“Njoha një vajzë në Tik-Tok dhe erdha ta takoja”/ Me 5 kg kokainë në Holandë, kërkohet tre vite burg për 30-vjeçarin shqiptar: S’e dija që kisha drogë në makinë

121
Sigal

Drejtësia holandeze ka kërkuar 3 vite burg për një 30-vjeçar shqiptar i cili u kap me 5 kilogramë kokainë në afërsi të Deventerit në Holandë.

30 vjeçari po drejtonte një Opel Insignia ku u ndalua nga policia dhe iu gjet 5 kg kokainë e fshehur nën kroskot. Prokuroria holandeze dyshon se shqiptari është pjesë e rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Makina që ai drejtonte rregullisht kalonte kufirin gjerman në Venlo përpara se të hynte në Belgjikë. Kur doli para gjykatës i riu shqiptar është justifikuar se ai kishte ardhur në Holandë për të takuar një vajzë që e kishte njohur në rrjetin social, në Tik-Tok. “Njoha një vazjë përmes Tik-Tokut dhe doja ta vizitoja.”

Gjithashtu, 30 vjeçari shqiptar ka bërë të ditur se ai ia kishte marrë makinën hua një të panjohuri në Gjermani, shkruajnë mediat holandeze. 

“A nuk është e çuditshme që dikush që nuk e njeh të jep hua makinën?”, pyeti gjykata të dyshuarin.

“Kjo s’është ndonjë gjë e pazakontë për ne shqiptarët kur takohesh jashtë vendit”, tha 30-vjeçari.

Megjithatë, gjykata tha se historia e tij krejt e çuditshme.

“Ju huazoni një makinë nga dikush që nuk e njihni dhe nuk ia dini emrin ose ku jeton. Kjo është një histori e çuditshme, zotëri”.

“Këtu po flasim për krime të rënda. Trafikimi i drogave të forta shpeshherë shoqërohet me flukse parave dhe dhunë”  të tepruar”, tha prokurori publik, ndërsa ka kërkuar një dënim me tre vjet burg pa kushte.

Ndërkaq, avokati i shqiptarit, Alexander Admiral i tha gjykatës se klienti i tij nuk e kishte idenë që droga ishte fshehur në makinë.

“Ai nuk e kishte idenë se kishte një hapësirë ​​të fshehur në makinën që mori hua. Klienti sigurisht që nuk e dinte që përmbante pesë kilogramë kokainë.”

Ai kërkoi lirimin e 30-vjeçarit shqiptar ndërsa iu referua vendimeve të gjykatave të tjera me raste të ngjashme.

Në makinën që drejtonte 30-vjeçari kishte një ndarje të fshehur, ku oficerët gjetën një tel. Pas hetimeve, rezultoi se ajo hapësirë ​​ishte e aksesueshme përmes një truku të atillë ku fillimisht duhej ndezur motori, më pas duhej ndezur ngrohja e xhamit të pasmë dhe më pas vendosej një magnet. Në kroskot policia gjeti pesë pako me kokainë e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte shifrën e 350 mijë eurove.

“Nëse jeni të bindur se realisht kam qenë në dijeni për drogën në makinë, ju kërkoj të mos më dënoni me tre, por me tridhjetë vjet”, është shprehur shqiptari.