Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për të shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II. I shoqëruar nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Alastair King-Smith, Veliaj la edhe një mesazh në Librin e Ngushëllimeve të ambasadës, ku vlerësoi jetën dhe veprën e Mbretëreshës Elizabeth II. “Pikëllimi është çmimi që ne paguajmë për dashurinë” – EIIR. Në emër të qytetarëve të Tiranës, ju bashkova Shkëlqesisë së Tij, ambasadorit Alastair King-Smith në Tiranë dhe i shpreha të gjithë simpatinë dhe admirimin për jetën e Mbretëreshës Elisabeth II dedikuar në shërbim të qytetarëve me dinjitet dhe guxim”, tha Veliaj.
Të shumtë kanë qenë figurat politike të cilët pas vdekjes së Mbretëreshës kanë lënë në librin e ngushëllimeve mesazhe për familjen mbretërore. Mbretëresha Elizabeth II u nda nga jeta pas 70 vitesh në fron, në moshën 96-vjeçare, duke i lënë fronin Mbretit Charles.






















