Fiter Bajrami, krerët e shtetit urojnë besimtarët

546
Sigal

Besimtarët myslimanë pas muajit të shenjtë të Ramazanit, festuan dje festën e Fiter Bajramit

Si çdo vit, pas ditës së fundit të agjërimit, besimtarët organizohen të gjithë bashkë për të bërë lutjen e Fiter Bajramit. Ceremonia e sivjetshme e faljes u organizua mëngjesin e sotëm në orën 06:30 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo festë vjen pas një muaji sakrifice, lutjesh e adhurimi ndaj Zotit, që nisi më 20 korrik. Gjatë muajit të Ramazanit u shtruan shumë iftare për besimtarët myslimanë nga institucione të ndryshme. Komunitetin mysliman u vizitua  paraditen e ditës së djeshme nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe personalitete të tjera të njohura, të cilët do të përcjellin urimet e tyre me rastin e Fiter Bajramit. Rreth orës 11:45 kryeministri i vendit Sali Berisha si çdo vit, ka shkuar në selinë e Komunitetit Mysliman për t’i uruar krerëve fetarë Fiter Bajramin. Pas tij kjo seli u vizitua nga Kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ndërsa kryesocialisti Rama ka uruar nga Twitter-i: Gëzuar të gjithë besimtarëve myslimanë!

 __________________________________

AK akuzon Kryeministrin për xhaminë

Aleanca Kuq e Zi, në ditën e Fiter Bajramit ka akuzuar sërish Kryeministrin e vendit për mosndërtimin e xhamisë se re. Sipas Spahiut, për 19 vjet me radhe Berisha ka diskriminuar myslimanët dhe nuk e ndërtoi atë xhami, në sheshin e Namazgjasë, tullën e parë të së cilës e vendosi në vitin 1993.  “Në këtë ditë kur të gjithë shpresojnë të përfshihen në mëshirën e Zotit, ne me keqardhje zbulojmë “epitafin e gënjeshtarit”, i cili për 19 vite abuzoi dhe mashtroi besimtarët myslimanë, duke i lënë ata të falen rrugëve. 19 vite më parë, ish-presidenti Berisha dhe ish-kreu i Bashkisë Tiranë, Sali Kelmendi, hodhën tullën e themeleve të xhamisë, e cila kurrë nuk u ndërtua, duke diskriminuar besimtarët që praktikojnë fenë islame”. Spahiu premtoi që në ardhjen e Aleancës Kuq e Zi në pushtet do të krijohen kushte të barabarta fetare në praktikimin e besimit, ndërsa vijoi me akuzat.

“Koha për gjykim dhe ndëshkim po afron ndaj çdo mëkatari që abuzoi me besimin e të tjerëve, besimin ndaj Zotit dhe shpërdoroi besimin e popullit. Nuk është çudi që në prag të zgjedhjeve pas 19 vjetësh ai të fillojë të hedhë edhe një tullë tjetër, por Berisha nuk mund të mashtrojë sërish qindra mijëra besimtarë. O Zot mëshiroji besimtarët e pafajshëm, por jo ata që penguan të drejtën e besimit”.

 ___________________________________________________

Sekuestrohen 62 kg heroinë në Greqi, pranga shqiptarit

Sekuestrohen 62 kg heroinë në territorin grek, pranë kufirit me Shqipërinë dhe arrestohet një shtetas shqiptar. Policia greke bën të ditur lajmin, duke pohuar se droga u kap në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth 2 kilometra në brendësi të territorit grek. Droga transportohej me një automjet me targa italiane, që drejtohej nga 52-vjeçari Izet Ohri, tashmë i arrestuar nga policia greke me akuzën për futjen e një sasie të madhe të drogës në Greqi. Droga ishte fshehur në bombola gazi dhe u gjet me ndihmën e qenit të policisë. Brenda bombolave ishin fshehur 122 pako me heroinë gjithsej 61 kg e 935.4 gramë. Policia konfiskoi heroinën, bombolat e gazit, makinën, 2200 euro dhe dy telefona celularë. Sikurse, bën të ditur zyra e shtypit të Policisë shqiptare, mjeti,  ku është gjetur droga, sapo kishte hyrë në territorin grek nga Turqia.

 _________________________________________________________________

Ikin emigrantët, radhë të gjata në Kapshticë, pala greke me 2 sportele

Emigrantët e kthyer në Shqipëri për pushime rikthehen sërish në vendet e tyre të punës duke regjistruar fluks në katër pikat kufitare të Korçës. Gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar fluks emigrantësh në dalje, ndërsa fluksi më i madh paraqitet në pikën doganore të Kapshticës. Në total gjatë 24 orëve të fundit në 4 pikat kufitare në Korçë kanë dalë 7469 persona dhe 2254 mjete, sakaq vetëm në Kapshticë kanë dalë 4930 persona dhe 1050 automjete. Në Kapshticë pala shqiptare në dalje punon me 6 sportele ndërsa pala greke punon me 2 sportele, sipas policisë ka radhë të gjata emigrantësh në tokën neutrale e atë shqiptare. Situata paraqitet normale në pikën kufitare të Kakavijës, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë 4800 persona dhe 1200 mjetet dhe kanë hyrë 4200 persona dhe 900 mjete.

 __________________________________________________

Sarandë, betoniera del nga rruga, humb jetën shoferi

Në segmentin rrugor Turizëm-Kanali i Cukës në Sarandë, është shënuar dje një aksident me pasojë vdekjen. Një betoniere që udhëtonte me ngarkesë për në fshatin Çukë, 4 km në periferi të Sarandës ka dalë nga rruga rreth orës 06:30 të ditës së sotme duke u përplasur me një platformë betoni e pastaj me një pemë, njofton policia rrugore, në jug të vendit. Nga përplasja ka mbetur i plagosur rëndë shoferi Dule Shameti, që udhëtonte i vetëm në kabinë, por 44-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë momentit të ndihmës së parë mjekësore. Policia tha se shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia përtej normave të lejuara. Hetimet e mëtejshme vazhdojnë.

  ______________________________________________________

Pukë, tentuan t’i vidhnin paratë, plagoset punonjësi i postës

Një ngjarje me pasojë plagosjen ka ndodhur pas mesnatës së djeshme rreth orës 04:00 në Iballë të Pukës. Punonjësi i postës Ndoc Marku ka mbetur i plagosur nga disa persona të paidentifikuar, të cilët tentuan t’i grabisnin paratë. Ky i fundit ka bërë rezistencë, ndërsa mësohet se grabitësit e kanë sulmuar në banesën e tij, sipas policisë së qytetit verior. Policia sqaron gjithashtu se Ndoc Marku është transportuar menjëherë drejt Spitali Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.