Policia duhet të jetë ruajtëse e ligjit. Të shkarkohet drejtori i Përgjithshëm për torturat ndaj qytetarëve

464
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Policia duhet të jetë ruajtëse e ligjit, jo dhunuese e qytetarëve

Ardi Veliu duhet të dorëhiqet nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm për torturat që ushtruan policët

Daniel Drobaj, 18-vjeçari i akuzuar se ditën e protestës plagosi efektiven e forcave “Shqiponja” Ina Nuka me kapsollë do të qëndrojë në burg. Gjykata e Tiranës dha dje masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij duke pranuar kërkesën e prokurorisë. Dje në sallën e gjyqit pamë 18-vjeçarin Daniel Drobajn, me dorën e lidhur. Danieli pohoi para trupës së gjyqit, që është dhunuar nga policët në mjediset e parandalimit në polici, për shkak të hakmarrjes, që ndërmorën policët kundër tij, për shkak të dëmtimit të polices Ina Nuka në protestën e banorëve para Parlamentit, ditën e enjte. Gjykatësi heshti para akuzës së 18-vjeçarit për ushtrim të torturave të policisë së Shtetit ndaj tij. Heshti edhe prokurori. Heshtja e gjykatësit, për ushtrimin e dhunës së Policisë së Shtetit ndaj të parandaluarit në polici është fajësi dhe mosveprimi i ligjit ndaj dhunës të policëve ndaj një qytetari e shndërron paskëtaj, gjyqin në çështje politike.

Solidaritet me policen e plagosur, por…

Të gjithë ne jemi në solidaritet me policen Ina Nuka, e cila u plagos në protestë. Nuk duam kurrsesi që nga protestuesit të dhunohen policët. Mirëpo, njëkohësisht, askush nuk u shqetësua pse Policia e Shtetit tërhoqi zvarrë një grua shtatzënë, sa ajo humbi edhe foshnjën e palindur akoma. A nuk është e dënueshme dhunimi nga policia e Shtetit i protestueses, sa ajo humbi edhe foshnjën në bark? Plagosja e polices zbardh edhe dobësitë e drejtuesve të Policisë së Shtetit, që nuk kanë pajisur policët me mjete mbrojtëse përballë protestuesve. Nëse policja do të kishte doreza, apo do të ishte aftësuar për të përballuar situata të atilla, ndoshta sot nuk do të ishte plagosur, të paktën jo kaq shumë. Por plagosja e polices nga protestuesit, kurrsesi nuk u jep të drejtën policëve që të dhunojnë deri në torturë të ndaluarin, 18-vjeçarin Daniel Drobajn. Ai ende është i akuzuar dhe policia e Shtetit nuk e ka tagrin ligjor dhe kushtetues që të japë dënime, çfarëdo dënime. Qoftë edhe ta quajë fajtor, sado prova shkencore të ketë. Ligji e ndalon kategorikisht ushtrimin e torturën ndaj të ndaluarve nga policia, por edhe ndaj të dënuarve, pavarësisht se çfarë krimi penal kanë kryer. Policia e Shtetit nuk mund të hakmerret ndaj askujt. Policia e Shtetit nuk mund të ushtrojë torturë ndaj të ndaluarve në qelitë e policisë. 18-vjeçari dëshmoi në sallën e gjyqit që ishte torturuar në policinë e Shtetit. Përse gjykata, përse prokuroria nuk zbatuan ligjin, për të gjetur policët që ushtruan dhunën?

Banorët kanë motiv të protestojnë, policët nuk kanë motiv të torturojnë

Banorët kanë motiv të protestojnë, sepse mbrojnë shtëpitë nga prishja, pavarësisht se çfarë kërkon qeveria. 18 vjeçari Daniel Drobajn është student në Fakultetin e Inxhinierisë në UT, student i shkëlqyer me notën 9,6, nuk është një kriminel. Policia e Shtetit nuk ka asnjë motiv që të ushtrojë dhunën ndaj protestuesve, e ca më pak, kundër të ndaluarve në qelitë e policisë. Policia e Shtetit është ruajtësi dhe zbatuesi i parë i ligjit. Ligji nuk i jep asnjë të drejtë ligjore, asnjë motiv policisë së Shtetit të hakmerret, të ushtrojë dhunë, të torturojë, që drejtësinë ta vendosë policia ndaj qytetarëve, ndaj keqbërësve, ndaj atyre që kryejnë vepra, sado penale. Policia në Francë u solidarizua me protestuesit, sepse kauza dhe motivi i protestës është i përbashkët. Kështu edhe Policia e Shtetit në Shqipëri nuk duhet të marrë urdhra qorre nga disa drejtues politikë, që të ushtrojnë dhunë kundër qytetarëve protestues, kur kauza e protestës është e përbashkët edhe për qytetarët, edhe për policët.

Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Torturimi i Daniel Drobajn në qelitë e policisë së Shtetit, e dëshmuar edhe në sallën e gjyqit, duhet të sillte dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Torturimi i 18-vjeçarit në qelitë e policisë së Shtetit është bërë me urdhër politik. Ndoshta edhe nga vetë Ardi Veliu, derisa ky hesht dhe nuk nxjerr fajtorët, cilët e torturuan 18-vjeçarin. Nëse Ardi Veliu nuk ka ndjesinë qytetare të dorëhiqet, mosshkarkimi i tij nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është përgjegjësia politike edhe tek ministri i Brendshëm, ish gjenerali Sandër Lleshi, sepse heshtja e tij dëshmon, se Policinë e Shtetit e udhëheq me metoda ushtarake dhe jo politikisht, siç e kërkon ligji i demokracisë.