u la Enver Hoxha , që edhe pse ishte si mbreti lakuriq, ai e veshi popullin e tij me të gjitha llojet e “rrobave” të ndyra,  që të mos shikonte e të mos fliste për pasojat e një diktature staliniste. Ata ndërkombëtarët  lanë në shejtanllëkun e tij për ta bërë Shqipërinë si geto eksperimentale. Mos ndoshta e njejta në formë dhe përmbajtje po përsëritet që të kemi një Edi Rama si Enver Hoxha ?

Mos po na rekomandohet  që të jetojmë në këtë botë duke na gënjyer dhe duke u gënjyer që në mënyrë të gënjeshtërat  ëndrrat t’i shohim me ngjyra, ndërsa realitetin ta shohim bardh e zi ? Kam frikën që nuk e pranon një intelektual se, po na duhet t’i themi derrit dajë dhe të puthim një dorë që nuk na jep asnjë mirësi ? Nga Charles Evans Hughes, avokat dhe politikan amerikan, kam lexuar se, “Kur humbim të drejtën për të qenë të ndryshëm, ne kemi humbur të drejtën për të qenë të lirë”. Kam bindjen se ky kryeministër që sot është një e keqe për popullin e vet, një ditë, shumë  shpejt do të jetë një e keqe edhe për vetë këta ndërkombëtarët. Inshallah nuk zgjat shumë për ta kuptuar të vërtetën që, po fshihet qorrazi dhe me buzëqeshje e shfaqje pa brum e shije!