Flet Dr. Enriko Ceko: Politikanët shqiptarë në këto 34 vjet kanë menduar vetëm për vete nuk kanë menduar për popullin
– Individët dhe familjet shqiptare e kanë shumë të vështirë që të kenë një jetesë që të mund të afrohet me jetesën e qytetarëve të Evropës
– Industria fason, jo vetëm që nuk ka produktivitet të shtuar në ekonominë shqiptare, pasi prodhojnë për të huajt, duke ofruar vetëm shërbimin e krahut të punës
– Karakteristikë e vendeve të varfra dhe që kanë filluar rrugën e zhvillimit është se pjesa më e madhe e të ardhurave individuale dhe familjare shkon për ushqime
Intervistoi Albert Z. ZHOLI
Sipas të dhënave të fundit të Eurostatit dhe matjeve të brendshme nga INSTAT-i, Shqipëria ka 41.6% të popullsisë në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë. Të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2022, ndërsa për Europën vitit 2023. Në Shqipëri, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 lekë që ishte në vitin 2021, sipas INSTAT-it. Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë në Shqipëri jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Duke filluar nga viti 2021, treguesi i privimit material, intensiteti i ulët në punësim dhe rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) është modifikuar nga ana metodologjike duke u bazuar në objektivin e ri të Bashkimit Europian “Europa 2030”. Sipas objektivit të vendosur nga Bashkimi Europian për mbrojtjen e të drejtave sociale, popullsia që është në rrezik për të qenë e varfër ose në përjashtim social në Europë duhet të reduktohet me të paktën 15 milionë deri në vitin 2030 dhe prej tyre të paktën 5 milionë duhet të jenë fëmijë. Ja si shprehet Dr Enriko Ceko për këto probleme…
Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë së saj në rrezik të varfërisë, një përqindje shumë më e lartë në krahasim me Rajonin dhe Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat dhe matjeve të brendshme nga INSTAT, Shqipëria kishte 41.6% të popullsisë në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë Të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2022, ndërsa për Europën vitit 2023. Sipas përcaktimeve të Eurostat “rreziku për të qenë i varfër” klasifikon ato persona që janë thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Pse kjo situatë?
-Kjo situatë vjen nga politika që kanë ndjekur qeveritë shqiptare në këto 34 vjet. Mendojnë për vete s’mendojnë për popullin. Të ardhurat në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Evropë. Individët dhe familjet e kanë shumë të vështirë që të kenë një jetesë që të mund të afrohet me jetesën e qytetarëve të Evropës, shtuar këtu edhe jetesën në vende të tilla Evropiane si Mali i Zi, Serbia, etj, pa u futur në grupin e vendeve me të ardhura edhe më të larta. Karakteristikë e vendeve të varfra dhe që kanë filluar rrugën e zhvillimit është se pjesa më e madhe e të ardhurave individuale dhe familjare shkon për ushqime, dhe kur vendet janë të varfra. Brenda shpenzimeve për ushqime, pjesa më e madhe shkon për drithra buke dhe produkte e nënproduke të ngjashme me to. Fakti që në Shqipëri konsumi i bukës masive është shumë i lartë krahasuar me vendet e tjera flet shumë për këtë. Nga ana tjetër struktura ushqimore në përgjithësi është shumë larg asaj evropiane.
-Pse vjen kjo?
Pasi janë rritur çmimet. Është e vërtetë që çmimet e mallrave të shportës janë shtuar shumë, por nga shporta janë hequr një serë produktesh të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që vende të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë në shportë qindra produkte, shporta shqiptare është katandisur me sheqer, oriz, vaj, e të tjera produkte bazë. Në lidhje me pagat, që janë shumë të ulëta, duhet theksuar se periudha e pandemisë dhe pas saj kanë qenë periudha shumë të vështira në lidhje me plotësimin e nevojave ditore ushqimore të shqiptarëve, pasi edhe paketat e ndihmave, të premtuara nga ana e qeverisë shqiptare nuk u lëvruan sipas premtimeve. Pra, edhe nëse pretendohet se inflacioni është ndër më të ulëtit në Evropë, kjo lidhet vetëm më nivelin e çmimeve, por nuk merret parasysh se sa para ka në qarkullim në tregun shqiptar, dhe sa nga këto para janë nga puna e ndershme dhe veprimtaria legale e biznesit dhe sa nga operacionet ilegale të ndryshme që gëlojnë në ekonominë shqiptare duke bërë që më shumë se 50% e saj të jetë ekonomi gri dhe ekonomi e zezë, me anë të së cilës mbushen xhepat e vetëm disa individëve, por jo xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Është e vërtetë që çmimet e mallrave të shportës janë shtuar shumë, por nga shporta janë hequr një serë produktesh të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që vende të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë në shportë qindra produkte, shporta shqiptare është katandisur me sheqer, oriz, vaj, e të tjera produkte bazë. Në lidhje me pagat, që janë shumë të ulëta, duhet theksuar se periudha e pandemisë dhe pas saj kanë qenë periudha shumë të vështira në lidhje me plotësimin e nevojave ditore ushqimore të shqiptarëve, pasi edhe paketat e ndihmave, të premtuara nga ana e qeverisë shqiptare nuk u lëvruan sipas premtimeve.
-Po fuqia blerëse si matet?
Fuqia blerëse ka të bëjë me llogaritjen e asaj se sa mundësi kanë qytetarët në vende të ndryshme të botës të konsumojnë duke bërë disa llogaritje me anë të të cilave eliminojnë konceptin e kursit të këmbimit midis monedhave të vendeve, të cilat krahasohen. Pra, të mund të llogaritet se sa produkte dhe shërbime mund të blesh në një vend të caktuar me paranë e atij vendi, krahasuar me një vend tjetër dhe me paranë e vendit tjetër. Edhe në këtë tregues Shqipëria është mbrapa dhe kjo vjen nga mënyra se si është konfiguruar ekonomia shqiptare, që është një ekonomi me tipare parazite, ku vetëm me dy a tre sektorë të pazhvilluar, rritja ekonomike duket e pamundur, pavarësisht pretendimeve për rritjen e saj. Edhe disa sektorë që funksionojnë disi në ekonominë shqiptare (si industria fason, etj) jo vetëm që nuk kanë produktivitet të shtuar në ekonominë shqiptare, pasi prodhojnë për të huajt, duke ofruar vetëm shërbimin e krahut të punës, por pengojnë edhe sektorët e tjerë të ekonomisë të zhvillohen, pasi u marrin këtyre sektorëve krahun e punës, materialet, energjinë, burimet financiare, kohën, përkushtimin, etj.