Kryeministri gënjen kur thotë se taksa progresive, me modelin siç e ka aplikuar ai, paska sjellë efekte pozitive në buxhetin e shtetit.
Sesa pozitiv është buxheti i shtetit shihet në nivelin e pagave, në hapësirat për punësim, tek niveli i investimeve vendase dhe të huaja dhe në ekonominë e familjeve të thjeshta. Tek të gjitha këto bilancet janë negative.
Ndërsa informaliteti i ekonomisë llogaritet mbi 50% e GDP dhe borxhi publik 90+%, qeveria aktuale me karakterin e saj të dobët përpara interesave private të grupimeve të caktuara, e ka vendosur buxhetin e shtetit, taksat që mbledh dhe të gjithë ekonominë në shërbim të tyre.
Shqipëria ka nevojë të punojë dhe shqiptarët kanë nevojë për punë. Për këtë i kemi përgjigjet, të cilat sot irritojnë kryeministrin që ka vetëm batutën.
Me programin e rimbursimit 5% të shpenzimeve ekonomia do të formalizohet; paratë që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve përmes qarkullimit në informalitet, do të shkojnë në xhepat e shqiptarëve përmes rimbursimit dhe në buxhetin e shtetit që të investohen për krijim punësimi, rritje pagash e zhvillim.
Ndërkohë që me LSI bizneset me xhiro vjetore nga 0-14 milionë lekë do të kenë ZERO detyrime me shtetin duke u trajtuar si biznese të vogla(me TVSH 0% dhe Tatim mbi Fitimin 0%) dhe pagat deri në 35,000 lekë pa tatim mbi të ardhurat e pagës, taksa e sheshtë 9% është masa e duhur për momentin ku ndodhet ekonomia shqiptare e mbytur nga interesat e qeverisë aktuale.