Heqja e imunitetit për gjyqtarët, qeveria, letër Komisionit të Venecias

473
Sigal

Qeveria shqiptare do të presë rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me imunitetin e gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të lartë përpara se të vendosë që të miratojë ndryshimet në Parlament. Qeveria shqiptare i ka dërguar një letër Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet ligjore që ajo pritet të kryejë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Burime nga qeveria konfirmojnë faktin se, i është dërguar Komisionit të Venecias një përmbledhje të çështjeve që do të vlerësohen në lidhje me pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor dhe sigurimin e bashkëpunimit me këtë organ. Gjithashtu, projektet që janë hartuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë i janë dërguar Komisionit të Venecias për mendim dhe janë në pritje të rekomandimeve konkrete. Ministria e Drejtësisë ka rënë dakord me Komisionin e Venecias që t’i dërgojë zyrtarisht projektligjet për këtë qëllim si “Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Procedurës Civile”, që synojnë kufizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë për çështjet penale, si edhe parashikojnë sanksione ndaj avokatëve në rast mungese në seanca gjyqësore.