KLD-ja dështon sërish me gjyqtarin Neritan Tabaku

444
Sigal

Ministri i Drejtësisë propozon masa disiplinore ndaj gjyqtarëve

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen plenare të datës 30.11.2012, shqyrtoi si pikë të parë të rendit të ditës, projektvendimin lidhur me procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Presidenti i Republikës theksoi në diskutimin e tij, rëndësinë e vendosjes së rregullave të qarta, për realizmin e një procedure sa më transparente për publikun, në përzgjedhjen e kandidatëve që do të kryejnë funksionin e gjyqtarit në Gjykatat Administrative. Por, kjo përzgjedhje duhet të jetë gjithashtu, një procedurë e besueshme dhe për vetë trupën gjyqësore, që do të jenë protagonistët e kandidimit, për të rritur besimin e tyre tek organi i ‘qeverisjes’ së sistemit gjyqësor. Presidenti theksoi se qëllim i KLD-së, me miratimin e këtij akti nënligjor, është krijimi i një trupe gjyqësore me cilësi të larta profesionale dhe me integritet.  Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi informoi në lidhje me procesin e hartimit të projektvendimit, theksoi se Këshilli është i angazhuar dhe ka gjithë predispozitën që procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatën Administrative të Apelit, të bazohen në parimet e ligjshmërisë, të transparencës dhe të meritokracisë. Pjesë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku, çështje e cila u shty, për shkak të mos paraqitjes të gjyqtarit, për arsye shëndetësore. Me qëllim realizmin në kohë dhe me cilësi të funksioneve kushtetuese, që parashikohen për institucionin e KLD-së, Presidenti i Republikës deklaroi se mbledhja e radhës do të vijojë ditën e premte, datë 7.12.2012 në orën 11:00, ku do të shqyrtohet kryesisht procedimi i sipërcituar disiplinor. Këshilli vijoi me shqyrtimin e dy kërkesave të Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtareve. Konkretisht, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Ministrit e Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, zj. Mimoza Margjeka, ndërsa rrëzoi kërkesën e Ministrit e Drejtësisë për “Shkarkim nga detyra” të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, zj. Vjola Canaj. Diskutimet e Këshillit vijuan me shqyrtimin e projekt akteve përfundimtare të vlerësimit të Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 7 gjyqtarë. Mbas realizimit të procedurës së votimit të këtij projekt akti, në përfundim u vendos vlerësimi “shumë mirë” për gjyqtarët: Liljana Baku (Sulollari) – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Ilirjana Olldashi – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Rexhina Merlika – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, Etleva Temo – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, Nafije Curri – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, Gentiana Muça – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe vlerësimi “mirë” për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, Ahmet Jangulli.