Vëllai nga Kosova të thirri “tradhtar”, por ti je“kryetradhtar”!

256
Sigal

PETRIT VASILI

Po pse, nuk je i tillë ti? Ja, po të përmend unë disa të vërteta dhe që faktojnë se je ti kryetradhtari me i madh i shqiptarisë.

– A nuk është tradhti që ti gajasesh me hasmin e Kosovës e të thurësh plane kundër saj?

Po pse ore, ti ngele t’i zgjidhësh konfliktet në rajon?

– A nuk është tradhti që të lejosh fqinjin të shtyjë gardhin e kufijve në det, gardh të cilin ta kanë caktuar Fuqitë e Mëdha që në 1913-ën? A mendon ti ore se ke këllqe aq të forta që të lejosh zgjerimin e grekëve në kurrizin e asaj pjese që u takon shqiptarëve?

Kush je ti që del nga ombrella ndërkombëtare e mbrojtjes ligjore dhe deklaron se Greqia është në të drejtën e vet?

Nëse Greqia zgjerohet me ndihmën e deklaratave të tua, a nuk është kjo tradhti e lartë?

– A është tradhti të biesh dakord që shtati i shqiptarisë të shkurtohet nga koka (Kosova) dhe nga këmbët (deti) ne favor të Serbisë dhe Greqisë?

Nëse kjo rënie dakord nuk është tradhti, çfarë mund të quhet tjetër si e tillë?

– A nuk është tradhti që Shqipëria, me burime ujore si askush tjetër, vuan nga mungesa e digjet për ujë në mes të vapës?

Po kjo si të duket ty, nuk është tradhti?!

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve ti detyrosh ata të paguajnë Beghetti-t 118 milionë euro, ndërkohë që minimalisht mund të kishe ndërtuar 4 spitale me këto para?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve t’ua bësh 20 milionë euro një kilometër rrugë dhe cm-në e rrugës më të shtrenjtë se cm-në e floririt?

– A nuk është tradhti ndaj shqiptarëve që ta mbushësh Shqipërinë me drogë dhe ta shndërrosh në Kolumbinë e Europës?

– A nuk është tradhti ndaj shqiptarëve qe ta fusësh Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave dhe ta shndërrosh në lavatriçe gjigante të parave të pista?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve që naftë, rrugë, aeroporte, ujë, porte, i ke dhënë në një dorë të vetme?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve t’i bësh ata të jetojnë me zor në një qytet si Tirana, kur ti vetë e ke shkatërruar dhe e ke kthyer në një serë të madhe betoni, ku tymi e vapa po i pjekin të gjallë dhe po vrasin shëndetin e qytetarëve, fëmijërinë e të miturve dhe pleqërinë e nënave e baballarëve tanë?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve kur i detyron ata të shpenzojnë qindra-milionë euro për t’u kuruar jashtë vendit nga Covid-i dhe ti të mos iu rimbursoje asnjë lek për barnat?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve kur përgjatë gjithë periudhës së pandemisë nuk testoje shqiptarët dhe i detyroje të shkonin në laboratorë privatë, se ti paratë i çoje për koncesione?

– A nuk duhet tradhti ndaj shqiptarëve që për 8 vite nuk u investua asgjë për të përballuar situata të tilla të fatkeqësive natyrore, zjarre, tërmete, përmbytje, por njerëzit humbasin gjithçka dhe jetën, kur edhe qen për të gjetur të zhdukurit nga tërmeti nuk ka, ndërsa kryetradhtari fluturon me helikopterët që duhen për të përballuar zjarret që po shkretojnë vendin?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve që vit për vit kemi përmbytje, ndërkohë që kanalet kulluese nuk pastrohen, se paratë i gllabërojnë koncesionet dhe tenderët që fitohen me 99% të çmimit?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve kur sistemi arsimor është përkeqësuar në atë derexhe sa po prodhon masivisht injorantë funksionalë me dhjetëra-mijëra çdo vit?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve t’u rrisësh borxhin publik në mënyrë mafioze e të paligjshme dhe deri në 100%, e që rëndon i gjithi mbi shpatullat e xhepat e shqiptarëve, vetëm e vetëm për të paguar koncesionet dhe hajdutëritë e pafunda të qeverisë?

-A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve ta lësh vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë për të mbajtur pandëshkueshmërinë tënde dhe të qeveritarëve të tu?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve që ti përzësh nga shtëpia e tyre dhe t’ua mbushësh shtëpinë me të tjerë, nga Bangladeshi e Filipinet, që shqiptarët as të mos ta mendojnë kthimin në shtëpi?

– A nuk quhet tradhti ndaj shqiptarëve t’u fshish nga memoria kolektive trashëgiminë kulturore kombëtare e t’u shkatërrosh Teatrin dhe pasuritë arkeologjike mijëravjeçare?

– A nuk eshte tradhti ndaj shqiptareve ti kufizosh te drejtat dhe lirite themelore te tyre me statuse banditizmi shteteror ne FB, dhe jo me akte sipas Kushtetutes dhe Ligjit?

– A nuk është tradhti ndaj shqiptarëve t’u rrisësh çmimet e shportës ushqimore, pra ushqimeve të mbijetesës biologjike dhe t’ua mbash në vend rrogat e pensionet e bile t’i ulësh realisht ato për shkak të rritjes së çmimeve?

– A nuk quhet tradhti kur mbyt shqiptarët, nëna dhe fëmijë me gaz, sepse protestonin për shtëpitë e tyre, qe ua prishe dhe i le në mes të katër rrugëve?

– A quhet tradhti ndaj shqiptarëve fakti që të kanë besuar buxhetin e shtetit për ta mirëpërdorur, ndërsa ti dhe administrata, që ti kryeson, sipas raporteve të KLSH-së, çdo vit sjell dëme me miliona euro për buxhetin?

– A quhet tradhti ndaj shqiptarëve që prej tetë viteve nuk na garanton publikisht as për ato produkte që konsumojmë për ushqimin e përditshëm?

Ja për këto që janë vetëm një pjesë e asaj që shohim të gjithë, ndaj unë të quaj kryetradhtar, më keq edhe se Esat Pashë Toptani.

Imagjino sa të tjera ke bërë, që ne nuk i dimë akoma, por që do të zbulohen patjetër sado që ti t’i fshehësh! Prandaj, largohu sa më shpejt, sepse e ardhmja e Shqipërisë nuk kalon as nga Serbia, por do të jetë shqiptaria dhe llogarinë me të e ke dhe do ta kesh të hapur sa të jetë jeta, nga Tirana e deri në Prishtinë!