Gjykata Kushtetuese, “peng” i paktit të detit me Greqinë

563
Gjykata Kushtetuese, “peng” i marrëveshjes së detit me Greqinë
Presidenti i Republikës deklaron se nuk i është kërkuar autorizimi nga qeveria për paktin me Athinën, ndërsa Kushtetuesja ka mbetur me 5 anëtarë. Si po shtyhet plotësimi i vendeve për të evituar një ankesë ndaj “mirëkuptimit” Bushati-Kocias 
Gjykata Kushtetuese vazhdon të jetë e paralizuar, ndërsa tashmë kanë mbetur në detyrë vetëm 5 anëtarë të saj. Nga 9 gjyqtarë kushtetues, 4 prej tyre kanë mbaruar mandatin ose janë larguar, duke bërë që Gjykata Kushtetuese ta ketë të vështirë të marrë vendime. Në këtë situatë, një detaj interesant i është shtuar debatit mbi marrëveshjen e ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëveshja e re që po negociohet mes palëve, edhe pas dy takimeve Kocias-Bushati në Kretë e Korçë, ende nuk ka një autorizim nga Presidenti i Republikës, duke rrezikuar shumë kushtetutshmërinë e saj. Megjithatë, në kushtet aktuale, edhe nëse marrëveshja firmoset, do të jetë e vështirë që ajo të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ka akuzuar qeverinë se po bllokon qëllimisht plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese për të evituar ngecjen e marrëveshjes së re të detit. “Rama i ka shitur territorin e Shqipërisë‎ grekëve! Tregtari i kufijve ka bërë marrëveshje në fshehtësi dhe në shkelje të Kushtetutës. Askush nuk di çfarë interesi tjetër kombëtar ka tregtuar për pushtetin e tij”, shprehet Bylykbashi. Sipas organi i lartë vendimmarrës është i bllokuar. “‎Gjykata Kushtetuese është në kolaps. Nuk merr dot vendime. Nga 9 anëtarë, vetëm 5 janë sot në detyrë me mandat të plotë. Rama po bllokon zëvendësimin e vendeve bosh. ‎A mos vallë Rama e bllokon Gjykatën Kushtetuese, që në këtë Rrëmujë të Drejtësisë të bëjë fakt të kryer shitjen e detit dhe Gjykata të mos e anulojë marrëveshjen?”, shprehet Bylykbashi. Sipas tij, sa herë Rama bën ndonjë zullum e quan reformë. “Shihni kur ta quajë këtë Reforma e Detit. Kësaj radhe, ata që do duartrokasin do të jenë në Athinë”, tha deputeti demokrat.

Meta: Nuk është firmosur plotfuqia 
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka dhënë ende autorizimin për qeverinë për të firmosur një marrëveshje me Greqinë lidhur me ndarjen e kufirit detar. Kur Shqipëria dhe Greqia, siç kanë deklaruar të dy qeveritë në Tiranë dhe Athinë, janë shumë pranë hartimit të një marrëveshje të re për kufirin detar, burime në presidencën e Shqipërisë i thanë medias se Kreu i Shtetit nuk ka dhënë lejen, procedurë e detyrueshme me vendim të Gjykatës Kushtetueses. Një marrëveshje e arritur pa marrë më parë autorizimin e presidentit Meta do të ishte e pavlerë, si ajo e vitit 2009, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë qeveria dhe Ministria e Jashtme kanë bërë të ditur se bisedimet po bëhen mbi parime dhe jo mbi harta. Burime nga Presidenca në Tiranë sqaruan se Kreu i Shtetit nuk e ka dhënë plotfuqinë për ekipin negociator shqiptar, që të bisedojë për këtë me palën greke, pasi askush nuk e ka kërkuar. Kërkesa duhet të bëhet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, para se ekspertët të ulen në tryezën mbi hartat për të piketuar kufijtë detarë. Por nga Ministria e Jashtme thuhet se plotfuqishmëria nevojitet vetëm kur ekipet e të nisë puna me hartën, ndërkohë që aktualisht, bisedimet e ministrave të Jashtëm, Bushati-Kocias dhe stafeve të tyre janë zhvilluar vetëm në nivel politik dhe diplomatik dhe mbi parimet në të cilat do bazohen marrëveshjet që do të hartohen. Në rastin e kufirit detar, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve. 

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, e cila rrëzoi marrëveshjen e parë të detit të firmosur nga qeveria “Berisha” në vitin 2009, Ministria e Jashtme duhet të vinte në dijeni Presidentin e asaj kohe dhe të merrte lejen. Pas atij vendimi, kjo procedurë është e detyrueshme dhe mosrespektimi rrezikon marrëveshja e re. E gjitha kjo po ndodh, ndërsa është lajmëruar vizita e kryeministrit grek Cipras në Tiranë në mes të muajit prill, e cila do shoqërohet edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sigal