Humbi 8 familjarë nga tërmeti/ Ylber Lala: Qeveria më mashtroi për dëmshpërmblimet. Asnjë ministri nuk më ndihmon për babain e sëmurë

239
Sigal

Më 26 nëntor bëhet plot një vit nga tërmeti i tmerrshëm që mori 51 jetë njerëzish. Këneta e Durrësit ishte ndër zonat më të goditura të atij tërmeti. Në këtë vend ku më parë gjallëronte jeta mes zërave të fëmijëve dhe dashurisë së prindërve e gjyshërve nuk ka mbetur më asgjë. Lulet kanë mbirë mbi rrënojat e vetme të harruara këtu. Ylber Lala, i rraskapitur nga dhimbja e madhe rikthehet në të njëjtin vend ku një vit me parë përjetoi tmerrin e humbjes se 8 të dashurve të familjes së tij, Sahadete Lala 79 vjeç, (gjyshja), Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç , Marjeta Lala me 4 fëmijët: Emilio Lala, Dionis Lala 2 vjeç, Dionisa Lala 2 vjeç –binjakë, Amelia Lala 8 vjeç. Griselda Lala, 22 vjeç. 8 anëtarët e fisit Lala humbën jetën në shtëpinë ku kishin gati rreth 3 vite që ishin vendosur. Pikëllimi mbërtheu zemrat e atyre që mbijetuan nga ai tërmet. Por tragjedia për Ylber Lalën nuk mbaroi më 26 nëntor. Ditën kur u përcollën në banesën e fundit 8 anëtarët e familjes, ndërroi jetë nga dhimbja për tragjedinë edhe nëna e Ylber Lalës, Fiqirete Lala 64 vjeçe, njëkohësisht nusja e djalit të madh të Sahadete Lalës, gjyshes që u gjet me mbesën në krah nën rrënoja. “Ditën e ceremonisë që u bë tek pallati i Kulturës, ishte Edi Rama aty dhe në atë moment më njoftojnë se mami ndërroi jetë. Nëna ime nuk ishte në ceremoni. Ajo ishte operuar 3 ditë përpara se të ndodhte ngjarja nga apendiciti dhe ndodhej në spital. Ditën e tërmetit na kërkuan ta çojmë në shtëpi se po zhvendosnin të sëmurët, madje për këtë debatova edhe me ministren. E çuam në shtëpi, por nuk i treguam çfarë gjëme na kishte ndodhur. Ajo na pyeste çfarë ka? Çfarë keni që jeni kështu? Seç po shoh ca ëndrra të këqija, por ne nuk i treguam. Ditën e ceremonisë babi doli nga shtëpia dhe mami e pyeti se ku po shkonte, por ai s’i tregoi. Kur ai iku mami dëgjoi ca komshinj që flisnin për tragjedinë tonë dhe aty e pësoi infarkt dhe iku, na la…”, tha  Ylberi. Babai i Ylberit, Ali Ramë Lala 70 vjeç jeton tashmë i vetëm në një banesë tjetër, që ndodhet pranë zonës së tragjedisë. Me lot në sy ai na rrëfen se 95 mijë lekët e pensionit nuk i dalin për ilaçe. “Deri para 9 muaj më parë jetoja me bashkëshorten time, ngela vetëm. Si jetoj?! Ja siç e shikon. Fëmijët pa punë, por vijnë e më shohin. Marr  95 mijë të vjetra pension. Paguaj drita dhe ujë 80 mijë lekë (tregon se s’ka paguar herën e fundit). Vuaj nga hernie diskale, por këmbët nuk i kam funksionale. Qëndroj shtrirë, ndonjëherë më vjen vajza, që më bën për të ngrënë një herë në disa ditë. Vajzën e kam në Fier. Kam 4 muaj pa i marr këto ilaçet, se bëjnë 64 mijë. Janë për këmbët  këto ilaçet dhe s’i marr dot.’ (Përlotet dhe apelon për ndihmë), – tha Ali Ramë Lala. (Përlotet dhe apelon për ndihmë). Pas tërmetit të 26 nëntorit  jeta e anëtarëve të mbetur gjallë të fisit Lala ka ndryshuar rrënjësisht. 3 djemtë e Ali Lalës sot janë të papunë. Vajza e tij jeton larg, në Fier me familjen e saj. Traumat e asaj tragjedie pengojnë edhe sot jetën e Ylber Lalës. Ylber Lala ka trokitur disa herë në dyert e ministrive për të kërkuar ndihmë për babanë e tij të sëmurë. Në mungesë të një pensioni për babanë e sëmurë apo të një personi që të mund të kujdesej, ato para për të janë jetike. Ndërkohë, pyetjes se pse vendosi që të flasë sot, Ylberi pohoi se: -“Sepse është e tmerrshme të shikosh babanë në atë mënyrë që jeton….(Qan me të madhe). Edi Rama nuk do ta fal. Tallu sa të duash, por mos e prek plagën.” – tha ai.