Gentian Çala: Nuk e ka fajin akulli, por “gazda” Rama

803
Sigal

Nga Gentian Çala

Për sa kohë ishte Kryeministër në Kosovë Z. Haradinaj, duket se kishte një ftohje ndërmjet kryeqeveritarëve shqiptarë në të dy vendet, e cila filloi me historinë e ndarjes së Kosovës dhe me taksën 100% ndaj produkteve serbe. Akulli ndërmjet kryeministrave arriti kulmin me deklaratën për padi në gjykatë të KM-së Rama ndaj KM-së në detyrë Haradinaj. Duket se ndryshimet në qeverinë e Kosovës nuk shërbyen për shkrirje akujsh, sepse që në vizitën e parë të KM-së aktual të Kosovës, Z.Kurti, ftohtësia dhe kundërthëniet ishin evidente.

Përse është kjo situatë?! Fajin e mesa duket e ka “Gazda” Rama, i cili nuk po kupton ende thelbin e konfliktit shqiptaro-serb dhe metidat që po përdor për të instaluar paqen i ka jashtë kontekstit. Rama ndjek instiktin e tij, por harron sensibilitetet dhe qëndrimet e faktorit politik shqipëtar në Kosovë. Ai mendon se jeton në një botë kozmopolite, ku konflikti është thjesht një pazar i prishur që duhet ndrequr. Ndaj ai vepron si pazarxhi me Presidentin e Serbisë Vuçiç, kurse qëndrimet e të tjerëve i duken thjesht efekt anësor. Rama gabon dhe për fat të keq rrethohet nga njerëz që nuk e këshillojnë si duhet për këtë gjë.

Tendencat shqiptaromadhe janë shpikur nga serbët për të kamufluar tendecat e tyre serbomadhe. E gjitha kjo është kaq evidente, sa as fqinjësia e mirë apo dokrrat si kjo nuk e mbulojnë dot. Por, për Ramën dhe Vuçiçin ka më shumë rëndësi pushteti i tyre, se çdo konflikt ndëretnik. Ndaj i mëshuan fort Mini-Shengenit Ballkanik, si një krijesë që zgjidh hallet e tyre dhe jo ato të vendeve apo kombeve nga vijnë. Ata u investuan kaq fort sa që çdo pengesë mundoheshin ta zgjidhnin tej çdo ndijesie. Rama filloi të lexohet jo si paqesjellës, por si pazarxhi “paqeje”. Madje Rama sot nuk ngurroi të reagonte ndaj një metafore të Kryeministrit Kurti, e cila dukej se eklipsonte “kozmopolitizmin” e Ramës dhe të ashtuquajturën “Jugosllavi e Re”.

Albin Kurti erdhi në pushtet me tezën e reciprocitetit në raport me serbët, tezë e cila bie ndesh me Mini-Shengenin, ndaj akulli as nuk shkrin dhe raportet mund të vazhdojnë të jenë tendosura. Kjo situatë më duket e re dhe aspak e njohur në 30 vitet e fundit. Madje ftohja Rugova- Berisha nuk i ngjante aspak kësaj që ndodh tani. Rama mendon se “kozmopolitizmi” i tij ballkanik, i jep mbështetje te faktori euro-atlantik dhe vazhdon ti qëndrojë kësaj ideje, gjë e cila për fat të keq nuk merr në konsideratë historinë dhe as realitetin.

Një vend që e shpall veten mik me një vend tjetër, pavarësisht të shkuarës, duhet të kërkojë falje për gabimet dhe të mos punojë kundër interesave të vendit tjetër. Nëse serbët nuk janë të gatshëm as për njërën dhe as për tjetrën, atëhere çfarë kuptimi kanë projektet e përbashkëta. Është iluzive të mendosh të anasjelltën. Ndaj Rama dhe Kurti duken jo në unison kur flasin, as të qetë dhe as të ngrohtë. Konceptet e ndryshme i ndajnë, por po aq dhe interesat. Të ecësh mbi një tapet dhe të shtrëngosh duart nuk mjafton, duhet një strategji e përbashkët për ato që janë interesa kombëtare.