Erion Veliaj: Banesat sociale në Shkozë gati për të pritur familjet që preken nga ndërtimi i Unazës

485
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka apeluar që të përfitojnë nga banesat sociale në Shkozë. 15 familjet e para tashmë kanë aplikuar dhe ato do të zhvendosen në apartamentet që ofrojnë kushte komode për këto familje. Ndërsa për pjesën tjetër, që nuk bien dakord, Veliaj tha se do të përfitojnë bonus qiraje për tre vite. Dy janë mundësitë që ofron Bashkia e Tiranës për banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe, dhe që nuk kanë asnjë dokument, trajtimi me bonus qiraje për tre vite ose banesa sociale. Për të inspektuar kushtet që ofrojnë këto apartamente, në zonën e Shkozës ishte vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili apeloi familjet që të aplikojnë pranë njësive administrative për të përfituar. Veliaj: “Në kohë rekord janë bërë gati apartamentet, janë blerë duke nisur nga frigoriferët, tek televizorët, tek çdo nevojë bazë që ka një familje. Ajo që kam parë është që këto kushte këtu janë në fakt disa herë më të mira se sa shtëpitë që po lënë, shtëpiza pa leje…Fillimisht, kjo rezervohet për të gjithë familjet që kanë aplikuar në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë asnjë dokument, ndërkohë që të tjerët do marrin shpronësimin. Ftesa ime është, sipas njësive 6,7 apo Kasharit, apo 11 aplikoni për banesa sociale”. Kryebashkiaku nuk la pa shigjetuar edhe opozitën që ka dalë në mbështetje të banorëve të “Astirit”, kur iu kërkoi banorëve që të distancohen dhe të mos përdoren politikisht. Veliaj: “Bashkia e Tiranës është për të rregulluar punët e banorëve, jo punët e partive. Për ata deputetë që parkojnë me “Range Rover” dhe si hobi vijnë dhe protestojnë duke sjellë dhe protestues shëtitës, besoj se fundi është i qartë”. Deri më tani për banesa sociale kanë aplikuar 15 familje sipas Veliajt, dhe këto do të jenë të parat që do të zhvendosen në Shkozë.