Ëngjëll Musai – Turizmi i Kumbaros: Zaptimi i plazheve, djegia e pushuesve në verë dhe ngrirja në dimër

282
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf

 

Babëzia e shtetarëve/ Kilometra vijë plazhi publik do të kthehet 100% në privat, duke lënë shqiptarët pa asnjë cm2 plazhe publike. Vitin e kaluar ishin 715 sipërfaqe për plazhe publike, por dhe 380 që janë lënë këtë vit po zaptohen e mbushen me shezlonë dhe kioska, nga të “fortë” e familjarë të pushtetarëve.

Turizmi në Shqipëri është në ditën më të zezë të tij dhe kjo u pa gjatë sezonit turistik veror të 2022 dhe po e përjetojmë edhe në këtë dimër ku shirat nga njëra anë dhe bora nga ana tjetër kanë bllokuar rrugët drejt zonave turistike. Shkak i kësaj analize u bë deklarimi muaj më parë nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila deklaroi se 31 dhjetori do jetë afati i fundit i aplikimit për ndarjen e tortës publike të plazheve shqiptare për oligarkët e qeverisë. Edhe pse vendi ynë është i shtrirë mes deti, klimës mesdhetare dhe asaj malore të alpeve që mbulohen nga bora, përsëri roli i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është inekzistent. Kemi det, por rërën e zaptojnë oligakët dhe patronazhistët me vulën e qeverisë. Kemi male që mbulohen nga bora, por edhe ato pak ndërtime pjesë e iniciativës private, falimentojnë, sepse pushuesit dhe admiruesit e bardhësisë nuk shkojnë dot për t’i shijuar se rrugët bllokohen që me rreshjet e para të borës. Kemi detin me kripë, por kripa për të mbajtur rrugët e lira nga ngrica mungon. E vetmja gjë që ne mburremi janë shifrat që na servirin INSTAT dhe ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke na treguar se në 2022 në Shqipëri kanë hyrë mbi 7 milion e gjysëm turistë duke llogaritur edhe ata shqiptarë që hyjnë e dalin nga vendi, apo turizmin e shqiptarëve të Kosovës, që vijnë të shtunën në mëngjes apo të djelën dhe kthehen në mbrëmje në Kosovë. Dhe shifrat e vetë INSTAT tregojnë se mbi 40% e këtyre turistëve janë nga Kosova, që do të thotë mbi 3 milion persona ?! Kjo tregon që e gjithë Kosova të ketë ardhur në Shqipëri nga 2 herë, pasi popullsia rezidente është afërsisht 1. 6 milion banorë. Ndërsa pjesa tjetër rreth 20% e të llogariturve si turistë nga listat e hyrjeve në aeroporte ose 1.5 milion persona, janë qytetarët e vendeve aziatike që kalojnë 1 ditë apo 2 ditë nëpër shtëpi dhe hotele dhe që Shqipërinë e përdorin si pikë tranziti drejt Europës dhe Kanadasë. Por le të analizojmë faktet që e nxjerrin zbuluar tabllonë 3D të ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.


Kumbaro: Brenda muajit dhjetor bizneset duhet të pajisen me leje për plazhet

Në fund të muajit shtator 2022, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se brenda muajit dhjetor, të gjitha bizneset duhet të pajisen me leje për plazhet. Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë bilancit të sezonit turistik, që u zhvillua më 26 shtator në Durrës. Kemi qenë pa ndërprerë në territor çdo ditë. Bashkia e Himarës ka një rekord duke rritur të ardhurat me 137%. Nëse i referohemi shifrave të kaluar është kaluar mbi 2 milion vizitorë krahasuar me vitet e tjera. 29% më shumë vizitorë të huaj krahasuar me vitin e kaluar. Kemi rritje nga Anglia, Holanda, Gjermania, Italia apo edhe Spanja. Kjo tregon për reputacionin në rritje të Shqipërisë. Kemi një interes në rritje edhe për zonat e mbrojtura. Duke shkuar drejt objektivit që të kemi turizëm për gjatë gjithë vitit. Për vitin 2023 puna ka nisur që më 25 gusht. Stacionet e plazheve dhe zbatimi i rregullave të reja që kemi vendosur me VKM do të hyjnë në funksion brenda vjeshtë. Nga data 1 Nëntor deri në 30 do të hapet aplikimi për subjekteve, që aplikojnë për menaxhimin e stacioneve të plazheve. Ata që duan të ushtrojnë aktivitetin për ankorimin e mjeteve lundruese duhet të pajisen me leje të posaçme deri në datë 31 Dhjetor”, deklaroi Kumbaro. Mjafton kjo deklaratë e ministres së Turizmit për të kuptuar se prioriteti real i saj nuk janë cilësia, pastërtia, uji,energjia dhe politikat lobuese për të sjellë sa  më shumë turist kryesisht nga vendet e lindjes dhe ato nordike , çka do të përkthehej në të ardhura edhe më të mëdha për të gjitha entet e hotelerisë, turizmit të vogël dhe atyre ditorë. Për ministren Kumbaro më e rëndësishme se këto prioritete është shpërndarja e vijës bregdetare, numrit të zhezloneve, pasi këto janë më fitimprurëse për të dhe qeverisjen e rilindjes. Po ku e gjeni të drejtën ju zonja ministre që për një pasuri mbarëkombëtare dhe publike ta shpërndani për interesat klienteliste të një grupi të caktuar. Po vija bregdetare është pasuri publike dhe nuk ka vend në Europë që bënë një marrëzi të tillë. Shikojeni vijën bregdetare të Greqisë,Turqisë, Italisë, Spanjës, Francës dhe ku ndodh një marrëzi e tillë. Kjo është një grabitje dhe një çmënduri që e ka emrin Shqipëri. Në Spanjë pushteti lokal dhe ministria e linjës interesohen që të krijojnë kushte për të gjithë turistët, si ata  ditorë dhe ata që janë të akomoduar në hotele. Shteti krijon sigurinë me rojet e plazhit që të mos ketë mbytje dhe ngjarje të jashtëzakonshme, pastërti, shërbime ushqimore, ndihmën e shpejtë mjeksore, bashkëpunon me policinë bashkiake dhe atë të rendit, tualetet, dushet, ndalimin e kafshëve, etj. Por mbi të gjitha nuk ka asnjë mundësi që plazhet të zihen nga zhezlonet prej privatëve dhe hotelerive dhe aq më tepër që me një urdhër të ministrisë të ndahet vija bregdetare me urdhër dhe autorizim nga ministria e Turizmit. Hotele me 5 yje në Valencia nuk kanë asnjë mundësi të vendosin çadra dhe zhezlone private në bregdetin e Spanjës. Turistët e hoteleve janë të barabartë me qytetarët  dhe kushdo që do të bëjë plazh, mer me vete çadrën dhe peshqirat dhe me kaq gjithçka mbaron. Por marrëzia e zënies së plazheve ndodh vetëm në Shqipëri dhe dihet arsyeja se përse bëhet. Janë shërbesat klienteliste të ministrisë së partisë për militantët, patronazhistët dhe grumbulluesit e votave. Zonja ministre! Lëri qokat me ndarjen e rërës, se ajo është pasuri kombëtare, por merruni me detyrat që ka çdo institucion i tillë kudo në botë. Ndaloni ujrat e zeza që derdhen në det, se po sëmurin qytetarët. Kontrolloni cilësinë e ushqimeve, të ujit të pishëm, që mungon, të dusheve që janë me ujë pusesh, energjinë, sigurinë se mbytjet janë lajmi i parë i çdo sezoni turistik, rendin dhe krimin në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe ministrinë e Brendshme, parkimin e mjeteve etj. Ja këto janë detyrat dhe detyrimi që keni ndaj votuesve shqiptarë, si atyre që ju kanë dhënë votën, edhe të atyre, që nuk ju kanë votuar apo ua keni manipuluar dhe blerë këtë votë me një thes miell.

Analiza vjetore e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit,

Përveç shifrave të shtirura dhe shitura si turistike vendi ynë mbetet i fundit në Ballkan për cilësinë e turizmit, pastërtinë dhe të ardhurat për turistë. Drejtorët e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ose e kanë mashtruar Ministren Kumbaro ose asaj vetë i pëlqen të fryjë shifrat për t’u dukur e suksesshme para shefit, që dikur kur Kumbaro ishte ministre tek Kultura e bënte të qante në podiumin e Kuvendit. Kumbaro deklaron se në Shqipëri kanë hyrë 7 .7 milion turista. Por popullsia shqiptare moj zonja ministre në 1990 ishte 3.7 milion dhe rrugët, bulevardet dhe sheshet ishin plot e përplot. Llogaritë 7.7 milion turistë dhe 2.8 milion shqiptar që banojnë në vendin tonë do të kishim rreth 10 milion e gjysëm persona që shëtisnin në rrugë, plazhe, fusha dhe male dhe nuk do kishe vend ku të kaloje. Ndaj themi që ky është një mashtrim klasik i juaji. Nëse llogarit 500 mijë shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë që vijnë të shtunave e të dielave dhe ikin brënda ditës, është tjetër gjë. Dhe ky numër që vjen minimalisht 4 herë në muaj po t’i mbledhim në 3 muaj të verës, atëherë i bie që ata vijnë 12 herë x 500 mijë, dhe shuma shkon 6 milion qytetarë. Kjo është llogaria e saktë dhe turistët realë gjatë gjithë vitit mbeten rreth 1 milion, pasi 700 mijë të tjerë janë shqiptarë që vijnë në pushimet e verës dhe në festat e vitit të ri. Ju vërtetë mendoni se do i mashtroni shqiptarët duke u thënë se shumica e turistëve kanë ardhur nga Spanja, Anglia, Gjermania e Zvicra ?! Mos mashtroni në mënyrë kaq të papërgjegjshme se plazhet e Spanjës janë simbol i turizmit botëror. Ju deklaruat se largimi i shqiptarëve jashtë vendit për turizëm u rrit me 40%. Ata që mbetën janë pensionistë dhe familje të varfëra, që nuk kanë lekë për bukë dhe jo më për turizëm elitar jashtë vendit. Në këtë analizë do ishte në nderin tuaj të flisnit se përse mbyten turistët në bregdetin shqiptar dhe a mban kush përgjegjësi për këto jetë të humbura pasi ministria juaj ka shpenzuar plot 25 milion euro për trajnimin e ‘Rojeve Bregdetare’ nga paraardhësi juaj. Ngrihu në lartësinë e detyrës dhe dërgoje në SPAK, po ke kurajo ministrin që ka shpenzuar këto 25 milion euro! Denonco skafet dhe motorrët e ujit që po marrin jetë të pafajshme dhe të fëmijëve të vegjël, apo lokalet e trafikut të drogës në bregdet. Por ju nuk e bëni këtë ,ndaj e keni vëmëndjen të ndani copat e plazhit për interesat klienteliste dhe më gjerë. Ndaj dhe shprehja e Artan Lames në korrik 2016, kur ju ishit ministre e Kulturës, pas masakrimit të kalave se: “Po silleni me kalatë, si të marrët e Kalifatit me monumentet”, është po kaq reale edhe sot kur ju si ministre e Turizmit dhe Mjedisit po shkatërroni vijën bregdetare.

Kumbaro merret me ndarjen e plazheve dhe harron që turizëm është edhe ai dimëror. UNESCO, gati penalizimin për liqenin e Pogradecit

Ministrja Kumbaro anashkaloi dhe nuk u kujtua të fliste për turizmin dimëror dhe atë para veror, si në zonat malore ashtu edhe në alpe, apo zonat e shenjta dhe piktoreske. Shqipëria sapo bie bora e parë, në vend që të kthehet në një vend atraktivë, izolohet nga rrugët e mbuluara me borë, mungesa e energjisë, furnizimit me ushqime, ndihma mjekësore etj. Javën e kaluar edhe pse pritej të binte dëborë në zonat malore, dhe kompanitë koncesionare që fitojnë para qyl nga shteti duhej të kishin marrë masat për zhbllokimin e rrugëve dhe njoftimin për turistët vendas dhe ndonjë grupi të huajsh që të ishin të qetë dhe garantuar për sigurinë e rrugëve. Por faktet treguan se rrugët u bllokuan dhe qindra shqiptarë u drejtuan drejt Kosovës, e cila edhe pse është në nivel më malor, i kishte në gadishmëri si rrugët, energjinë, kulinarinë etj. Ja ky është modeli që duhet të marrësh dhe zbatosh në Shqipëri zonja ministre e Turizmit të dështuar dhe Mjedisit të pisët dhe pa ujë! Ministrja e turizmit Mirela Kumbaro foli nga Pogradeci edhe për Liqenin e Ohrit i cili sipas saj nuk rrezikohet të hyjë në listën e rrezikut të lartë të UNESCO. Nga ana tjetër, Kumbaro ka pranuar se ka prani të mbetjeve minerare në disa zona përgjatë vijës bregliqenore. Por e vërteta është se në Liqenin e Ohrit derdhen ujërat e zeza të të gjithë fshatrave të njësisë administrative të Hudënishtit, një problem ky që ende nuk ka marrë zgjidhje. Liqeni i Ohrit është ndër më të vjetrit në Europë, me një biodiversitet të larmishëm dhe habitat natyror për gati 300 specie endemike, por sasia e Hekurit mbi normat e lejuara, a rrezikojmë duke konsumuar peshqit e liqenit të Ohrit?

“Telegraf” e ka denoncuar sinjalin e eleminimit dhe “pushtimit” të plazheve publike, qysh në datën 26 maj 2015

 

Eshtë VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 84, botuar me urgjencë 5 ditë pas miratimit në qeveri e parlament (25 maj 2015), për menaxhimin e plazheve, nëpërmjet formës së dhënies, marrjes dhe përdorjes së tyre me qira prej privatëve. Në këtë VKM absurde, shteti legalizon një tjetër zaptim e gllabërim të hapësirave të përbashkëta pronë shtetërore e publike, duke lënë shqiptarët pa plazhe të lira, por të pushtuara me qira simbolike 50 lekë metri katror, ndërkohë që privati e shet tek pushuesit në formë monopoli, me 500 deri 1000 lekë me qira për çdo metër katror. Kjo VKM e dalë posaçërisht për të gllabëruar plazhet publike, duke mos lënë asnjë metër katrorë të lirë publik për qytetarët, ka një paramendim të kuptueshëm, për qëllimin që ka dalë. Vija bregdetare, liqenore e lumore shqiptare ka një gjatësi prej 450 km, 316 kilometër nga e cila janë bregdet, 48 kilometër janë breg lumor dhe 73 kilometër janë breg liqenor, përshirë këtu edhe vijën lagunore, vijë kjo që fillon nga grykëderdhja e lumit Buna deri në jug të vendit, në “Kepin e Stillos”. Pikërisht kjo vijë plazhore, e cila është funksionale për plazh deri në 278 kilometër gjatësi nga veriu-në jug, është bërë viktimë e planit djallëzor e të paramenduar për t’u zhvatur prej matrapazëve të veshur me pushtet dhe prej familjarëve e klientëve të tyre të përzgjedhur, të cilët sa herë ndahen “thela” pronash, ata janë të parët dhe të vetmit në listat e përfitimit me qira, me privatizime, me koncesione, me falje.

Skenari me rregullore, që rregullon interesat e mafies së plazheve, pushton totalisht plazhet, duke i kthyer ato në biznes privat, ku qytetarët do të hyjnë me pagesë, në të kundërt nuk do të hyjnë: mbasi plazhet shqiptare nga veriu në jug, do të ndahen në “bahçe private” të një liste klienteliste, që kanë përzgjedhur bashkitë dhe mafia koncesioniste qeveritare e “Rilindjes”, dhe duke i përdorur këta të fundit si financier të fushatave elektorale.

Qytetarët mbeten pa të drejtën publike për të pushuar në plazhe. Sipas kësaj rregulloreje duhet të paguajnë sipas çmimeve që vendosin privatët për rërën, ujin e hijet e pemëve atje ku i kanë shpëtuar masakrës ndërtimore të mafies pushtuese të bregdetit. E thënë më thjeshtë, plazhe publike do jenë vetëm ato zona ku privatët nuk denjojnë të investojnë…

Kryebashkiakët heshtin para babëzisë edhe pse , sipas nenit 5, pika 2 të VKM Nr. 171, datë 27.3.2019, me objekt: “Rregullorja për stacionet e plazheve”, të drejtën për të dhënë sipërfaqet e rërës me qira, për të lidhur kontratat dhe për të mbledhur të ardhura prej tyre, e kanë vetëm bashkitë në zonat bregdetare. Madje për vitin 2022, Kumbaro ka lënë vetëm 380 parcela plazhi për përdorim publik pa pagesë, që janë sipërfaqe kategoria e fundit me sipërfaqe 800-1000 m2 dhe larg zonave ku janë resortet e oligarkëve, hotelet e ministrave, politikanëve e trafikantëve.

Kumbaro firmos pushtimin e bregdetit nga ndërtimet, përjashton nga tatimfitimi për 10 vjet hotelin e Manes në Palasë

Trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status specia investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

Qeveria ka miratuar këtë javë statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për Green Coast sh.p.k:Vendim i publikuar këtë të premte në Fletoren Zyrtare saktëson se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi është ministria përgjegjëse për turizmin. Green Coast sh.p.k, pjesë e Balfin Group po zhvillon një projekt në Jug të vendit dhe konkretisht në Palasë ku përveç vilave është angazhuar edhe në ndërtimin e një hoteli markë me 5 yje. Projekti ka përfituar gjithashtu statusin e investimit strategjik. Por çfarë përfiton në fakt projekti nga marrja e statusit special? Qysh nga viti 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore, që synonte lehtësime fiskale për kompanitë që do të angazhohen në sjelljen e markave ndërkombëtare në fushën e hotelerisë. Konkretisht sipas ndryshimeve ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit, përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike, të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Në atë kohë u bë gjithashtu vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve, që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Më parë ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH. Hotelet kanë lehtësi edhe te taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës është zero.