Gentian Çala: Kush po frikëson kë?

791
Sigal

Nga Gentian Çala

Në një shkrim të një analisti, ngrihej hipoteza se Edi Rama me OFL-në po intimidon apo po frikëson botën e krimit për ta përdorur në zgjedhjet e ardhshme. Mendja djallëzore e ngjizur me etjen për pushtet mund ta bëjë edhe këtë, por duket llogari e bërë keq. Nëse merr në shqyrtim emrat, të cilëve u janë dorëzuar formularët, kupton se shumica dërrmuese prej tyre kanë qenë të rrjeshtuar me PS-në në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017. Kjo nuk ka kuptim, por Rama i trembur nga sondazhet, kërkon garanci më të mëdha.

Përtej kësaj, kjo iniciativë duket më tepër si shfaqje që përpiqet të tjetërsojë imazhin e KM-së, tashmë mjaft të urryer për gjendjen aktuale të vendit. Ai po mundohet tu thotë shqiptarëve se mua me krimin nuk më lidh asgjë, e shikoni se çfarë po i bëj, ose, unë nuk jam i korruptuar se do të filloj ta luftoj atë. Mjaft vonë! Ai duket i frikësuar vetë dhe reagimi i tij joproporcional duket reagim në panik. Ndaj Edi Rama ndihet i frikësuar nga vetja, nga ajo që ndërtoi dhe nga ajo që perceptojnë shqiptarët për të. Për tu çliruar nga kjo frikë, ai nuk kursen askënd, as ortakët e vjetër.

Hipoteza e tretë ka të bëjë me çeljen e negociatave. Rama po ikën dhe i duhet një mbyllje elegante, ku çelja e negociatave do të ishte një arritje që do ta kujtonte gjatë. Mirëpo kjo e ka një kosto dhe ai duket gati ta paguajë. Rama e shikon gjithçka si pazar dhe ai nuk kursen njeri kur i duhet ta mbyllë një hesap. Rezultatet e prekshme kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të arrihen pa dhënë dëshmi se e ke seriozisht. Rama po shet lidhjet e tij që ta bëjë të besueshme. Deri ku mund të shkojë?! Unē besoj se nuk shkon dot larg pasi ai është në një farë mënyre peng i tyre.

Po hipoteza më e mundshme për mua është se Kryeministri Rama është i frikësuar nga Edi Rama. Po! Rama ka marrë sharrën dhe po pret degën ku qëndronte. Ajo që bëri më keq, duket të jetë pengesa më e madhe e tij në udhëtimin e mëtejshëm. Rama i sotëm po i bie me gurë Ramës së djeshëm. Kjo më duket e pamundur dhe e pabesueshme. Rama i sotëm është i frikësuar nga Rama i djeshëm. Po kjo nuk ka as kurë dhe as makiazh për ta mbuluar. Ky divorc nuk ndodh dot dhe është i pamundur. Ndaj shijoni show-n e dikujt që lufton kundër vetes dhe sistemit që ndërtoi po vetë. Ky dordolec nuk frikëson më askënd, as me syze dhe as pa syze!