Rikthehen “Lulëkuqet mbi mure”/ Neglizhencë, paaftësi e efektivëve apo mizori? Institucionet qëndrime kontradiktore për vdekjen e Lear Kurtit

‘Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.’- njoftoi AMP. Mirëpo, spitali i Traumës ka deklaruar se i riu ka mbërritur në spital i pajetë.

Policia e Shtetit i merr jetën “lulëkuqes mbi mure”, neglizhencë, paaftësi e efektivëve apo mizori? Institucionet qëndrime kontradiktore

32-vjeçari Lear Kurti gjeti vdekjen në duart e efektivëve të Policisë së Shtetit pasi u arrestua në një nga rrugët e kryeqytetit, pikërisht në zonën e Don Boskos. Por vdekja e të riut ngre shumë pikëpyetje. Nga informacionet që u transmetuan nga Policia dhe media 32-vjeçari ishte në shkelje të ligjit. Lear Kurti ishte nën shoqërinë e një personi tjetër, atë të Zyhdi Spahiut, e me të parë të policisë, janë ndarë. Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, Leari zgjodhi të largohej me vrap. Shpërndarja e lëndëve narkotike është një ndër krimet më të rënda që e ka efektin direkt në shoqëri. Shumë familje po shkatërrohen pasi të rinj të cilët mund të sigurojnë kaq lehtë lëndët narkotike kthehen në të përdorues e deri në të varur. Në përpjekje për t’ja hedhur drejtësisë, i riu Kurti ka gëlltitur lëndën narkotike që posedonte. Një veprim ky që kryhet shpesh nga kriminelët me qëllim për t’i shpëtuar arrestimit. Por diçka ka shkuar keq, qesja plastike në të cilën mbahet lënda narkotike është çarë dhe ka përfunduar menjëherë në organizmin e 32-vjeçarit. Lear Kurti është shtangur menjëherë dhe brenda 30 minutash ka ndërruar jetë. Dyshohet se shkak për vdekjen është bërë overdoza. Ekspertiza Mjeko-Ligjore deklaroi se në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa centimetra, viktima ka gëlltitur lëndën narkotike. Substanca është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokainë apo jo. Gjithashtu ekspertiza shprehet se në stomakun e 32-vjeçarit ka shenja hemorragjie. ‘Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.’- njoftoi AMP në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Mirëpo, spitali i Traumës ka deklaruar se i riu ka mbërritur në spital i pajetë. “Në raste të tilla spitali Universitar i Traumës njofton Morgun Tiranë dhe më pas procedura për ekspertizën mjekoligjore ndiqet prej tyre,” thuhej në njoftim. Sipas efektivëve Kurti ka nisur të dridhet sapo ka hyrë në komisariat dhe në këtë moment efektivët e pranishëm janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë dhe kanë njoftuar shërbimin e urgjencës. Prania e tij në ambientet e komisariatit nr.3 nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta. 5 minutat e pritjes në Korridorin e Komisariatit nr.3 tregojnë të riun që është në gjendje të rëndë shëndetësore teksa dridhet dhe i dalin sekrecione nga goja. Varianti policor, tregon se Lear Kurti vuante nga epilepsia. Në këtë moment nis edhe shkelja proceduriale nga ana e efektivëve të Policisë që nuk kanë pritur shërbimin e urgjencës, por e kanë transportuar atë me makinën e policisë. Në fakt, procedura policore kërkon që në çdo rast, efektivët të bëjnë njoftimin e nevojshëm tek salla operative për të marrë shërbimin ambulator dhe njësoj si në rast aksidentesh, edhe në të tilla raste të presin mbërritjen e ambulancës dhe të bëjnë dërgimin e të ndaluarit në spital për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset personit nga transporti jo i duhur. Kurti është çuar në spitalin e Traumës ku edhe në këtë rast kemi një ndryshim në qëndrim mes dy institucioneve. Ajo që akoma nuk dihet është vendi ku vdiq i riu? A vdiq Lear Kurti në spital, rrugës për në spital apo në Komisariatin e Policisë nr.3? Babai i Lear Kurtit, Artur Isai tregon se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues. Ai e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen, ndërsa tani e kërkonte nëpër dyert e morgut për t’i parë trupin. Ndërsa deri më tani Kurti nuk ishte i njohur mediatikisht, por i riu është përshkruar si një person me probleme shëndetësore, që vuan nga epilepsia, një version ky i kundërshtuar fort nga babai që thotë se “djali ka qenë 2 metra si luan”. Profilizimi vijon më tej duke e përshkruar si mikun e një nga personazheve të errët të botës së krimit në Tiranë dhe përdorues të narkotikëve. Por sërish, mungon një deklaratë e plotë ku të mësohet arsyeja e ndalimit dhe ajo e vdekjes së të riut.

Sigal