Presidenti Meta, homazhe për simbolin e valles shqiptare, “Nderin e Kombit”, Besim Zekthi

303
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe në Muzeun Historik Kombëtar për ndarjen nga jeta të artistit të shquar, valltarit simbol të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Besim Zekthi, i vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

President Meta, pasi vendosi një kurorë me lule dhe u shprehu ngushëllimet anëtarëve të familjes Zekthi dhe të afërmve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, vuri në dukje:

“Është padyshim një moment trishtues t’i japim sot lamtumirën e fundit “Kryeshqiponjës së madhe të valles shqipe” për gati gjashtë dekada, këtij kryesimboli jo vetëm të kulturës, por edhe të krenarisë e identitetit kombëtar, të cilin gjithmonë do ta kujtojmë për krenarinë, dinjitetin dhe shkëlqimin e jashtëzakonshëm që i dha popullit dhe kombit të tij në skenat më të njohura europiane e botërore, edhe në momentet më të errëta të izolimit të Shqipërisë.

Vepra dhe kujtimi i tij do të jenë të përjetshëm!

Shpreh ngushëllimet më të sinqerta jo vetëm për familjen Zekthi, por edhe për të gjithë artistët e ato gjenerata që punuan e bashkëpunuan me të në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve tona Popullore!

Njëkohësisht inkurajoj artistët e rinj të frymëzohen nga personaliteti që i madhi Besim Zekthi krijoi për të çuar më tej gjithçka që ai arriti me aq pasion dhe sakrifica në skenë!

Dua të theksoj se kujtimi më i mirë i Besim Zekthit, por dhe i të gjithë personaliteteve si ai, është të ruajmë trashëgiminë tonë kulturore, të jemi krenarë për përkatësinë tonë shqiptare dhe të forcojmë identitetin kombëtar. Kjo është rruga më e shpejtë edhe për t’u integruar si të barabartë në familjen europiane.”