Gjyqtarët e Lartë “të përkohshëm”/ Gafa që zbulon paaftësinë e KLGJ

524
Sigal

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mundua të gjejë një zgjidhje për kolapsin në Gjykatën e Lartë, duke caktuar 2 anëtarë të përkohshëm nga gjykatat e Apelit. Por, ndërkohë që KLGJ krijoi një hapësirë në aspektin menaxherial dhe të pa mbështetur ligjërisht, nuk ka menduar aspak për anën proceduriale.

Në mbledhjen e të Premtes së kësaj jave, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që të caktojë gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda, Albana Boksi dhe Sokol Binaj, për të “luajtur” rolin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.Dy të përzgjedhurit, së bashku me anëtarin e vetëm të mbetur në detyrë të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, do të përbëjnë treshen gjyqësore që do të shqyrtojnë disa raste urgjente ekstradimi.

Por, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka parashikuar, në vendimmarrjen e tij, se çfarë do të ndodhë nëse një prej palëve në çështjet që do të shqyrtojë kjo “trupë e përkohshme”, do të kërkojë përjashtimin e një gjyqtari ose edhe të të gjithë trupës gjyqësore.

Neni 21 i Kodit të Procedurës Penale parashikon, ndër të tjera se “Për kërkesën e përjashtimit të një gjyqtari të Gjykatës së Lartë vendos një kolegj i kësaj gjykate, i ndryshëm nga ai të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet. Vendimi është i formës së prerë”.

Pra, ligji procedurial e ka parashikuar qartë që kërkesën për përjashtim të një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, e shqyrton një treshe tjetër gjykuese.Por, edhe pas ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor për caktimin e “përkohshëm” të dy gjyqtarëve të Apelit në Gjykatën e Lartë, ngërçi procedurial nuk zgjidhet. Pra, të paktën me vendimin e parë “të rëndësishëm”, Këshilli i Lartë Gjyqësor dështoi për të dhënë një zgjidhje të plotë.

Sipas ligjit procedurial, një kërkesë e mundshme për përjashtimin e një gjyqtari të lartë “aktual”, do të duhet të shqyrtohet nga një treshe tjetër e po asaj gjykate.Por, Gjykata e Lartë, me “ndërhyrjen” e KLGJ-së, tashmë ka vetëm 3 anëtarë, Dvoranin me mandat të përfunduar dhe Binaj e Boksin me mandat të përkohshëm.

E, në këtë mënyrë, trupa e përzgjedhur për të menaxhuar sistemin gjyqësor, ka “harruar” që krahas emërimeve/transferimeve/caktimeve të gjyqtarë, ka për detyrë që të parashikojë edhe problemet proceduriale.

Natyrisht, zgjidhje ka, por “harresa” e KLGJ-së shtyn në kohë shqyrtimet e rasteve në Gjykatën e Lartë.Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që anëtarë “të përkohshëm” të Gjykatës së Lartë mund të zgjidhen gjyqtarët e Apelit që kanë karrierë mbi 13 vjet në gjyqësor dhe të kenë kaluar vetingun.

Këto kushte i përmbushin të paktën 5 gjyqtarë, siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”. Por, KLGJ, në kushte urgjente, vendosi të caktojë vetëm dy prej tyre, duke i krijuar mundësitë vetes që të gjendet në siklet përballë një kërkese të mundshme nga palët për përjashtimin e gjyqtarëve “aktualë” të Gjykatës së Lartë.boldnews.al