Gjiknuri dhe Llatja: Të mos lejojmë bunkerizimin e Elbasanit! Vota më 14 Maj, garanci për të vijuar investimet madhore

94
Sigal

“Vota në 14 Maj është garanci për vazhdimin e projekteve të nisura”. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të lagjes “Visarion Xhuvani” në Elbasan.

Bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja, numri dy i socialistëve deklaroi se koha ka treguar se sa i rëndësishëm është binomi qeveri-bashki për të mos e bunkerizuar Elbasanin.

“Vota në 14 Maj është dhe garanci për vazhdimin e projekteve të nisura në Elbasan. Sa herë ndodh që e merr krahu tjetër, gjë që nuk do të ndodhë kurrë në Elbasan, por po marr rastin hipotetik për ta thjeshtuar bisedën, ndërpritet komunikimi me qeverinë. Fillon bunkerizohet bashkia e Elbasanit politikisht, ndërpriten komunikimet dhe projektet mbeten në mes. Këtë ka treguar historia e shumë viteve kur ka pasur ndryshime të pushtetit. Binomi bashki – qeveri është garanci për vazhdimin e punëve. Në fund të fundit çdo elbasanlli që mund të jetë skeptik, mund të jetë neutral, mund të ketë mendime të ndryshme politike, bëjeni kësaj radhe për interesin e zhvillimit të Elbasanit, sepse këtu po bëhen disa gjëra që do ta ndryshojnë këtë qytet”, -tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve deklaroi se investimet madhore në Elbasan do të ishin të pamundura nëse nuk do të ishte dhe mbështetja e madhe e qeverisë. “Nuk është kollaj të investosh shumë para për të bërë atë qendër të madhe, pra jo vetëm Automotoparkun, por përfshirë dhe shëtitoren më të madhe që do ketë një qytet siç është shëtitorja buzë lumit. Ajo vepër do të sjellë shumë zhvillim ekonomik, sepse do të sjellë shumë turizëm. Nuk është si ai Disneyparku që do të bëjë Luçi. Ato janë ëndrra. Bashkia do bëjë këto ndërhyrjet nëpër lagje, siç ka bërë, asfaltimet”, tha ai.