Vangjush Saro: Epidemia e ikjes së Shqiptarëve

518
Sigal

Ikja e shqiptarëve, mani apo zgjedhje?

Opinion

Nuk jam për rëndimin e kësaj dukurie, duke e zmadhuar e përcjellë në shtyp si tam-tam; jam kundër teprimeve. Por e vërteta duhet thënë, për t’i shërbyer kurimit të sëmundjes. Numri i shqiptarëve që po shkojnë në Perëndim, është rritur; numri i atyre që po ashtu aspirojnë të ikin nga vendi, gjithë në të njëjtin drejtim, është edhe më i madh. Në historinë njerëzore, edhe në atë të Evropës së zhvilluar, ikja dhe shtegtimi kanë qenë të vazhdueshme. Ka ndodhur kjo edhe me shqiptarët, në kohët e vjetra dhe në ato të reja. Por sot ne gjendemi në njëlloj epidemie, nëse mund të thuhet kështu. Siç lë të kuptohet Zyra e Mbrojtjes Evropiane për Azilantët, edhe pse kanë normën më të lartë të refuzimit të kërkesave dhe jetojnë në një vend që nuk ka luftë apo konflikte etnike, asgjë nuk i ndal shqiptarët që të përplasen dyerve të Evropës si azilantë. (Gjatë periudhës janar – shtator të këtij viti, numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë.) Në total, për 9 muajt e parë të këtij viti, kanë aplikuar për herë të parë edhe 15.469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12.835 (!)

Duke lexuar këto e duke pasur parasysh edhe të tjera shifra, bëjmë mirë të pyesim nëse ikja apo thjesht dëshira për të ikur, është një tregues i moszhvillimit të vendit dhe i problematikave që bëjnë trysni mbi qytetarët apo është thjesht një mani, ngasje për të jetuar në një botë ‘më të mirë’… Dhe, më tej, çfarë i mban në paqe shoqëritë e përparura, në Evropë a në vise të tjera të Perëndimit, ku njerëzit nuk e ngrenë mendjen për të ikur nga sytë këmbët? Këto pyetje duhen konsideruar me seriozitet, sepse vjen një kohë që kupton se te ne, fenomeni është bërë qëllim në vetvete, pothuaj një dëshpërim pse nuk ‘më del ndonjë shans për tutje’.

Pse po ikin nga sytë këmbët shqiptarët? Ikja është një fakt. Arsyet janë të shumta dhe të ndryshme. (“Njerëzit, kur janë të lumtur, nuk e vënë re nëse është dimër apo verë.” Anton Çehov) Ikja po ndodh për shkak të një pakënaqësie që sa vjen rritet dhe, po aq, për shkak të pasigurisë; është ngritur një pikëpyetje e madhe në jetën e qytetarëve. Ikja bëhet duke ëndërruar një jetë më të mirë, shpesh me një tufë iluzionesh në mendje e në atë se si e përfytyrojmë ne Perëndimin. Por nga ëndrra te realiteti, është një rrugë shumë e gjatë…

Ikja ndodh për shkak se vendi prej tri dekadash përjeton një gjendje ekonomike që vazhdimisht mbetet kërcënuese; edhe pse disa statistika vijnë me poetere. (“Të besosh në progresin, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” Franc Kafka) Ikja pra, ndodh për shkak të varfërisë. Sipas Eurostat, Shqipëria bashkë më Bosnjën, mbeten dy vendet më të varfëra të Evropës. Analizat për vitin 2018 treguan se të ardhurat për frymë janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Evropian. Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, Shqipëria renditet e fundit e vetme, me 38% të mesatares evropiane. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në një raport të saj, gjithashtu konstatonte se Shqipërisë mund t’i duhen 80 vite ‘që të kapë mesataren e vendeve të zhvilluara të OECD në të ashtuquajturin proces të konvergjencës’.

Ikja ndodh sepse njerëzit shikojnë me mosbesim klasën politike, një tufë e çoroditur, e zhytur në korrupsion, e paaftë të nxjerrë vendin nga krizat, e painteresuar për bashkëpunim e bisedime që do të çonin problemet e akumuluara drejt njëlloj zgjidhjeje e, për më keq, e lodhur nga të qenit gjithnjë kot dhe në një urrejtje që buron nga devijimi i interesave të ngushta. (“Asgjë në botë nuk e konsumon më shpejt një njeri sesa pasioni i mërisë.” Fridrih Niçe)

Ikja ndodh sepse shërbimet shëndetësore lënë për të dëshiruar, arsimi po ashtu. Ikja ndodh për shkak të demagogjisë shtypëse (të rënduar së fundi me luftën absurde ndaj medieve,) po ashtu për shkak të atmosferës së mjegullt që ndehet në vend prej dekadash. Ka shumë që vërtet ikin ngase u lodhën prej kësaj gjendjeje hiq e mos këput, me pamje të paqarta, me premtime të pambajtura, me një nervozitet e paqendrueshmëri që do të cfiliste edhe atë më të duruarin. (“Më shumë se për dashuri, para e famë, kam nevojë për të vërtetën.” Henry David Thoreau) Ikja ndodh edhe për shkak të mungesës së sinqeritetit dhe bashkëpunimit në relievet e jetës sociale në terren; ky episod iu është shtuar së fundi prapambetjeve të tjera që kemi. Edukata. Besimi. Bashkëpunimi. Fqinjësia. Mbështetja. Mirësjellja. Këto janë lëkundur keq dhe gjenden tash ndër termat që janë të vështira për t’u prekur e konkretizuar.

Hap pas hapi, shoqëria shqiptare duhet ta ndalojë ikjen dhe lipset të mendojë për t’iu afruar njerëzve një jetë më të pranueshme. Por si? Është e pamundur që situatën ta marrë në dorë masa e pakënaqur, populli, ashtu pa kokë e pa drejtim. Mendoj se hë për hë duhet të pranojmë prapambetjen tonë në disa aspekte – siç u përpoqa të tregoj më sipër – për ta kuruar atë. Këtu, roli i politikës dhe shtetit është vendimtar; jo më pak ai i medies. Na duhet një marrëveshje që të mbyllë a shmangë fragmentin absurd të ‘luftës’ mes palëve e shtresave, ndonjëherë edhe mes intelektualëve, për të vazhduar me debat dhe konkurim në kërkim të alternativave më të pranueshme. Na duhet të pranojmë disa arritje dhe pastaj edhe mosarritjet, që ta dimë nga duhet filluar edhe njëherë nga e para. Na duhet një vendim a përpjekje për të shkuar më tutje ndryshe, duke e lënë pas banalitetin politik, me soj-soj të pahirë e të pashkollë, vetë sistemin me zgjedhje jetë e mot të dyshimta. Na duhet, së fundi – dhe kjo është më e rëndësishme se të tjerat – një demokratizim i organizmave politike dhe përzgjedhje më e mirë e elitave; që, fundja, kanë në dorë edhe gurin, edhe arrën. Unë kam një votë, me të cilën mund të rrëzoj a shmang nga jeta politike dhe nga veprimtaria administrative atë apo ata që nuk po përmbushin kërkesat e publikut. Unë nuk duhet të duartrokas së koti apo të pranoj këdo, me shpresën për ndonjë kockë. Këtu fillon kthesa…