Hollanda njofton katër parakushte për Shqipërinë

345
Sigal

Ministri i Jashtëm hollandez, Stef Blok, ka shpjeguar vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Në një konferencë për media, ai u shpreh se vendet anëtare të BE, kanë rënë dakord për një numër parakushtesh që duhet të përmbushen nga Shqipëria përpara Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Ndërkohë, për Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë parakushte.

Kjo sipas tij është edhe kërkesa që Parlamentit hollandez dhe atij gjerman. Vlerësimi nëse parakushtet janë plotësuar apo jo, përpara hapjes së negociatave do të vendoset po nga Parlamentet e këtyre vendeve.

Pasi ka shpjeguar 15 parakushtet, ministri i jashtëm Blok, ka konfirmuar se vetëm një progres real me përmbushjen e parakushteve mund të hapë procedurat e negocimit.

“Situata në Shqipëri është e tillë që ne duam të shohim sa real është progresi dhe sa i vërtetë është ai, përpara se të nisi Konferenca e Parë Ndërqeveritare”, – shprehet Blok.

Pasi ka konfirmuar se vendimi për caktimin e parakushteve ka qenë unanim, ministri I jashtëm hollandez theksoi se Shqipëria është vendi i vetëm që ka parakushte (4) dhe plotësimi i tyre mundëson konferencën e parë ndërqeveritare. Maqedonia nuk ka asnjë parakusht dhe do të nisë me konferencën e parë ndërqeveritare.

Shqipëria duhet të bindë vendet e BE se e ka seriozisht Sundimin e Ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ndaj i janë shtuar disa parakushte që kanë lidhje me frymën dhe ligjin e Kushtetutën, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese. I është shtuar po kështu parakushti për të zbatuar opinionin e Komisionit të Venecias përfshirë KED, vettingun dhe një sërë standartesh të tjera që janë shkelur sipas Komisionit të Venecias. Në opinion Komisioni vëren politizimin e reformës.

Shqipëria duhet të bëjë Reformë Zgjedhore që të luftojë financimin e paligjshëm dhe përmes parave kriminale të zgjedhjeve. Ajo duhet të luftojë për të zbatuar pikat e MONEYVAL kundër pastrimit të parave (aktualisht është në zonën gri).

Do të jenë grupet faktmbledhëse që do të përcaktojnë nëse qeveria shqiptare i ka përmbushur këto kushte apo jo, dhe këto grupe do të jenë nga Parlamenti Holandez, Bundestagu dhe vendet e tjera.

Shqipërisë po i kërkohet minimalja për një shtet të BE-së dhe disa kushte që duhet t’i ketë çdo shtet që kërkon të hyjë në BE; sundimin e Ligjit dhe luftën kundër korrupsionit theksoi Ministri i Jashtëm i Holandës në konferencën e sotme për shtyp.

“Nuk mund të them dot se sa të vështirë e ka Shqipëria të përmbushë këto kushte por duhet të kuptoni që parakushtet e vendosura janë logjike dhe të mirëqena për një vend demokratik që respekton sundimin e ligjit. Ne nuk po i kërkojmë diçka të pamundur dhe as jashtë mundësive të tyre” përfundoi deklaratën e tij Stef Blok.