Erdhëm në pushtet për popullin, por po u shërbejmë oligarkëve

310
Sigal

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, një nga figurat më emblematike të së Majtës shqiptare, shpërthen nga foltorja e Parlamentit kundër baëzisë me koncesionet duke akuzuar qevrinë e Rilindjes se po favorizon oligarkët duke burgosur të ardhmen e gjeneratës së re. Ne i përkasim së majtës por ju me pasurinë e popullit po krijoni ”kapitalizmin grabitqar” me tendera 30 vjeçarë

Ditmir Bushati akuza Kryeministrit Rama për “kapitalizëm grabitqar”

 Erdhëm në pushtet për popullin, po u shërbejmë oligarkëve

Deputetët socialistë miratuan një kërkesë të re të kompanisë koncesionare BMB e cila ka ndërtuar një port privat nafte në Porto-Romano, gjë që u kritikua nga deputeti socialist Ditmir Bushati si një transformim i vendit në një republikë kapitalizmi grabitqar. Kolegu i tij Balla i cilësoi kritikat si “patetike”. Një kompani, e cila mori një kontratë koncesionare në vitin 2015 për të ndërtuar një port privat për importin e naftës në Porto-Romano u lejua nga Kuvendi i Shqipërisë me kërkesë të saj që përveç naftës, të përpunojë në këtë port edhe mallra të tjerë. Porti MBM filloi ndërtimin në vitin 2015 në zonën e Porto-Romanos në Durrës me një vlerë investimi 15 milionë dollarësh. Objekti i koncesionit është ndërtimi i një porti vetëm për përpunimin e produkteve hidrokarbure. Por kompania kërkoi së fundmi që të lejohet të përpunojë edhe mallra të tjera dhe qeveria dhe deputetët socialistë ia miratuan menjëherë kërkesën. Por ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e konsideroi kërkesën si një praktikë oligarkike dhe vënie e shtetit në shërbim të privatit. Në një fjalim agresiv, Bushati argumentoi se në kushtet e pandemisë Kuvendi i Shqipërisë nuk mundet të vijojë punën si zakonisht për të miratuar ndryshime në një kontratë koncesionare pa u shoqëruar propozimi me një analizë të plotë të situatës.

Ditmir Bushati: Nuk kemi tagër të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re

Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri, pa garë, pa procedurë dhe pa ligj. Në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në të cilën po kalon vendi. Dhe unë dua ta filloj me një lutje në radhë të parë zoti Kryetar meqënëse jeni një deputet me shumë eksperiencë dhe shumë i matur në drejtimin e politikës shqiptare dhe Kuvendit. Jam 100% dakord me fjalën që ju mbajtët në fillim të kësaj seance ku thatë se ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe liritë ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë. Në rast se do i qëndrojmë këtyre fjalëve do ju lutesha sot fillimisht që mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes, gjithë aktorëve shtetërorë për të bërë analizën më të mirë të mundshme sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forcë e qëndrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër as si maxhorancë e as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Ne nuk kemi asnjë tagër zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, për të marrim vendime për 30 vitet e ardhshme. Ne na duhet strategji zhvillimi për detin. Kujtoj vitin 2009, Konventën tonë programore si PS, kur Preç Zogaj, në atë kohë me ne, mbajti një zotim në emër të koalicionit tonë për të pasur një strategji për vijën bregdetare, sepse është pronë e përbashkët. Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar, sot jetojmë në kapitalizëm dhe duhet që të trajtohet si një pronë e përbashkët publike, ku çdokush duhet ta dijë çfarë ndodh me vijën bregdetare, sa porte mund të ndërtohen, çfarë cilësie do të kenë këto porte, me çfarë sigurie duhet të ekzistojnë e kështu me rradhë. Po kështu në këtë Kuvend kam folur disa herë për përqëndrimin e pasurisë në një rreth vicioz njerëzish, dhe çfarë po synohet me këtë kontratë? Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror, gjyqtar, avokat, jurist. Mjafton të kesh bërë leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti.

Bushati: Të majtët nuk i japim pasurinë oligarkëve

Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të pagujanë taska shqiptarët e zkaonshëm këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati. Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë? Çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Çfarë duam të bëjmë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?! Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelen çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet.