Kolegji arsyeton ndër të tjera, që subjekti konkret legjitimimohet t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke pretenduar se akti administrativ individual që ka dalë në zbatim të aktit nënligjor normativ të paligjshëm, cënon të drejtat e tij.
Raportim për vendimet e fundit nga KAGJL. Kolegji Administrativ i GJL në Vendimin Nr.307, datë 16.09.2022, u shpreh se “Vetëm shoqatat dhe grupet e interesit gëzojnë legjitimitet aktiv për të kundërshtuar në mënyrë abstrakte aktin normativ nënligjor në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi normat e sjelljes që parashikon akti normativ nuk iu drejtohen drejtpërdrejtë subjekteve të identifikueshëm, por një grupimi subjektesh.”
Precedenti: Pala paditëse, e cila ushtronte një aktivitet tregtar me objekt ndër të tjera dhe prodhimet piroteknike, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar anulimin e pikës 2 të urdhërit të dalë për ndalimin e prodhimit/importit/eksportit të substancave piroteknike dhe fishekzjarreve, të cilët përmbajnë një grup lëndësh kimike të caktuar, me pretendimin se është në kompetencë të Këshillit të Ministrave e jo Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme ndalimi i tyre. Nisur nga fakti që Gjykata Administrative e Apelit i ka gjetur të pabazuara pretendimet e palës paditëse, kjo e fundit ka rekursuar vendimin e ka kërkuar prishjen e vendimit.
Vlerësimi i Gjykatës: Kolegji Administrativ i GJL. ka çmuar se paditësi nuk ka legjitimitet aktiv formal-procedurial për të goditur aktin normativ nënligjor objekt padie, pasi normat e sjelljes që parashikon akti normativ nuk i drejtohen drejtpërdrejtë subjekteve të identifikueshme, por një grupi kolektiv, të cilët tërheqin interesa të përbashkëta, e për rrjedhojë Gjykata Administrative e Apelit duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit. Kolegji arsyeton ndër të tjera, që subjekti konkret legjitimimohet t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke pretenduar se akti administrativ individual që ka dalë në zbatim të aktit nënligjor normativ të paligjshëm, cënon të drejtat e tij. Nëpërmjet gjykimit incidental, është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, e cila nëse çmon se një akt normativ nuk ka dalë në zbatim të ligjit, e konstaton këtë fakt në arsyetimin e vendimit të saj, e në funksion të gjykimit të themelit, disponon me pranimin e padisë së shfuqizimit të aktit administrativ individual. Court Reporter:Stelina Bilali




















