GJKKO kritikoi SPAK/ Për mungesë hetimesh: Ilir Beqaj personi kyç i aferës së koncesionit të sterilizmit i shpëtoi akuzës për korrupsion,

16
Sigal

 

Gjykata e cilëson Ilir Beqajn si personin kyç në këtë koncesion, e si personin e lidhur me biznesmenët që fituan koncesionin. Për këtë, Gjykata rendit, udhëtimet, komunikimet dhe vizitat që zyrtarët e Ministrisë, Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kishin kryer me Ilir Rrapajn dhe biznesmenët italianë.

 Gjykata e cilëson ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj si personin kyç në aferën e koncesionit të sterilizimit. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, renditen edhe të gjitha shkeljet e kryera nga Ilir Beqaj si personi kyç, ku vetëm nga kontrata fillestare e këtij koncesioni dëmi llogaritet në 90 milionë euro, por sipas kësaj gjykate, ky dëm është shumë herë më i madh dhe i pamundur të përcaktohet për shkak të shkeljeve të rënda në këtë kontratë.Duke analizuar të dhënat, gjyqtari Erion Bani thekson se koncesioni është realizuar në një kohë kur QSUT kishte mundësinë e kryerjes së sterilizimit me një faturë prej 10 milionë eurosh në 10 vite, ndërkohë që u realizua një kontratë e panevojshme me vlerë 100 milionë euro. Sipas vendimit, Ilir Beqaj ishte vënë në dijeni nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, për ekzistencën e kapaciteteve, por nuk u vunë në punë qëllimisht që të kryhej kjo procedurë koncesioni me dëm ekonomik 90 milionë euro.

Gjykata thekson më tej, se për të përfituar kompania koncesionare, Komisioni I urdhëruar nga Ilir Beqja, fshehu të dhënat për sasinë e mjetev që duhej sterilizuar, duke I hapu rrugë kostove shtesë që duhet të paguante shteti ndër vite. Gjykata konstaton se me studimin e fizbilitetit të kryer po nga kompania që fitoi koncesionin, u fry qëllimisht kostoja duke përfshirë në koncesion edhe koston e barnave, të cilat nuk ishin pjesë e shërbimit.

GJKKO: “Të dhënat e pasqyrave financiare nuk janë përshkruar dhe analizuar në studimin e fizibilitetit. Pra në krahasuesin e sektorit publik është fryrë në mënyrë fiktive kostoja e sterilizimit në masën 56.4%. Në përllogaritjen e ndërhyrjeve kirurgjikale sipas kësaj tabele, në total janë rreth 63 mijë ndërhyrje dhe jo 50 mijë ndërhyrje, siç përmëndet nga komisioni i procedurës për dhënien e Konçensionit, në referencën e ndërhyrjeve për vitin 2013.

Në këtë krahasim të bërë të shërbimit për vitin 2013 mbi koston në QSUT, është futur vlera 283, 287, 370 lekë, që rezulton se janë barna dhe materiale mjekësore, që nuk përfshihen në shërbimin e dhënë me konçension.”

Gjykata e cilëson Ilir Beqajn si personin kyç në këtë koncesion, e si personin e lidhur me biznesmenët që fituan koncesionin. Për këtë, Gjykata rendit, udhëtimet, komunikimet dhe vizitat që zyrtarët e Ministrisë, Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kishin kryer me Ilir Rrapajn dhe biznesmenët italianë.

Pas këtyre takimeve, sipas Gjykatës është bërë edhe plani për marrjen e koncesionit. Sipas Gjykatës kjo lidhje faktohet se kompania italiane “Servizi Italia Spa”, ishte në dijeni të këtij koncesioni, në një kohë që ky konçesion nuk ishte bërë publik as si ide. Por ndërsa Ministria e Shëndetësisë, nuk kishte bërë ende një plan të tillë, në Itali kjo kompani kishte marrë dijeni e madje, në mbledhjen e Bordit, kishte diskutuar për krijimin e një kompanie në Shqipëri, që më pas do të përfshihej në këtë koncesion, që deri në atë kohë nuk ekzistonte as në letra.

Fill pas kësaj mbledhjeje, muratori Ilir Rrapaj krijoi kompaninë me një të punësuar, që më pas rezultoi edhe fituese e konçensionit 100 milionë, siç ishte diskutuar në mbledhjen e Bordit të kompanisë italiane. Por jo vetë, kaq, sipas Gjykatës Ilir Beqaj ësshë angazhuar, si autoriteti kompetent për finalizimin e çdo procedure, e madje është përcjellësi i dokumenteve në ministrinë e Financave, ku edhe këtu ngrihet një tjetër pikëpyetje.

Shkëlqim Cani fillimisht refuzoi që t’i hapte dritën jeshile këtij koncesioni, por një muaj më pas ndryshoi mendim e këtu gjykata ngre pikëpyetjet e radhës.

Një tjetër episod ku Gjykata sheh Ilir Beqajn si përgjegjës të drejtpërdrejt për këtë aferë, është lidhja e kontratës. Pas prokurimit, kompania Action Laundry sh.p.k, ankimoi tenderin. Sipas Gjykatës, Ilir Beqaj, në vend që të ngrinte komision për shqyrtimin e ankesës, urdhëroi vijimin me lidhjen e kontratës me kompaninë e miqve të tij.

Por sikur të mos mjaftonte dëmi mbi 90 milionë euro me nënshkrimin e kontratës koncesionare, Ilir Beqaj vijoi favorizimin e kompanisë, duke i vënë në dispozicion kësaj kompanie ambientet e QSUT dhe spitaleve të tjera, ndërkohë që kostoja e ambienteve ishte përcaktuar si shpenzim. E madje dëmi më i madh është shkaktuar nga furnizimi me energjinë elektrike, ku sipas  hetimeve rezulton se ajo iu ngarkua spitaleve, duke i futur në kolaps, edhe pse ky shpenzim duhej paguar po nga konçesionari

Në vendimin prej 307 faqesh, gjykata rendit edhe të gjitha kontaktet dhe komunikimet e drejtpërdrejta dhe me e-mail të Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt me biznesmenët që përfituan koncesionin.Sipas Gjykatës, nga këto prova nuk faktohet vetëm “shpërdorimi i detyrës”, “konflikti i interesit” por edhe vepra të tjera penale, ku Ilir Beqaj rezulton personi kyç që ka kryer të gjitha praktikat e koncesionit, edhe pse ishte në dijeni të dëmit financiar që po i shkaktohej shtetit dhe të gjitha shkeljeve ligjore që nga nisja e projektit me studimin e fizibilitetit dhe deri më sot, kur ky koncesionar vijon të marrë miliona euro me një faturë që vijon të fryhet për shkak të abuzimeve dhe shkeljeve të rënda ligjore.