Fitorja e Trump, Nishani: Marrëdhënie të reja Shqipëri-SHBA

420
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka quajtur fitoren e Donald Trump si president i SHBA-ve, një tjetër demonstrim të demokracisë amerikane. Kreu i Shtetit tha se ishte një ushtrim i demokracisë nga qytetarët amerikanë për të pasur një Amerikë më të fortë.

“Është një demonstrim tjetër i demokracisë amerikane, si një kampione e kësaj fushe. Një ushtrim tjetër i demokracisë nga qytetarët amerikanë për të pasur një Amerikë më të fortë. Do të ketë një frymë të re në mënyrën si do të administrohet administrata në tërësi. Jam i bindur që do të kemi një model të ri që do të sjell një standard të lartë të zhvillimit të demokracisë”, tha Nishani.

Për sa i përket mundësisë që marrëdhëniet mes dy vendeve të ndryshojnë, Presidenti tha se cilido të ishte presidenti i ri i SHBA-ve do t’i jepte një dimension tjetër këtyre marrëdhënieve.

“Kam qenë i bindur se cilido të ishte presidenti i ri i SHBA-ve do t’i jepte një dimension tjetër këtyre marrëdhënieve. SHBA-të, administratat e kaluara kanë qenë shumë pranë shqiptarëve dhe kauzave të tyre sepse kauzat e shqiptarëve kanë qenë për lirinë, paqen e prosperitetin. SHBA-të kampion i këtyre vlerave dhe nuk kishte si të mos i mbështesin.

Jam i bindur që administrata e re do t’i japë një impuls më të madh. Jam i bindur se do të ecim akoma më para”, tha Nishani.

I pyetur nëse ka në axhendë një takim të mundshëm me presidentin amerikan, nishani tha se është ende herët.

“Është ende shpejt për një axhendë takimesh të presidentit të zgjedhur me kryetarë shtetesh. Në emrin tim personal dhe të qytetarëve shqiptarë i uroj sukseset më të mira Presidentit dhe popullit amerikan”, u shpreh Kreu i Shtetit.