Gazeta Telegraf/ Kryeparlamentari Meta takohet me zyrtarin e lartë amerikan

489
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti
Zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar
Narkotik  dhe Sundimit të Ligjit
Ambasador Alexander A. Arvizu


Gazeta Telegraf/

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti
sot Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të
Ligjit
  dhe Trafikut Ndërkombëtar
Narkotik
  dhe Ambasador Alexander A.
Arvizu, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri z. Donald Lu.

Kryetar i Kuvendit, Meta dhe Zv.Ndihmës
Sekretari i SHBA, Arvizu biseduan mbi ecurinë e reformës në drejtësi, mbi
bashkëpunimin në drejtim të sundimit të ligjit dhe për luftën kundër trafiqeve
të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta i uroi
mirëseardhjen Ambasadorit Arvizu në Tiranë dhe shprehu mirënjohjen për
mbështetjen e pakursyer amerikane në drejtim të sundimit të ligjit, luftës
kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke veçuar këtu mbështetjen në
realizimin e reformës në drejtësi përmes misionit OPDAT, puna e të cilit
vlerësohet si kyçe përgjatë gjithë etapave të reformës.

Në këtë kuadër u shpreh mirënjohja edhe
për misionet e tjerë amerikanë në Shqipëri si ICITAP, i cili kontribuon përmes
programeve trajnuese të hetimeve kriminale duke forcuar kapacitetet shqiptare në
fushën e korrupsionit, krimit transnacional dhe terrorizmit.

Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit
për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar Narkotik dhe Sundimit të Ligjit, z.
Alexander Arvizu vlerësoi miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese për
reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe në veçanti shprehu
mirënjohjen e SHBA për rolin lehtësues që Kryetari i Kuvendit Meta luajti në
fazat përmbyllëse të votimit në parlament të kësaj reforme.

Në këtë drejtim u nda bindja e
përbashkët se duhet punuar gjithnjë për formula që i shërbejnë bashkëpunimit
politik mes palëve në interes të përshpejtimit të kësaj reforme madhore të
rëndësishme për Shqipërinë.

Z. Meta theksoi se reforma në drejtësi
duhet të shoqërohet me dekriminalizimin e plotë të politikës dhe institucioneve
shqiptare, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të besueshëm politik dhe
institucional për zbatimin me efikasitet të reformimit të tërë sistemit të
drejtësisë.

Në përfundim, Kryetari Meta dhe
Ambasadori Arvizu diskutuan edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë
dhe SHBA në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike,
kundër krimit të organizuar dhe kundër të gjithë elementëve të tjerë kriminalë
që shkojnë ndesh me axhendën euro-atlantike të Shqipërisë.