Avokati i njohur Genc Gjokutaj e quajti tragji-komike zhdukjen e provave nga SPAK në hetimet për aferën e sterilizimit. Avokati ngriti pikëpyetje të dielën gjatë një reagimi për një studio televizive lidhur me pritshmërinë që kanë qytetarët se a do të jenë pas hekurave personat përgjegjës të përfshirë në gjithë këto skandale? “Të mos hetuarit ministrin Beqaj është një e metë e madhe e këtij hetimi. Nuk është problemi të hapet një çështje e të arrestohen disa persona. Dy janë shtyllat në të cilën mbështetet një proces i shëndoshë nga pikëpamja procedurale hetimore. E para: të individualizojë drejt përgjegjësinë penale të personave përgjegjës, jo të ndihmësve dhe atyre që kanë dijeni dhe e dyta: kryerja e atyre veprimeve procedurale të cilat menjëherë pas konstatimit të kësaj vepre penale të ndërpresë kreditimin, të ndërpresë financimin e atyre aferave, të cilat janë mbështetur mbi akte korruptive dhe që paratë që kreditohen nga taksapaguesit shqiptarë nuk shkojnë në benefit të atyre investimeve, por shkojnë në interesa të tjera, në xhepat e zyrtarëve apo personave, të cilat i kanë përfituar. Dëmi më i madh nuk është dëmi kohor sesa është dëmi në drejtim të hetimit objektiv të çështjes dhe zhdukjes së provave. Ja ku ka dalë lajmi nga SPAK-u që menjëherë pasi u arrestuan këta persona, qoftë edhe me vonesë, SPAK-u del dhe bën të ditur që mungon kontrata e këtij konçensionari. Gjëja më alarmante që mund të ndodhë. Kjo është pjesa më groteske, dhe tragjike dhe komike ta thuash, sepse SPAK si struktura e posaçme më e trajnuar në hetim të bëjë këtë gabim me dashje do ta quaja e të mos sekuestrohej kontrata! Ne nuk kemi nevojë nga SPAK të na tregojë dështimet e tij. Publiku do të dijë që personat përgjegjës tashmë nuk mund të shpëtojnë përgjegjësisë penale dhe teknikalitetet e çështjet juridike njerëzit as nuk kanë interes e as t’i kuptojnë e t’i perceptojnë. Kështu që njerëzit duan të dinë kush vjedh a përfundon në burg dhe paratë që janë dhënë për këtë punë a mund të kthehen mbrapsht?’ Ose të paktën të ndalohet financimi i aferave korruptive në momentin që ato konstatohen nga SPAK.” – tha Gjokutaj.



















