Sigal

Nga Ergys Alushi

“Ndryshimi për mirë i mjedisit ndikon në ndryshimin për mirë të mentalitetit të njerëzve”. Rreth kësaj teme zhvillohej biseda me gazetarin e vjetër Duro Mustafaj, paraditen e së premtes së 10 gushtit, në një nga lokalet në qytetin e Vlorës. Ndërkohë, nē Resulaj, lagje e Selenicës, pak kilometra larg qytetit të Vlorës, dy familje ishin duke kryer punët e mëngjesit, nxjerrjen e bagëtive, mbushjen e ujit, prashitjen e perimeve në kopshtin e shtëpive e të punë që në fshat janë të përditshme. “Ja, për shembull, – vazhdonte bisedën publicisti me përvojë për të përforcuar idenë e tij për ndryshimin e mentalitetit, – vite më parë vlonjatet, kur ecnin në rrugën Skelë-Ujë i Ftohtë, shkelnin mbi gropa e gurje dhe shanin e shfrynin të munduar e të pakënaqur. Sot, që këmba nuk u shkel më në gur e gropa, por në asfalt e pllaka, janë me fjalor të ndryshuar, me kulturë, flasin qetë e shtruar, ashtu siç edhe ecin…” Atje në Resulaj, ndërkohë një i ri 24 vjeçar, përgatitej të shkonte për drekë bashkë me familjen te një i afërmi i tyre, që kishte ardhur nga emigrimi për disa ditë pushimi në fshat. Biseda rridhte e qetë për jetën e përditshme, shoqërinë, gazetarinë, marrëdhëniet midis njerëzve. Ishim ulur për ta pirë kafen në një lokal, të cilin e menaxhonin 7 vëllezër, që bashkëbiseduesi e solli si një shembull të harmonisë, që duhet të ekzistojë, por që mungon çdo ditë e më shumë. “Të tillë shembuj gazetaria duhet t’i pasqyrojë gjithnjë e më shumë në faqe e në ekran dhe jo vetëm vrasje e krime të tjera”, – thoshte njeriu, që dikur kishte qenë për shumë vite kryeredaktor i gazetës “Drita”. U ndamë, me premtimin për t’u takuar së shpejti në botimin e librit të tij të radhës. Në Resulaj, familja e 24 vjeçarit u nis për drekë, ndërsa dy familjet e tjera, u mblodhën në shtëpitë e tyre, për shkak të vapës, që po shtrëngonte gjithnjë e më shumë me afrimin e mesditës. Pasdite, kur mësova për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Resulaj, m’u kujtua biseda që kisha zhvilluar paradite me Duro Mustafain. Tragjedia kishte ndodhur brenda një fisi, kishte shuar dy familjet brenda në shtëpitë e tyre. Mentaliteti i mbrapshtë kishte dhënë shembullin më të keq. Ai mentalitet, harmoni, ajo shoqëri e gazetari me lajme krimesh, për të cilat kishim folur shumë gjatë paradites.

Duke e ndjekur, si gazetar ngjarjen e ndodhur në gjithë kronologjinë e saj, më bëri përshtypje se nga mënyra si është sjellë pas vrasjes së 8 familjarëve të tij, ironik dhe gjakftohtë (në faqen e vetë në fb dhe me policinë kur e kanë arrestuar), mund të konsiderohet edhe si një akt i pastër terrorist. Nga ato që shohim e dëgjojmë të ndodhin përditë kudo nëpër botë, kryesisht në Amerikë. Dhe njerëz të tillë nëpër fshatra e periferi, por edhe qendra qytetesh, ka me shumicë. Të dëshpëruar e të braktisur shpirtërisht e materialisht prej disa dekadash. Me shpresa të humbura e në depresion, të rrezikshëm në çdo moment për të bërë dëm. Dhe është i gjithë faji i sistemit, (që në të vërtetë në Shqipëri nuk dihet se çfarë sistemi është) që prodhon të tillë njerëz. Ndaj, bëni kujdes dhe ruani veten, o njerëz , sepse nga momenti në moment jeni të rrezikuar nga të tjerët, por edhe nga vetja, sepse ky sistem shumëvjeçar që jetojmë mund të të kthejë në çdo çast në mostër! Në këtë sistem kushdo mund të jetë vrasës dhe viktimë.