Frank Shkreli: “Rasti Simon Mirakaj”, pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar

301
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“Simon Mirakaj po persekutohet për herë të dytë, 32 vite pas “rënies” së diktaturës, e cila e internoi dhe e burgosi për pothuaj një gjysëm shekulli. Sipas lajmeve, deputeti socialist, Taulant Balla pranoi kërkesën e “demokratit” Gazment Bardhit, me miratimin e “demokratit” tjetër, Enkelejd Alibeaj, për të rrëzuar kandidaturën e Simon Mirakajt si anëtar i (AIDSSH).”

Z. Simon Mirakaj duke folur me rastin e promovimit të tre vëllimeve të autorit, “Demokracia nuk pret”, 11, Shtator, 2018 në Tiranë. Uroj që Z. Mirakaj dhe mijëra ish-të përndjekur e të burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndonëse gjithnjë të përjashtuar dhe të lënë pas dore, të mos humbasin besimin në demokracinë dhe vlerat e vërteta të lirisë dhe demokracisë perëndimore.

Pa dashur të futem në hollësi se si e tek ndodhi  “rasti” Simon Mirakaj i ditëve të fundit – përfundimi është se dy “demokratë”, Gazment Bardhi e Enkelejd Alibeaj, në bashkëpunim me socialistin Taulant Balla, rrëxuan kandidaturën e Z. Simon Mirakaj si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991, (AIDSSH): me pretendimin se kandidatura e tij ishte nënshkruar nga Sali Berisha.

Siç dihet, Simon Mirakaj rrjedh nga njëra prej familjeve më të njohura dhe më të vuajturat nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Vetë Simoni ka vuajtur burgjet dhe kampet e internimit për gati një gjysëm shekulli; pothuaj rritë e plakur në internim, larg nga vendlindja e tij.

Për Simonin, vëllain e tij Sokolin dhe mbarë familjen Mirakaj, të internuar e të burgosur, në disa zona të Shqipërisë, por edhe për ata anëtarë të familjes Mirakaj të arratisur në perëndim, përfshirë babain, të parin e familjes, të ndjerin Palë Mirakaj, të cilin e kam njohur si një prej burrave më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gëzimet në jetën e tyre familjare ishin të pakTa dhe mjerimet në internim sikur nuk mbaronin kurrë.

Madje as në ditët e sotme, 30-vjet “post-komunizëm”, fatkëqësitë po e ndjekin Simonin. Duket sikur njollosja e familjes Mirakaj nga regjimi i Enver Hoxhës, po e ndjek atë edhe sot. Siç tregon edhe rasti i fundit që ka të bëjë me një rast përjashtimi politik të ditëve të fundit. Simon Mirakaj po persekutohet për herë të dytë, 32 vite pas “rënies” së diktaturës, e cila e internoi dhe e burgosi për pothuaj një gjysëm shekulli. Sipas lajmeve, deputeti socialist, Taulant Balla pranoi kërkesën e “demokratit” Gazment Bardhit, me miratimin e “demokratit” tjetër, Enkelejd Alibeaj, për të rrëzuar kandidaturën e Simon Mirakajt si anëtar i (AIDSSH).

“Ky regjim dhe këta përfaqësues të Kuvendit shqiptar e përdorën rastin e Simon Mirakës për t’u “futur lepurin në bark” të tjerëve, duke i paralajmëruar të gjithë se po të merreni me Sali Berishën, as bukë nuk do hani , duke i hedhur në rrugë të madhe, pa punë.  Do hani bar!”

E gjetën pretekstin e rastit për të përjashtuar një ish-të përndjekur të komunizmit, duke mos votuar emrin e Simon Mirakajt, si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991.

Fajin e ka Saliu! Sali Berisha, në kompetencën e tij si deputet paska nënshkruar rekomandimin e kandidaturës së Simon Mirakajt për anëtar të Autoritetit të Dosjeve. Por për inatin dhe urrejtjen që kanë këta djema ndaj Z. Berisha, sipas gjykimit të tyre, Simon Mirakaj duhet të “paguajë”, se Berisha është “non grata”. Kush më mirë se Simoni, një ish- i përndjekur për t’u përdorur si anëtar i një klase të shoqërisë, për të cilët as qeveria as shteti nuk çajnë fort kokën për ta as për familjet ose sakrificat e tyre për të dërguar një mesazh më domethënës. Ky regjim dhe këta përfaqësues të Kuvendit shqiptar e përdorën rastin e Simon Mirakës për t’u “futur lepurin në bark” të tjerëve, duke i paralajmëruar të gjithë se po të merreni me Sali Berishën, as bukë nuk do hani – duke i hedhur në rrugë të madhe, pa punë. Do hani bar! Kriteri, pra, për refuzimin e kandidaturës së Z.Mirakaj si anëtar i (AIDSSH), ku ka punuar për 5 vitet e fundit, ishte nënshkrimi i Sali Berishës në mbështetje të Z. Mirakaj, krejtësisht brenda të drejtës së tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Jo more, jo, ata nuk e morën këtë vendim kundër Z. Mirakaj, me premisën se ai nuk mund të bënte punën, por sepse e mbështeti Sali Berisha.

Në një program televiziv, Z. Mirakaj tha se ai vet vlerëson lirinë mbi të gjitha duke u shprehur se, “E kam për nder që ka firmosur lideri historik i PD, Sali Berisha. Liria (ime) i ka rrënjët hershëm tek Kryengritja e Malësisë së Madhe, Kryengritja e Postribës, më pas revolta e Spaçit, familjet e internuara, të syrgjynosurit nëpër burgje”,- ka thënë Simon Mirakaj, në një reagim në televizion.

  1. Mirakaj njihet si një ish i internuar i regjimit komunistnë Shqipëri, i cili jetoi në internim për 44 vite. I ati i tij është arratisur nga Shqipëria pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, ndërsa familjarë të tjerë janë pushkatuar për shkak të mospajtimit dhe rezistencës së tyre ndaj komunizmit.

Mënyra se si u morën përfaqësuesit e kësaj klase politike me votën kundër kandidataturës së Simon Mirakajt, një i përndjekur dhe i internuar i regjimit komunist, më kujton një thënje të Vladimir Leninit, të cilin po e perifrazoj të ketë thënë se: ne duhet të veprojmë, të flasim e të shkruajmë me një gjuhë që përhap sa më shumë urrejtje, neveritje dhe përbuzje në popull, sidomos ndaj atyre, që nuk pajtohen me ne.

Nxënës të mirë të Leninit janë përfaqësuesit e klasës politike e tranzicionit “post-komunist”, në Shqipëri! Fatkeqësisht, jo vetëm shpresa e humbur për demokracinë në atë vend, por më duket si një gjeneratë e humbur, nga pikëpamja politike, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit!

Taulant Balla
Enkelejd Alibeaj
Gazment Bardhi

Shikoni fytyrat e këtyre tre liderëve të rinj politikë. Këta nuk janë përfaqësues të elitës së vjetër post-komuniste. Mund të jem gabim, por në vitin 1990 – me shembjen e Murit të Berlinit- këta duhet të kenë qenë në shkollë të mesme, ndoshta. Me fjalë të tjera jo të regjur në komunizëm si disa të tjerë, por fatkeqësisht sot sillen si komunistë pa librezë, ndërsa me fjalë dhe vepra përhapin urrejtje, neveritje dhe përbuzje, sidomos ndaj atyre, që nuk pajtohen me ta. Sali Berisha me të drejtë ose pa të drejtë, është i zoti të mbrojë veten prej këtyre politikanëve të rinj, por pyetja është kush e mbron Z. Simon Mirakaj  dhe shumë të tjerë si ai, ish- të përndjekurin dhe ish-të internuarin e regjimit komunist? Si nuk del një nga këta polikanët e rinj “modernë”, që e quajnë veten, “pro-perëndimorë” e veçanërisht “ pro-amerikanë” e të pyesë, more çfarë përfaqësie kanë ish-të përndjekurit e regjimit të Enver Hoxhës në qeveritë shqiptare dhe në entet shtetërore në përgjithësi, këto 30-vitet e fundit. Sa prej tyre ka sot në qeverinë aktuale???!!! Çfarë mund të bëjmë që qeveria të duket sa më përfaqësuese që të jetë e mundur, duke mos përjashtuar asnjë grup, siç janë të përndjekurit e komunizmit?

Po diplomatët perëndimorë në Tiranë, shohin gjë se çfarë po ndodhë me këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, krejtësisht të përjashtuar nga jeta politike e vendit? A është kjo vlerë perëndimore të mbyllni sytë ndaj përjashtimit të 50% të popullsisë së një vendi nga jeta politike? Do lejohej një gjë e tillë në cilindo vend anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që ju përfaqësoni në Tiranë, siç ndodh në Shqipëri? Pse tolerohet deri në këtë shkallë, keqtrajtimi dhe përjashtimi nga jeta politike e vendit të ish-përndjekurve politikë të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës? Është detyrë e juaja , të nderuar përfaqësues të Perëndimit demokratik, që një vend aleate si Shqipëria të jetë edhe një aleate vlerash që ndajmë me atë vend, për ndryshe cili është ndryshimi midis këtij regjimi dhe ish-regjimit të Enver Hoxhës që ka burgosur, internuar, ose në një mënyrë ose një tjetër përjashtonte më shumë se gjymën e popullsisë nga jeta politike dhe shoqërore?

Për Simon Mirakaj si dhe shumë e shumë të tjerë kundërshtarë të komunizmit, të përjashtuar atëherë, të përjashtuar edhe sot. Për ta situata nuk ka ndryshuar shumë.

Ç’na duhet të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, kur në Shqipëri edhe sot pas 30-vjet tranzicion kemi të bëjmë me regjime që me dashje ose pa dashje kanë përjashtuar dhe izoluar gjysmën e popullsisë nga pjesëmarrja në jetën e vendit. Në rastin e Simon Mirakajt, i internuar dhe i persekutuar, vetëm e vetëm se babai Palë Bib Mirakaj ishte shtetas amerikan, madje një shtetas shembullor amerikan. Sjellja zyrtare e tre përfaqësuesve të klasës aktuale politike ndaj emërimit të Simon Mirakaj për anëtar të (AIDSSH), -djalit të një shtetasi amerikan – për nga mënyra se si u zhvillua ditët e fundit, vetëm e vetëm se mendon ndryshe. Është absolutisht e papranueshme.  Kjo nuk është vlerë amerikane!

Simon Mirakaj është mësuar të vuajë persekutimet dhe përjashtimet. Ai di edhe të mbijetojë.  Me ndihmën e Zotit, Simoni do të dijë edhe të triumfojë mbi të keqen. Fatkeqësia është se me një klasë politike si kjo aktualja: moralisht e korruptuar dhe ideologjikisht e hutuar kam drojë se Shqipëria nuk do të mund të triumfojë mbi të keqen e trashëgimisë së regjimit të Enver Hoxhës dhe nostalgjikëve të tij.