Klaudia Malaj
Floida Kërpaçi: LSI proteston për një jetë më të mirë në Shqipëri
Deputetja e LSI-së zbulon planin e protestave që do të nisin më 27 janar dhe aktivitetin e sotëm ku do të mblidhen mijëra të rinj tek Pallati i Kongreseve
Dhe pak ditë na ndajnë nga nisja e protestës së Opozitës së bashkuar kundra qeverisë Rama 2. Të pakënaqur, të zhgënjyer, të varfëruar ekonomikisht dhe të lënë në harresë, zëri më i ri i LSI, deputetja Floida Kërpaçi, fton të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm, të dalin në protesta për të siguruar një jetesë më të mirë.
Nisur nga aktiviteti në Pallatin e Kongreseve, ku mijëra të rinj do marrin pjesë, ç’mund të na zbuloni diçka më shumë?
Sot në orën 17:00 te Pallati i Kongreseve organizohet një Konferencë Studentore, ku studentët do të ngrenë zërin për të zgjidhur problemet e tyre. Situata e arsimit në përgjithësi, por sidomos e arsimit të lartë në Shqipëri është katastrofale. Ka një mori arsyesh pse studentët po bëhen bashkë sot, që fillon nga ligji i arsimit e lartë e problematikat e këtij sistemi klientelist, tek tarifat e larta të arsimimit, te cilësia e dobët e mësimit, e shumë arsye të tjera që lidhen me jetën e tyre studentore dhe varfërinë e arsimit shqiptar. Sistemi arsimor sot karakterizohet nga një varfëri arsimore, pa efektivitet, që, më shumë se dije, i jep stres studentit dhe nuk e aftëson për të ardhmen e tij.
Ka dalë një plan se sa ditë do të zgjas protesta që do nisë me 27 janar?
Ne do t’i bindemi vullnetit të qytetarëve.
Si do ta organizojë LSI këtë protestë?
Protesta fillon në orën 12:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Marr rastin të ftoj këdo që mendon se po jeton në një botë të padrejtë, në një Shqipëri të marrë peng nga pushtetarët e klasës politike të korrupsionit dhe krimit, të bashkohet atë ditë. As për mua, as për LSI e as për PD, por të bashkohen për veten e të ardhmen e tyre. Do të jetë një protestë paqësore. Theksi do vendoset te problemet shoqërore, ekonomike që kanë njerëzit e thjeshtë. Nuk do të këtë flamuj të partive politike. Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të buçasë nga shpirti i revoltës, nga shpirti i fuqisë së njerëzve.
Për çfarë do protestojë LSI në 27 janar?
Qytetarët më 27 Janar protestojnë për flamurin e shpresës. Për flamurin e barazisë. Njerëzit janë lodhur nga tranzicioni i tejzgjatur që kurrë nuk mbaron dhe nuk po prodhon asnjë zhvillim real dhe të qëndrueshëm për vendin dhe për qytetaret e vendit. Njerëzit duan barazi para ligjit, duan një qeveri që i trajton të gjithë njësoj, duan shanse të barabarta për një jetë më të mirë.
A do të ishte LSI iniciatore e protestave kundër kësaj mazhorance, edhe nëse nuk do kishte mbështetjen e PD-së?
Opozitarizmin tonë me Rilindjen e kemi shfaqur edhe gjatë kohës që kemi qenë në qeverisje me ta. Ndërsa protestën me këtë qeveri që po varfëron shqiptaret çdo ditë e më shumë, LSI e ka nisur që në momentin kur nuk pranuam të vazhdonim koalicionin qeverisës me Rilindjen. Në 2013 kur u bashkuam si e majtë e bashkuar kishim idealin, se po bashkonim të majtën duke formuar një qeveri PS-LSI, por me vonë e kuptuam qëllimin e vërtetë të drejtuesve që kishin uzurpuar PS dhe që e kishin kthyer në Rilindje. Rilindja është një grupim njerëzish pa ideale, që luajnë mediatikisht me propagandë me mesazhe populiste, shfrytëzojnë votat e socialisteve të PS-së për të marrë pushtetin në emër të tyre, por në fakt e përdorin për të fuqizuar ekonomikisht miqtë e tyre dhe oligarkët.
Gjashtë mujori i parë i 2018-ës ishte planifikuar si nisja e bisedimeve për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Si mendoni se do të ndikojë kjo protestë?
Në çdo bisedim me përfaqësues të Bashkimit Evropian LSI ka kërkuar sa më parë çeljen e negociatave për anëtarësim, sepse e meritojnë qytetaret dhe është e vetmja alternative për të ardhmen tonë. Unë besoj e shpresoj që negociatat të çelen pasi shërben edhe për një mbikëqyrje më të rreptë nga ana e Bashkimit Evropian të veprimeve të qeverisë, uljes se kriminalitetit, dhe si siguri për realizimit të ëndrrës evropiane të popullit tonë. Në vendet e Bashkimit Evropian ku ne aspirojmë të anëtarësohemi zhvillohen protesta të vazhdueshme. Protesta është mjet demokratik dhe në këtë aspekt ato ndikojnë pozitivisht në rritjen e shkallës së demokracisë dhe fortesën mendimin e lirë. Ju e keni parë që qysh prej dhjetorit janë frymëzuar shumë njerëz dhe shpirti i shprehjes së mendimit të lirë kundra keqqeverisjes është demonstruar nga studentë, nga grupe të ndryshme interesi siç janë; biznesi i vogël, naftëtarët, qytetarë të zakonshëm në çdo cep të vendit. Pavarësisht propagandës së ERTV që thotë, se opozita po bën mëkat që po proteston kundër keqqeverisjes së tij, ju siguroj se BE, SHBA dhe çdo vend perëndimor mirëpret çdo formë demonstrimi të mendimit të lirë, qoftë edhe përmes protestave.
PD dhe LSI a do të ulen në tryezë me Kryeministrin Rama, vetëm për të mos penguar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nëse Rama do e kërkonte?
Duhet të jemi realistë kur flasim për standardet që kërkon BE për anëtarësimin tonë në familjen e madhe evropiane. Rrugëtimin e Shqipërisë në BE po e pengon kryeministri Rama, pasi BE-ja nuk do pranojë kurrë në gjirin e saj një vend me probleme, ku kryeministri është i lidhur me krimin e organizuar, që e ka kthyer Shqipërinë në një vend tranzitor të drogave të forta, një kryeministër të papërgjegjshëm që prish frymën e fqinjësisë së mirë, një kryeministër që kërcënon BE-në dhe sigurinë kombëtare të vendeve të saj. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, është një mision jetik për vendin dhe popullin tonë, e për ta bërë realitet duhet të punojmë të gjithë që vendi të arrijë standardet e nevojshme. Ndaj dhe protesta e 27 Janarit i shërben këtij synimi, sepse, nëse nuk përmirësojmë në radhë të parë vendin tonë, standardet e jetesës, nëse nuk rrisim ekonominë tonë duke hapur vende të reja pune, nëse vazhdojmë të lejojmë papërgjshmërinë e Edi Ramës të sundojë në vend, anëtarësimi në Bashkim Evropian do jetë gjithnjë edhe më i largët.



















