Gjykata Kushtetuese në 30 vite, sfidat e demokracisë dhe retorika politike

Presidenti i Republikës Prof.Dr.Bajram Begaj: Gjykata Kushtetuese është kurora e demokracisë, ‘Rojtarja e Paqes Sociale’ dhe gur themeli në ndërtimin e Shtetit të së Drejtës.Vitore Tusha: Politika kërkon të ndërhyjë në vendimet e saj. Ambasadorja e SHBA Yuri Kim: Koha e telefonatave ka mbaruar, keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijve. Mjaftë më!

 

Sigal

 Presidenti Bajram Begaj: GJK, gur themeli në ndërtimin e shtetit të së drejtës

Reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese.

Në 30 vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është zhvilluar një konferencë në të cilën mori pjesë edhe Shkëlqesia e Tij, Prof. Dr. Presidenti Bajram Begaj. Në fjalën e tij përshëndetëse Begaj në prani të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Kryeministrit, Edi Rama, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si dhe të ambasadorëve dhe të të ftuarve e pjesëmarrësve theksoi se transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësi. “Ndryshimet e viteve ’90 dhe kthesa e madhe drejt demokracisë, sollën nevojën për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. 30 vjet nuk janë shumë në konsolidimin e një institucioni kyç për rendin demokratik të një vendi, por nuk janë edhe pak.  Një vend, që linte pas një të shkuar diktatoriale, me institucione të kontrolluara tërësisht nga partia-shtet, në këtë rrugëtim të ri nuk kishte si të mos përballej me sfida të shumta. Konceptet themelore të funksionimit të institucioneve në demokraci, si ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, paanshmëria e drejtësisë, mund të duken të thjeshta në planin njerëzor intelektual, por zbatimi i tyre ishte dhe mbetet kompleks.  Ai përfshin jo vetëm reformim të kuadrit kushtetues dhe ligjor, të shumë institucioneve, por edhe mendësi të re, formim të ri profesional e intelektual të shumë aktorëve institucionalë e shoqërorë, brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë.

 Transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësi.

Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështje të natyrave të ndryshme dhe është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira. Emra të shquar të jurisprudencës shqiptare kanë qenë pjesë e këtij institucioni dhe kanë hedhur themelet e drejtësisë kushtetuese në vendin tonë. Sot është dita më e mirë për të shprehur vlerësimet më të larta për të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e kësaj Gjykate ndër vite, që kanë punuar me përkushtim për të ndërtuar një Gjykatë me autoritet, e ngjashme me gjykatat homologe në Evropë. Është dita e duhur për të mbështetur trupën e Gjykatës, në punën e tyre për të garantuar që pushteti ushtrohet gjithnjë brenda legjitimitetit kushtetues dhe që interesi publik është i mbrojtur në çdo rast. Besoj se do të diskutoni gjerësisht sot, për çka ka ecur mirë dhe për vështirësitë, për sa është mbështetur dhe mundësuar pavarësia e kësaj Gjykate në veprimtarinë e saj. Ndryshimet e herëpashershme ligjore, në këto 30 vite, e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave e funksionimit normal. Reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese. Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik. Zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv.

 Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cenim, nga asnjë degë e pushtetit.

Lejimi i ankimit individual ndaj çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, rrit kontrollin mbi kushtetutshmërinë e akteve dhe ofron mbrojtje më të madhe të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara në Kushtetutë. Transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese. Funksionimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës është një kusht i panegociueshëm për objektivin tonë të pandryshueshëm: anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Agjenda e Integrimit,  veçanërisht pas hapjes së negociatave për anëtarësim, shton detyrat për të gjithë institucionet e vendit. Raporti i Progresit, i publikuar ditë më parë, ka vlerësuar progresin në institucionet e reja të drejtësisë, por ka vënë në dukje edhe problematikat, që kanë cënuar eficensën e sistemit gjyqësor. Raporti bën thirrje për përmirësim të ritmit të procedurave të Vettingut, pa dëmtuar cilësinë e procesit, si dhe rritje të eficensës dhe transparencës në gjykata dhe prokurori. Zhvillimi i jurisprudencës kushtetuese sipas praktikave më të mira, bashkëpunimi me institucionet homologe në Evropë dhe Amerikë, janë me rëndësi për konsolidimin e autoritetit të Gjykatës dhe forcimin e pavarësisë së saj. Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet të plotë, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cënim, nga asnjë degë e pushtetit. Ajo që nuk duhet të harroni sa herë gjendeni përballë një vendimmarrje, të lehtë apo të vështirë, është që Gjykata Kushtetuese është Kurora e Demokracisë së një vendi dhe Rojtarja e Paqes Sociale! Unë jam i bindur në profesionalizmin dhe vullnetin tuaj për të qenë mbrojtës të paanshëm të interesave më të mira të vendit, të individit, dhe garantë të rendit demokratik, juridik dhe kushtetues.” Presidenti Begaj përfundoi fjalën e tij duke i ururar suksese anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Begaj merr pjesë në kremtimin e 30-vjetorit të partneritetit mes USAID-it dhe Shqipërisë

 Presidenti i Republikës Shkëlqesia e Tij Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 30-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë dhe USAID-it, një bashkëpunim që ka prekur shumë fusha duke zhvilluar kapacitetet, mbështetur demokratizimin e vendit, si dhe duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjatë ceremonisë, Presidenti Begaj nderoi Zyrën e USAID-it në Shqipëri me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” me motivacionin “Për kontributin e vyer përmes programeve në shërbim të shtetit, kombit dhe qytetarëve, për konsolidimin e institucioneve demokratike, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqeverisjen”.  Kreu i Shtetit theksoi se “projektet në ndihmë të qeverisjes vendore për përmirësimin e shërbimeve apo për administrimin e gjykatave rritën efektivitetin dhe lehtësuan jetën e qytetarëve. Mbështetja e USAID mundësoi angazhim më të madh të aktorëve shoqërorë dhe fuqizim të tyre si avokatë të interesit publik”, u shpreh Presidenti Begaj.

Rama përplaset me Yuri Kim, braktis sallën kur ajo merr fjalën

 Kryeministri sulmon diplomatët e huaj: Mos reagoni për vendimet e gjykatave Ambasadorja e SHBA: Keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve. Mjaft më!

Kryeministri Edi Rama braktisi sallën ku po mbahej një konferencë me rastin e 30-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, në momentin kur ambasadorja amerikane, Yuri Kim po merrte fjalën. Rama mbaroi fjalën e tij dhe më pas u largua me shpejtësi, teksa u lajmërua se ai kishte një impenjim. Gjatë fjalës së Tij, Rama tha se diplomatët e huaj në Shqipëri kanë luksin ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, por pa përmendur askënd nga ambasadorët me emër. “Kemi përballë dhe sytë e diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala te drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj. Madje kanë dhe një luks të veçantë që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave çka për mua nuk është hiç e këshillueshme lëre pastaj e imitueshme. Një fjalim përgëzues dhe linear mbetet në kufijtë e të pamundurës. Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve, që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu dhe këtij kurthi do t’i shmangem”, u shpreh kryeministri. Rama braktisi sallën kur fjalën e mori Yuri Kim. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fjalën e saj në 30-vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese, u shpreh qartë se koha e atyre “që duan ta zvarrisin në të kaluarën Shqipërinë”, ka kaluar tashmë “Të gjithë ata që duan ta zvarrisin në të kaluarën Shqipërinë, ju them “Mjaft, koha juaj ka ikur”. Koha e telefonatave, dhuratave dhe kërcënimeve ka mbaruar. I keni shijuar privilegjet, keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Kjo kohë ka përfunduar tashmë”, tha Kim në fjalën e saj.