Piramida ishte vendi pritës i Forumit për Mobilitetin dhe Dizajnin Urban, që mblodhi bashkë në Tiranë urbanistë nga vende të ndryshme të Europës, për të shkëmbyer eksperiencat e qyteteve të tyre. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në këtë Forum, u shpreh se pikërisht kjo godinë është shembulli më i mirë i transformimit të kryeqytetit dhe hapjes së tij për teknologjinë dhe artin. “Kush është rritur në Tiranë, është rritur me idenë e Piramidës si një pikë orientimi. Kur thonim “te Piramida”, disa i referoheshin rrëshqitëses së madhe prej mermeri, disa të tjerë, pak më të mëdhenj në moshë, i referoheshin Bar “Mumjes” dhe diskos së famshme të “Odeonit”, dy hapësirat e para kapitaliste në Tiranë; kush është nga Kosova e mban mend që Piramida ishte qendra e komandos së NATO-s. Pastaj, pati një përpjekje për ta bërë teatër, pastaj Parlament, pastaj pati një vjedhje masive të mermerit që ishte shtruar rreth saj. Sot jemi këtu përpara se të vijnë Macron, Scholz, Meloni dhe gjithë paria e Europës për Procesin e Berlinit, kur do ta hapim edhe zyrtarisht, por kryesisht do të jetë qendra më e madhe digjitale për të përgatitur fëmijët për punët e së ardhmes,” u shpreh Veliaj.Sot, tha Veliaj, rreth 1 mijë nxënës studiojnë te “Qendra Tumo”, te Arena Kombëtare, ndërsa te Piramida pritet që ky numër të trefishohet.