Ermal Dredha: Do të bëj maksimumin tim për Vlorën e vlonjatët

61
Sigal

Në fillim jave, në Vlorë u bë konstituimi i organeve të reja të pushtetit vendor të dalë nga zgjedhjet e 14 majit 2023. Ceremonia e konstituimit u zhvillua në mjediset e teatrit Petro Marko në Vlorë. Ermal Dredha fituesi i zgjedhjeve të 14 majit për Vlorën bëri betimin e tij si Kryetar i Bashkisë Vlorë. Ai u shpreh së është i vetëdijshëm për pritshmëritë dhe sfidat dhe se do të bëjë maksimumin për Vlorën. “Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, ashtu sikurse jam i vetëdijshëm për pritshmëritë që keni kundrejt kryetarit të Bashkisë dhe për këtë do të bëj maksimumin tim. Këshilli Bashkiak është përfaqësimi i gjithë vlonjatëve në institucionin që do drejtojë punët e qytetit për 4 vitet e ardhshme. “ Dredha shprehu mirënjohjen për zgjedhësit që  i besuan drejtimin e qytetit. “Të gjithë jemi kalimtarë, por Bashkia e Vlorës është e juaja dhe bashkë do të ndërtojmë të ardhmen e qytetit tonë. Mirënjohës të gjithë qytetarëve që nëpërmjet votës së tyre më besuan drejtimin e qytetit për 4 vitet e ardhshme.” Në fund të ditës së konstituimit kryetari i ri i bashkisë pati edhe një takim me ish-kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli të cilin Dredha e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin e Bashkisë Vlorë.