Hyqmet Zane: Familja edukon, shkolla i mëson dhe shteti çrregullator

406
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Si mendon për edukimin dhe arsimimin Andre Breton (1896-1966), shkrimtar francez, themeluesi dhe teoricieni kryesor i surealizmit

Ngjarjet e shumta që po ndodhin dita–ditës në Shqipëri, të çojnë tek mendimi se faji nuk është anonim, por ka disa faktorë përgjegjës. Para së gjithash, të gjithë e dimë se vatra ku fillon edukimi i fëmijës është familja, aty ku ngrihet spiralja e jetës, aty ku mbahet ndezur zjarri i nevojshëm për edukim. Aty nisin hapat e para të jetës dhe për t’ia arritur këtë, trajtojeni fëmijën si objekt dhe subjekt, konsiderojeni si të rritur, bashkëbisedoni me fëmijën  dhe i shpjegoni atij gjithçka sinqerisht dhe shkencërisht, jo me shumë të qeshura, por me shumë vëmendje e durim dhe duhet të jenë prindërit, aktorët e rritjes së tyre. Nga ana tjetër, vendi ku mëson fëmija është shkolla, aty hidhen bazat e marrjes së njohuirive në shkenca të ndryshme dhe kjo është përgjegjësi e mësuesve. Domethënë vendi ku edukohet është shtëpia, ku mësohet është shkolla, në rastin më të mirë ndërthurja e të dyjave do të ishte një bazë e mirë e piramidës së një shoqërie të shëndoshë, ku shteti duhet të jetë në mes të tyre si interlekutor i rëndësishëm. Nuk mund të ngatërrohen detyrat mes familjes dhe shkollës, edhe pse ato duhet të jenë në sinkron. Sepse ka mendësi që shprehen se shkolla është vendi ku edukohet dhe mësohet, kurse  në shtëpi fëmija vetëm ha, pi dhe rri, se detyrat i kryen në shkollë. Kjo tezë e gabuar është me pasoja në formimin psikomotorik të fëmijës dhe një detyrim i njëanshëm që bën të cunguar krijimin e personalitetit të fëmijës për të ardhmen.

Në Shqipëri vërtet janë të ditura këto fakte, por asnjëherë nuk respektohen. Sipas një proverbi gjerman, për gjermanët edukimi i fëmijës është shtëpia dhe prindërit dhe kur një fëmijë i rritur tregon sjellje jo të denjë apo manifeston ndonjë ves, atij i thuhet “ti nuk ke 7 -vjeçaren”, domethënë ka mungesë të edukimit nga lindja e deri sa bëhet 7 vjeç i gatshëm për të shkuar në shkollë. Marrin interpretime të ndryshme edhe pedantizmi i prindit dhe i vihen epitete të ndryshme, porse kërkesa e llogarisë e prindit në shtëpi është detyrim që rrit përgjegjshmërinë dhe ul informalitetin në edukim. Prindi i lë detyra fëmijës dhe i kërkon realizimin e tyre dhe kjo është pjesë e edukimit me përgjegjshmërinë. Faktet  kanë treguar se toleranca e prindërve në familje kanë çuar në devijimin e sjelljes së fëmijës, në rritjen e e mendjemadhësisë dhe unit të panevojshëm. Si student i shkrimtarit, profesorit të psikologjisë Bedri Dedja, mbaj mend se ai thoshte “nuk duhen djegur etapat e edukimit të fëmijës, se mandej na dalin fëmijë pa fëmijëri dhe adoloshentë si të rritur, që në rini stonojnë dhe bëhen arrogantë dhe vetpëlqyes të veprimeve të veta dhe mohues të vlerave të të tjerëve. Ka raste jo të pakta kur njerëzit thonë për dikë se ka mbetur adoloshent, për shkak të veprimeve e mendësive që ka”. Nuk thuhet kot fjala se që të kërkosh nga një fëmijë të jetë i edukuar, do të duhet të themi se edukimi i këtij fëmijë sot, duhet të nisë 20 e ca vjet më parë, domethënë me edukimin e prindërve të tij. Ndjehem i befasuar kur djem e vajza adoloshentë nuk kanë edukatën elementare të sjelljes në komunitet, mes tyre dhe me më të rriturit, që nga mosdëgjimi i këshillave kur u drejtohesh, pale pastaj të mendosh për elementë të tjerë të edukimit si përdorimi i fjalëve të cilësuara magjike, “të lutem, faleminderit, më fal etj.” apo heqja e duarve nga xhepi kur i flet më të madhit, etj.. Janë elementë të edukatës që nuk mësohen në shkollë, por në shtëpi, edhe pse fryma e sjelljes së padisiplinuar apo arrogaca me përdorimin e fjalëve banale në çdo ambjent janë kthyer në “ligjësi” të atyre që kanë defiçenca në edukimin e shëndoshë aq të nevojshëm për një shoqëri në tranzicion si kjo e jona. Mund të themi se është prindi në shtëpi që jep shembullin e parë sipas atyre parametrave që kërkojmë tek fëmijët tanë. Në të kundërt nuk ka se si të të kërkosh nga fëmija atë q ëti si prind nuk e bën, ngaqë shepsh thuhet fjala se që të kërkojmë respekt nga më të vegjëlit, para së gjithash jemi ne të mëdhnjtë që duhtë të tregojmë respekt para dhe ndaj tyre. Nga ana tjetër shkolla, si vatra e dijes, ka përgjegjësinë e arsimimit të shëndoshë dhe me profesionalizëm, nëse vërtet duam një të ardhme të shëndoshë. Me gjithë dëshirën e mirë që kam si mësues në profesion, ndjehjem i zhgënjyer nga realiteti që përjetojmë jo vetëm nga sjellja e padenjë e nxënësve në klasa, por edhe në marrëdhëniet mes tyre dhe me mësuesit. Ajo që konstatoj sot në shkollat shqiptare me gjithë zhvillimet e mira që kanë modelet europiane, implementimi i tyre bëhet ose shabllon ose si një plagjaturë ose në mënyrën më të keqe të mudnshme se vetë mësuesit janë ata të parët që duhet të tregojnë devotshmëri në profesionin e tyre, po aq sa edhe duhet të bëhen modeli i njeriut që fëmija të mësojë me zell njohuritë. Më tej mund të thuhet se edhe modelet e programeve që përgatiten për shkollat nuk janë në përputhje me psikologjinë e një vendi dhe familjeve të këtij vendi. Se bota programet nuk i shpikin si shkencë, por ato dalin si një urtësi e psikologjisë së popullit të atij vendi dhe që rrit spirale e edukimit dhe mësimit të atij vendi në shkollat e tyre. Duhet të themi se sjellja dhe dija kanë shumë vlerë kur janë të ndërthurura bashkë. Se në jetë ka shumë situata ku dituria dështon dhe sjellja e mirë mund të menaxhojë çdo situatë të vështirë. Ndaj dhe duhet punuar fort që edukatorët dhe mësuesit të dimë konceptin dhe rëndësinë e sjelljes të familjes, të dhunës dhe lirisë, të jetës. Të gjitha këto mësohen në moshën e të nxënit në çdo stad të jetës që në fëmijëri, në shkollë dhe  dhe zbatohen në jetë në vazhdimësi. Nuk e di se kush ka qenë ai i pari që ka futur punonjësin social në shkollat shqiptare. Por më shumë se sa kaq, do të thoja se ky punonjës është një nevojë e një domosdoshmëri që i sjell arsimimit të fëmijëve një këndvështrim të plotësuar në funksion të së tërës në formimin e personalitetit të fëmijës si edukim dhe mësim. Kam bindjen se punonjësi social me funksionin real të tij vlerson gjenden psikoemocionale të nxënësve me probleme të të nxënit. Ose sjelljet e tyre dhe në bashkëpunim me drejtuesit e IA, mësuesit dhe prindërit planifikon shërbime të përshtatshme që ndihmojnë zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësit. Kur shikon realitetin e sjelljes në qytete të ndryshme të vendit, se si përdorimi i armës sjell viktima dhe djem të rinj që vriten për interesa të ngushta të pasurimit të shpejtë me forma jo ligjore, dhe që për një fjalë goje, i marrin jetën njeri – tjetrit, kjo të le të mendosh se, ky është fryt i atij realiteti të pamenduar mirë në ambientet familjare dhe ato arsimore.

Shkurt, mungesa e edukimit në familje dhe mosarsimimi cilësor në shkolla, po aq  sa edhe sjellja abuzive e shtetit me shtetasit e vet, jep këto fryte që vrasin shpresën dhe të ardhmen dhe kurrësesi nuk mund të themi se e kemi të konsoliduar familjen apo në bazë të drejta shkollimin. Vlen t’i referohesh një personaliteti francez, shkrimtarit Andre Berton (1896-1966), themeluesi dhe teoricieni kryesor i surealizmit. Se çfarë është arsimimi apo edukimi sipas tij, ai shprehet se “Arsimim nuk janë notat apo diplomat tona, por estetika jonë. Mënyra se si flasim, flirtojmë, ecim rrugës, mbajmë derën që i panjohuri të kalojë në ashensor. Edukim eshtë fjalët  tona, diskrecioni ynë, liria jonë, kufijtë e lirisë tonë, muzika që dëgjojmë, gjuha e trupit tonë, sa duam ende të mësojmë, të ndryshojmë, të lexojmë sikur jemi gjithmonë letër e pashkruar. Edukimi është përulësia por dhe këmbëngulja në vlerat tona, fakti se nuk jemi mall në shitje, se sa ne respektojmë njerëzit, fëmijën e tjetrit, zonjën që pastron zyrën tonë, zotërinë që pastron parkun ku nxjerrim shëtitje qenin tonë, vajzën arkëtare. Arsimim është shpirtmadhësia jonë, të ujisim një vazo të panjohur, të kujdesemi për pjesët mbrapa shtëpisë sonë. Edukim është të mbrojmë me duart tona të dobtin, t’i kundërvihemi të keqit. Arsimimim është të përballesh me sistemin dhe sistemistët, edukim është trimëri dhe vetëpërgjegjësi. Edukim është të zgjedhësh rrugën e vështirë të dinjitetit, të vetmisë dhe në të njëjtën kohë të zjarrmosh brënda vetes për të mirën e përbashkët, për të bukurën dhe shpëtimin e saj”. Mjaft të shohësh sjelljen e një kryeministri apo një ministri, të një pushtetari apo deputeti që më së shumti kanë arrogancën si model  sjelljeje, apo hajdurtërinë si mundësi jetese, për të kuptuar se si do të jetë qeverisja dhe ardhmëria e një vendi dhe një populli. Mjaft të shohësh sjelljen e prindërve në familje apo të mësuesve në shkolla apo pedagogëve në universitete, për të kuptuar se çfarë edukimi dhe arsimimi bëhet në të gjithë detajet e fëmijëve, adoloshentëve dhe rinisë sonë.