Hapja e negociatave, Rama: Jemi të vetëdijshëm se kemi akoma punë për të bërë

496
Sigal

Përmes komunikimit periodik me publikun në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama u përqendrua te rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim t Shqiëprisë në Bashkimin Europian.

Sipas kryeministrit, refmorat rrënjësore, të rënda dhe kosto të qeverisë që drejton morën edhe vlerësimin ndërkombëtar, ndërsa akuzoi opozitën se nuk po përpiqet për të mirën e vendit, por vetëm shpif pa pushim.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Tre vjet më parë Shqipëria ishte një vend i refuzuar, tre herë me radhë në tre vite rresht në përpjekjen për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Një shtet i pareformuar, me imazh të keq ndërkombëtar, me një kryeministër që kishte humbur çdo respekt ndërkombëtarisht dhe që prej disa vitesh nuk e qaste më askush në derë. Me një politikë të jashtme pa asnjë peshë në rajon dhe lëre pastaj respekt në Europë. Rruga e integrimi europian të Shqipërisë ishte kthyer në tatëpjetë të rrëshqitshme ku çdo përpjekje për të hedhur një hap përpara bëhej një prapakthehu 2 hapa mbrapa. Axhenda e re reformiste e shumicës fituese të zgjedhjes se qershorit 2013 ishte ajo që i hapi rrugën e rimëkëmbjes Shqipërisë edhe në sytë e familjeve europiane dhe të komunitet ndërkombëtar në tërësi. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme i ka rritur ndjeshëm kuotat e vlerësimit të Shqipërisë dhe urat e komunikimit e të bashkëpunimit tonë rajonal e ndërkombëtar në nivelet më të larta, janë sot më të fuqishme se asnjëherë më parë. Vendi ynë mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe sot në harkun e vetëm 3 vjetëve që kur kemi filluar të qeverisim, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Tre vjet më parë kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës. Axhenda jonë reformiste dhe beteja e paepur pas një vonese shumëvjeçare për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda dhe me kosto në çdo sektor na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. Komisioni Europian e ka vlerësuar aq maksimalisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë sa ka ndezur dritën jeshile për çeljen e negociatave për të anëtarësim për Shqipërinë. Kazani i broçkullave që zien përditë në mexhelisin tonë politik e mediatik zhurmojnë me të madhe për medekmek kushtet që do t’i viheshin Shqipërisë. Madje shqiptarët dëgjuan papushim se deri edhe kanabisi do të ishte kusht për çeljen e negociatave, zgjedhjet e ardhshme do të ishin kusht, një qeveri e re me një kryeministër tjetër do të ishte kusht, edhe njëherë ata që u refuzuan për 3 vite rresht kur kërkoni thjesht statusin e kandidatit për Shqipërinë çfarë nuk thanë, sajuan çfarë deshën, por që vetëm çeljen e negociatave nuk donte se për ta Shqipëria është e mirë vetëm kur punët e tyre janë mirë dhe është e dashur vetëm kur ata janë në pushtet. Për ta Shqipëria është Kolumbi, kriminalitet, hajdutëri, arrati, terr i zi dhe siç e kanë zakon edhe njëherë e vetmja gjë që lanë pa thënë ishte e vërteta. E vërteta e thjeshtë që Shqipëria do të merrte rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave pakushte dhe vetëm me mirëkuptimin krejt të natyrshëm që të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi, konkretisht për “vetinng”-un e gjykatësve e të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht në tryezën e negociatave, quajeni edhe kusht po të doni, është zbatimi i ligjit për “vetting”-un, por ama s’do as mend, as kalem që kjo është në radhë të parë premisë e jona në rrugën tonë drejt Shqipërisë europiane të cilën e kanë zgjedhur vetë shqiptarët 26 vite më parë. Reformat do të vazhdojnë, jo se na kërkon Brukseli por sepse iu kemi borxh fëmijëve tanë të gjeneratës tjetër.