Erion Veliaj: Dy terminalet e autobuzëve zgjidhje për trafikun në qytet

118
Sigal

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm me banorët e Njësisë 9, së bashku me ministren Ogerta Manastirliu, ka folur për disa prej projekteve transformuese, si ai i Bulevardit të Ri, duke zbuluar disa prej ndërtesave më të rëndësishme publike që do të zhvendosen aty. “Ne duam që të ndërtojmë një Muze të Artit Modern në Bulevardin i Ri. Qyteti sot ka mbi 1 milion banorë dhe nuk ka qytet të madh në botë pa një Muze të Artit Modern. Po ashtu, duam të ndërtojmë një qendër për konventat dhe konferencat ,sepse Pallati i Kongreseve nuk i përballon dot aktivitetet e shumta në Tiranë. Në Bulevardin e Ri duam të transferojmë edhe disa nga gjykatat, për shembull Gjykata e Lartë duket sikur është futur me lupë këpucësh te “Myslym Shyri”. Pra, edhe pjesa e institucioneve publike ka interes që të shtrihet në Bulevardin e Ri ose zonat përreth”, u shpreh Veliaj. Tjetër projekt i rëndësishëm i përmendur nga kreu i Bashkisë është edhe ai i dy terminaleve të pasagjerëve, ai lindor që po ndërtohet në Lundër dhe terminali perëndimor te kthesa e Kamzës. “Përveç vazhdimit të Unazës së Madhe, ne do të hapim dy terminalet: terminali i parë, ai në Lundër është gati, do të çlirojë Qytetin Studenti, kurse stacioni i përkohshëm i autobusëve do të shkojë te stacioni i përhershëm atje. E njëjta gjë do të ndodhë tani që kemi fituar gjyqin edhe te kthesa e Kamzës. Aty do të jetë terminali perëndimor. Pra, autobusët ndalojnë në hyrje të qytetit. Kjo është zgjidhje konkrete për trafikun,” tha ai. Sa i takon buxhetit social, Veliaj tha se vetëm në Njësinë 9 kanë marrë kredi të buta 306 familje, ndërsa 140 të tjera trajtohen me bonus strehimi. “Ky buxhet do të jetë i fokusuar tek solidariteti, sa të kalojmë këtë situatë të vështirë,” -theksoi Veliaj.