/Gazeta TELEGRAF
Tashmë për herë të dytë, Kuvendi kërkon shkarkimin e Presidentit. Nëse herën e parë ishte Komisioni i Venecias që s’e miratoi kërkesën, duke e quajtur si të pabazuar, herën e dytë do jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do dalë me një vendim përfundimtar. Por këtë herë jemi me sa duket jashtë moralit. Kjo, pasi akuzat e ngritura nuk përputhen me kërkesat e Kushtetutës. Qartazi, ato përputhen me kërkesat e shumicës, të cilat, janë politike. Si të tilla, duket se kalojnë limitin e abuzivitetit në këtë rast.
Shumica kuvendare ngutet në kërkesën e saj. Ajo kërkon me çdo kusht ta miratojë këtë kërkesë në seancë plenare. Kjo, për të vetmen arsye, pasi është e bindur se kjo kërkesë, nuk mundet të miratohet në Kuvendin e ri. Duke e miratuar në këtë kohë, duket qartazi se kjo kërkesë është e paligjshme. Paligjshmërinë ia jep arsyetimi i fakteve, nga ku, bazohet kjo kërkesë. Ja jep dhe vetë ky Kuvend. Jo vetëm se është në kufijtë e mbarimit të tij, por dhe nga joligjimiteti që ky Kuvend ka. Nëse shohim me vëmendje po citoj: Neni 90: Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
Kjo kërkesë e tregon qartazi nivelin e ulët të Kuvendit. Tregon se deputetët janë ushtarë të bindur të Liderit të tyre. Ata mundet të bëjnë çdo veprim dhe pse me pasoja të rënda juridike, pasi ky moment u kthye në një precedent. U kthye në një betejë të pastër politike, sidomos mes Ramës e Metës. Deklaratat e Metës nuk sollën asnjë efekt. Ato mbeten thjesht në kuadrin e deklaratave, duke mos përbërë vepër penale.