Arsyet që u hodhën në rrugë 8 mijë punonjës të Telekomit pas privatizimit

1048
Sigal

Intervista/Flet Ylli Ballta, Kryetari i Federatës së Sindikatës së Post-Telekomit të Shqipërisë

Rreth 8 mijë punonjës të Albtelecom-it janë penalizuar nga letrat me vlerë dhe nuk kanë marrë pjesën që u takon edhe pasi kanë kaluar disa vite nga privatizimi. Në një intervistë për “Telegraf” ka folur më shumë në lidhje me këto probleme i Federatës së Sindikatës së Post-Telekomit të Shqipërisë ,Ylli Ballta. Sipas tij, janë rreth tetë mijë persona që kanë letrat me vlerë, por nuk i kanë marrë akoma për shkak të një marrëveshje që është bërë për nja afat 5- vjeçar. Ai  theksoi se: “Qeveria shqiptare shkeli një ligj, që nuk ju dha punonjësve fitim nga suksesi i privatizimit”.

 -Zoti Ballta, çfarë po bëhet me punonjësit të Albtelecom-it që kanë letra me vlerë?

Jemi interesuar sepse është një numër i madh punonjësish që kanë letra me vlerë dhe që i kanë paraqitur letrat me vlerë. Dhe të gjithë janë të shqetësuar sepse nuk po jepet nga fitimi i Albtelekomit pjesa që i takon. Në lidhje me këtë ne jemi interesuar pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe na është thënë që Telekomi shqiptar ka marrë një kredi nga Banka Europiane për Zhvillim me kusht që për 5 vjet të mos jepte asgjë nga fitimi. Kështu që tre vjet kanë kaluar duhen edhe dy vjet të tjera dhe pastaj do të ecet sipas ligjeve që ka shteti shqiptar. Në këtë pikë ka humbur edhe posta shqiptare që duhet të merrte 3 %. Kjo është e gjithë arsyeja sepse ne jemi të shqetësuar. Pasi është bërë kjo marrëveshje që ka marrë kredinë Albtelekomi dhe i kanë thënë që nuk do të japësh asnjë lloj shtese pa u mbushur pesëvjeçari i marrëveshjes që kanë bërë. Kjo na ka dëmtuar të gjithë personat që duhet të përfitonin nga letrat me vlerë.

 -Sa është numri i punonjësve që përfitojnë nga letrat me vlerë?

Është një numër i konsiderueshëm prej afro 8 mijë vetash. Kjo është një arsye që ne kemi ngulmuar, dihet që Telekomi është një kompani që merr shumë fitime. Po ashtu kjo kompani ka bërë dhe mjaft shkurtime të numrit të punonjësve. Ne jemi të kapur në vështirësi financiare mjaft të mëdha për të gjithë pasi prisnim që të merrnim fitime nga privatizimi. Po marr shembull një kompani tjetër celularë në momentin që u privatizua dha goxha shpërblime të majme për punonjësit kur u privatizua. Ndërkohë që ne jo vetëm nuk u shpërblyem kur u privatizua por nuk morëm as 12 pagat shpërblim për çdo punonjës.

 -A nuk ka ndonjë rrugë zgjidhje tjetër për punonjësit në mënyrë që të marrim pjesën që u takon, a keni kërkuar?

-Jo nuk ka asnjë zgjidhje, ne e kemi parë dhe këtë mundësi. Është bërë një kontratë dhe duhet të plotësohen kushtet e kësaj kontrate. Po ashtu nuk besoj që i futet njeri në rrugë gjyqësore kësaj çështjeje në këtë kohë të vështirë financiare.

 -Duke qenë kryetar i Federatës së  Sindikatës jeni më në brendësi të probleme. Çfarë problemesh kanë tjetër punonjësit?

Kjo është një ndër problemet më të mëdha dhe më shqetësuese për punonjësit. Pasi siç e thashë është një numër i madh prej afro tetë mijë punonjësish që presin për të përfituar nga privatizimi. Pasi atyre edhe me ligj u ishte caktuar që do të përfitonin nga 1 deri në 12 paga, dhe deri në pikën finale që na u tha që do jepej dhe në fund u anulua.

 -Me çfarë pretendimi u anulua kjo përderisa ishte e parashikuar edhe me ligj?

Me asnjë lloj pretendimi. Qeveria shqiptare shkeli një ligj, që nuk ju dha punonjësve fitim nga suksesi i privatizimit. Dhe për mendimin tonë Telekomi u shit mjaft lirë dhe megjithatë këta punonjës duhet të merrni shpërblimin e këtyre njëzet viteve të fundit tranzicion. Dhe shifra në përputhje me fitimet që merren do të ishte një shifër interesante. Prandaj ishim të shqetësuar dhe për këtë ministria na tha që edhe ne si shtet jemi të zënë ngushtë me këtë. Për këtë duhet të presim edhe dy vite të tjera për të marrë pjesën që ju takon punonjësve.

 -Sot pasi kanë kaluar disa vite nga privatizimi, a mund të na thoni shkurtimisht se çfarë gjërash solli më shumë ky privatizim, pozitive apo negative?

-Ne mund të bëjmë një paralelizëm të Postës Shqiptare që nuk është privatizuar dhe Albtelekomit që është privatizuar. E para shtoi numrin e punonjësve nga 2000 e bëri në 2600 dhe në zyrat e saj shërbimi është tepër i kualifikuar. Ndërsa Telekomi nga 1500 ka zbritur në 1000 veta, nuk është zbatuar kriteri i aftësisë dhe përkushtimit.

 -Për pak ditë festohet 100- vjetori i Post-Telekomit, si do e përshkruanit rrugën e gjatë që është bërë në një shekull?

Po në datën 5 dhjetor mbushen 100 vjet nga krijimi i Post –Telekomit. Por ne do të zhvillojmë në shtëpinë e ushtrisë në datën 3 dhjetor ditën e diel meqenëse janë pushim edhe punonjësit një takim me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe më po ashtu edhe me rastin e krijimit të Post-Telekomit. Pasi pas shpalljes së Pavarësisë ishin si dy duar të zgjatura të të njëjtit trup për të dhënë mesazhin e zhvillimit dhe prosperitetit. Në këtë përvjetor ne jemi krenar dhe do të shpërndajmë dhe diploma mirënjohje për inxhinierë, intelektualë etj..