Fronti i Majtë, kundër rritjes së tarifave të shkollimit

449
Sigal

Fronti i Majtë deklarohet totalisht kundër idesë së hedhur nga Qeveria për rritjen e tarifave të shkollimit për arsimin e lartë publik. Këtë masë ne e konsiderojmë në kundërshtim me të drejtën për arsimim që duhet t’u garantohet gjithë të rinjve, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike. Sistemi aktual i arsimit të lartë favorizon nxënësit më të mirë të shkollave të mesme, të cilët, në bazë të sistemit të pikëzimit, fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet publike. Në këtë mënyrë, në arsimin e lartë publik sot shkojnë më të mirët dhe jo ata që janë më mirë nga gjendja ekonomike. Arsimi i lartë publik garantohet nga buxheti i shtetit, me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe i tillë duhet të mbetet. Rritja e tarifës së shkollimit nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të kufizojë të drejtën e arsimit vetëm për shtresat e pasura të shoqërisë dhe do t’ua mohojë atë shtresave të varfra.

Fronti i Majtë shpreh mbështetjen maksimale për programet e qeverisë për forcimin e kontrollit mbi institucionet private të arsimit të lartë si dhe për programet e tjera që synojnë punësimin. Por, ne nuk mund të pranojmë idenë se çështja e punësimit zgjidhet duke kufizuar të drejtën e arsimimit.

Kryeministri Rama duhet të kuptojë se, gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit kandidatët e tij për deputetë gatuan një “çorbë” të hidhur, duke premtuar se do të punësonin qindra mijëra njerëz në tatime, dogana, polici apo institucione të tjera. Por, ata punësuan vetëm familjarët e tyre, ndërsa të tjerët i dërguan të mbushin radhët te oborri i Partisë Socialiste. Sot, Kryeministri nuk ka të drejtë të ankohet për militantët që i mbushin oborrin e partisë, as nuk është faji i atyre që kanë diploma të blera. Faji është i atyre që premtuan sa mundën për të ardhur në pushtet dhe sot përballen me pasojat. Qeveria e majtë e nisi punën, duke deklaruar se do të vendosë sistemin e konkurseve dhe meritokracisë dhe nuk ka pse trembet për turmat që i mbushin oborrin. Le t’i drejtojë ata në konkurset ku shpallen vendet e punës (në qoftë se ka) apo në panairet e punësimit dhe të mos e shkarkojë këtë barrë mbi kurrizin e sistemit arsimor. Fronti i Majtë deklarohet edhe një herë kundër cenimit të të drejtës së arsimit për gjithë shtresat në nevojë. Kjo është një tradhti kombëtare shumë herë më e rëndë se sa inflacioni i diplomave që denoncoi Kryeministri. Kjo është po aq e rëndë sa edhe kërkesa për të mbyllur disa universitete publike në qytete të tjera. Është demonstrim i paaftësisë për të kontrolluar sistemin, e triumfit të injorancës, është një masakër e inteligjencës që do të sjellë pasoja të rënda edhe në 50 vitet e ardhshme. Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për dije dhe dijen nuk do të mund të na e shesin “sa frëngu pulën” xhambazët e kapitalizmit.

Marko Dajti

Kryetari i Frontit të Majtë