Gjergji Mero, kandidati për kryetar bashkie: Do të shlyejmë kamatëvonesat e ujit

479
Gjergji Mero, kandidati për kryetar bashkie, i Partisë Demokratike, siguroi familjet e varfëria se me ardhjen e tij në krye te bashkisë do të shlyejë për shtresat në nevojë gjithë kamatëvonesat e tarifave të prapambetura të ujit dhe ato vendore, si pastrimi, gjelbërimi etj. “Me bashkinë e re, subvencionet e bashkisë për familjet e varfra do të jenë prioritet i programit social dhe, pas 21 qershorit nuk do të ketë banor që do të prangoset pse nuk paguajnë ujin dhe dritat. Ndërkohë këto tarifa me Bashkinë e re do të ulen ndjeshëm që të mund të përballohen nga të gjithë. Kjo qeverisje e pashpirt,- theksoi Gjergji Mero në takimet e tij me zgjedhësit,- po ua merr shpirtin të varfërve”. Ishin pikërisht këto takime ku u bë i njohur fakti se familjet e varfra të qytetit të Korçës nuk po mundin të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj ujësjellësit, pasi kamatëvonesat e mbetura pa paguar për një kohë të gjatë kanë ardhur gjithnjë në rritje, duke u shndërruar kështu në shuma të mëdha lekësh të papërballueshme për këtë kategori banorësh. Tashmë varfëria ka trokitur në shumë familje të Korçës. Listat në dyqanet e ushqimeve janë shtuar ndjeshëm. Në lidhje me këtë aspekt, z. Mero, tha: “Ndjej trishtim të thellë për fletoret e ushqimeve veresi që shtohen nga dita në ditë në Korçë dhe për varfërinë që nuk mundëson ushqim normal për fëmijët e këtyre familjeve, ndaj në programin tonë, shtresat në nevojë do të jenë në fokus për punësim dhe strehim, madje strehimi i të pastrehëve në apartamentet e financuara nga Bashkia në bashkëpunim me biznesin privat, ngritja e një mence sociale, dhe e zyrës në shërbim të komuniteteve me përfaqësues nga vetë këto komunitete, janë prioritetet tona për shtresat në nevojë”. Megjithatë, lajmi për shlyerjen e kamatëvonesave të ujit nga vetë bashkia mundi të qetësojë shpirtrat e trazuar të banorëve të varfër.
Numri i debitorëve në rritje
Nuk dihet realisht sa është numri i debitorëve gjithsej, por mendohet se numri i tyre është mjaft i lartë. Mos evidentimin e numrit të debitorëve e ka vënë në dukje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimit të tij një vit më parë në Bashkinë e Korçës, ku theksonte: “Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore nuk ka ushtruar kontroll dhe nuk është evidentuar gjendja e debitorëve për abonentët familjarë. Pasi për asnjë vit nuk është kryer rakordimi me Ujësjellës Sha, Korçë, në lidhje me evidentimin e numrit të abonentëve dhe vlerat përkatëse, për taksën/tarifën e pastrimit, ndriçimit, banesave dhe gjelbërimit. Për pasojë abonentët familjarë të cilët nuk kanë paguar detyrimet e taksave dhe tarifave vendore, nuk janë vënë në dijeni për detyrimin e papaguar dhe nuk u është dërguar zyrtarisht njoftim vlerësimi tatimor, në zbatim të nenit 70, pika 3, të ligjit nr. 9920, datë 19/5/2008 “ Për Procedurat Tatimore”. Për këtë arsye, KLSH, rekomandonte: “Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore dhe Sektori i Auditit të Brendshëm të Bashkisë Korçë, të rakordojnë me Ujësjellës Sha, Korçë duke evidentuar abonentët familjarë të cilët nuk kanë paguar detyrimet, për taksën/tarifën e pastrimit, ndriçimit, banesave dhe gjelbërimit. Të hartohen listat për secilin Rajon (Njësi administrative) dhe për secilin abonent familjar debitor t’i dërgohet zyrtarisht njoftim vlerësimi tatimor”.
Frika e debitorëve
Deri më tani familjet e varfra të qytetit të Korçës kishin qëndruar në ankth, pasi siç është paralajmëruar nga Qeveria, edhe me ujin e pijshëm do të ndodhë e njëjta gjë ashtu si me energjinë elektrike. Por nëse pas ndërprerjes së energjisë elektrike, familjet e varfra vinin në përdorim qirinjtë, ndërprerjen e ujit nuk mund ta zëvendësojnë dot me asgjë tjetër, ndaj premtimi i ardhur nga Gjergji Mero po shihet si një mundësi shpëtimi nga peripecitë dhe vështirësitë që shkakton mungesa e ujit. Pagesa e detyrimeve të prapambetura në mënyrë shtrënguese do ta vështirësonte jetën e banorëve të qytetit të Korçës edhe më tepër. Ndaj duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të familjeve të varfra, Gjergji Mero tha: “Varfëria po vjen në rritje për shkak të heqjes së ndihmës sociale dhe të kempit nga qeveria qendrore dhe bashkia në këto tetë vite. 1500 familje,- tha ai,- janë të pastreha dhe shumë njerëz vuajnë për bukën e gojës, pasi janë hequr padrejtësisht nga lista e ndihmës dhe statusi i invaliditetit.
Korça me taksat më të larta
Duke ju referuar varfërisë që ka pushtuar Korçën, pagesa e kamatëvonesave me ndërprerje te ujit, do të ishte një goditje tjetër për të varfrit, gjë që shtoi edhe më shumë simpatinë ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, për premtimin që u dha. “Si mundet që këta njerëz të votojnë pushtetarët që punojnë vetëm për xhepat dhe mirëqenien e tyre, që nuk kanë hapur dyert e zyrave për t’i pritur e dëgjuar të paktën një herë në hallet e tyre. Duke dëgjuar me trishtim disa nëna e gra kryefamiljare të cilat e kanë jetën shumë të vështirë për shkak të braktisjes sociale nga Bashkia, z. Mero tha se familjet në nevojë do të jenë të parat dhe periferia do t’i kthehet normalitetit. “Për mua nevojtarët janë në fokus të çdo politike dhe programi im ka vetëm një emër, program për qytetarin” .“Korça, tha kandidati Mero, vuan taksat më të larta vendore në Republikë dhe me Bashkinë e re ne do t’i bëjmë minimale ato. Do të subvencionojmë shtresat në nevojë në pagesat e dritave dhe ujit që këto furnizime jetike të mos i mungojnë askujt. Kandidati Mero siguroi banorët se komuniteti dhe infrastruktura e periferisë do t’i nënshtrohen projekteve të fuqishme rehabilituese në mënyrë që zhvillimi urban i qytetit të bëhet integral dhe pa diskriminim. Ujin nuk do t’jua presë dot askush.
Sigal