Grekëve u duhet dhënë një mësim për bllokimin e sajtit të Presidentit të Shqipërisë

595
Sigal

Qeveria greke, duke marrë shkak nga një deklaratë e Berishës, kërkoi edhe reston për politikën e tyre shoviniste në dëm të Shqipërisë

Hakerat grekë bllokuan sajtin e Presidencës së Shqipërisë, si reagim ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha për “Shqipërinë e Madhe”. Zyrtarisht, kështu u njoftua nga pala greke, e cila “harroi” të theksojë që ky veprim është një akt kriminal, i dënueshëm nga çdo Kod Penal i çdo vendi demokratik. Bile, zyrtarë grekë “harruan” të pohojnë se qeveria greke, organet e drejtësisë së saj, do të hetojnë dhe do të gjejnë fajtorët dhe t’i çojnë këta përpara drejtësisë. Nuk është e vështirë që të kuptosh dy gjëra të thjeshta. Së pari, hakerat grekë – patjetër- kanë vepruar sipas udhëzimeve që kanë marrë nga qendrat e vendimmarrjes së qeverisë greke, si kundërhakmarrje. Për të na demonstruar forcën se çfarë të keqe mund të na bëjnë ata, nëse, ne shqiptarët, nuk u bindemi urdhërove e ambicieve të grekëve. Dhe e dyta, hakerat grekë janë ndihmuar edhe nga kompania celulare me interesa greke, që vepron në Shqipëri. Pak kohë më parë, qeveria greke, në kundërshtim me çdo të Drejtë Ndërkombëtare, në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërshtetërore, detyroi shoqëritë shqiptare të transportit rrugor të turizmit, që të ndanin përgjysmë me grekët biznesin e tyre, me qëllim që të lejoheshin të futeshin në Greqi. Këtë, qeveria greke e ka ndërmarrë vetëm kundër shoqërive shqiptare të transportit, sepse në Greqi veprojnë edhe shoqëri të ngjashme nga Turqia, por që qeveria greke,  ndaj tyre, e ka të pamundur të imponojë forcën e saj. Atëherë, lind pyetja: Përse qeveria shqiptare nuk ndërmerr të njëjtat masa shtrënguese ligjore edhe kundër biznesit me interes grek që vepron në Shqipëri? Së pari, të detyrojë kompanitë greke, që të pranojnë si bashkëpronar të barabartë të biznesit që ushtrojnë në Shqipëri edhe shqiptarët. Ndryshe, le të ikin, po të gjejnë më mirë në vende të tjera. Kur Kryeministri Berisha pohon se, “fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë”, natyrisht, ka parasysh këtë trajtim  si shtetas të dorës së dytë e të tretë,  që greku trajton shqiptarët, si emigrantë, si biznesmenë që veprojnë në Greqi. Të gjitha kompanitë me interesa greke, në Shqipëri janë favorizuar me të gjitha mundësitë, që të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Derisa qeveria greke vepron si njerkë me shqiptarët në Greqi, i trajton biznesmenët shqiptarë, si shtetas të dorës së dytë e të tretë, a nuk ka ardhur koha që edhe qeveria shqiptare të veprojnë në ekuivalencë me biznesmenët grekë që ushtrojnë veprimtarinë në Shqipëri? Të tilla veprime ligjore nga qeveria shqiptare do të balanconin çdo politikë inferiore të qeverive greke ndaj shqiptarëve dhe do t’u jepet mesazhi politik, se shqiptarët vërtet nuk i lejojnë  askujt që t’i trajtojë si qytetarë të dorës së dytë e të tretë. Kryeministri Berisha, të mos mbetet vetëm në deklarata propagandistike, por është koha të veprojë. Më shumë se kurrë, tani është edhe momenti historik, derisa Greqia përjeton krizën më të thellë ekonomike dhe një reagim homolog i qeverisë shqiptare,  ndaj biznesit grek që vepron në Shqipëri, Greqisë do t’i shkaktonte më shumë dëme ekonomike dhe do ta detyronte që të rishikojë politikën e saj që zbaton kundër Shqipërisë. Është Greqia ajo që duhet të japë llogari për padrejtësitë historike që ka bërë në dëm të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, e jo të ketë kurajo, që ta na kërkojnë edhe reston historike.