” Ende nuk jemi te vendimmarrja e Statusit Kandidat”

570
Sigal

INTERVISTA/Ditmir Bushati, Kryetari i Komisionit të Integrimit: “Duhet të kryerjemë detyrat në funksion të demokratizimit të të gjithë shoqërisë”

Edhe pse 21 vjet në tranzicion, politikanët tanë  ditën e që Komisioni Europian prezantoi progres-raportin, e  “dogjën” Tiranën nga  fishekzjarrët,  sepse festuan një status me  …kusht. Ndërsa shqiptarët emigrantë, në vendet e BE-së, akoma, pas 21 vjetëve diferencohen, pasi Shqipëria ende  nuk është në …Europë, thua se gjeografikisht jemi në Afrikën Jugore. Dëgjova në parlament politikanët që u vetëmburrën për një parastatus që u dha ( për mëshirë),  ndërsa disa metra larg parlamentit ish të burgosurit politikë vetëdigjen, thua se jemi në vitin 1992. Njëkohësisht, shikoj njerëz në rrugët e Tiranës që kanë në sy ankthin, frikën e ditës që vjen, pasi nuk kanë shpresën për të …mbijetuar. Gjysma e Shqipërisë , si emigrantë, janë bërë pjesë e Europës, çereku,  politikanët  janë bërë “europianë” nga qesja e parave, ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve, që nuk kanë bukë të hanë, u jepet statusi i kandidatit me …kusht! Ky është realiteti që jetojnë shqiptarët, përjashtë propagandave politike. Zoti Ditmir Bushati, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, sqaron se nuk jemi në vendimmarrjen e statusit kandidat, por 3 kushtet, e sidomos kryekushti, mënyra se si do të kryhen zgjedhjet në 2013-n, do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të pranohet në paradhomën e BE-së.

– Zoti Bushati, e merituan statusin kandidat, apo na i dhanë ?

– Nuk bëhet fjalë ende për këtë lloj pyetje, sepse ne jemi në kushtet kur Komisioni Europian ka bërë një propozim të kushtëzuar. Pra, nuk jemi ende te vendimmarrja e statusit. Nga pikëpamja proceduriale,  është e rëndësishme që kjo të sqarohet. Aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian, rezultat kryesor ka logjikisht  hapjen e negociatave për anëtarësim. Ndërsa ne nuk jemi as te hapja e negociatave për anëtarësim , as  ende te statusi, sepse jemi në kushtet kur është bërë një propozim i kushtëzuar për statusin. Janë përcaktuar disa nga detyrat e mbetura që duhet të përmbushen deri në muajin dhjetor, ku do të mblidhet Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE-së. Dhe ata janë forumi vendimmarrës për këtë çështje. Komisioni ka atribute rekomanduese, ndërsa Këshilli i Ministrave ka atribute vendimmmarrëse.

– Jemi qasur sot më afër realitetit të demokracisë europiane?

– Jo, kjo do të ishte një fjalë e madhe dhe do të ishte një pretendim i madh që ne të kishim  qasur realitetit të standarteve europiane, por nga ana tjetër, Shqipëria e 2012-s është në një pozitë më të mirë nga Shqipëria e e një e dy vjetëve të kaluar. Falë marrëveshjes politike të nëntorit 2011, janë hedhur disa hapa. Së pari kemi patur një rishikim të planit të veprimit të 12 prioriteteve, së bashku ministria e Integrimit dhe Komisioni parlamentar i Integrimit, çka vlerësohet në progres-raportin e KE-së. Janë përmirësuar e miratuar një sërrë ligjesh që kërkonin shumicë të cilësuar ( konsensusin politik), është miratuar në mënyrë të përbashkët reforma zgjedhore, është thuaj  drejt fundit reforma parlamentare, është përzgjedhur me një proces model Avukati i Popullit, i cili po e kryen detyrën e tij më së miri, pavarësisht burimeve të kufizuara që ka. Përgjithësisht, Shqipëria ka avancuar në ato çështje që kanë  të bëjnë me bashkëpunimin politik. Ndërkohë, që plotësimin me masën e nevojshme të 12 prioriteteve është një kusht, sipas Komisionin Europian, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kryekushti, ose kryeteksi i gjithë kësaj, natyrisht janë mënyra se si do të mbahen zgjedhjet e 2013-s. Dhe për t’i kthyer përgjigje shqetësimit tuaj, rasti i zgjedhjeve është një tregues  shumë ekuilent. Pra, miratohet reforma zgjedhore dhe Komisioni Europian vlerëson  atë çka është bërë në letër, por nga ana tjetër, nga tani e deri në qershor, Komisioni Europian, të gjithë patnerët ndërkombëtarë do të jenë  shumë të vëmendshëm dhe shumë rigoroz për të shikuar  se sa ato gjërat, për të cilat ne kemi rënë dakort në letër, do të zbatohen në praktikë. Dhe në rast se Shqipëria do të bëjë, pas 22 vjetësh tranzicioni, zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standartet europiane, kjo do të jetë përcaktuese e statusit kandidat, por edhe e vazhdimësisë të negociatave për pranimin e anëtarësisë në BE.

– A mund të pretendojmë të marrim statusin e kandidatit në BE, kur, ndërkohë, BE-ja nuk na beson se mund të zhvillojmë ende zgjedhje të lira demokratike?

– Kjo është edhe arësyeja përse Komisioni Europian e ka vendosur si kryekushtin, çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Asnjë vend tjetër, nuk e ka këtë kusht. As Serbia, as Mali i Zi. Është një çështje e cila është akumuluar prej kohësh, nga disa rotacione politike në Shqipëri. Ky është një problem readikal dhe kjo është edhe arësyeja përse na kanë vënë në kohëprovë.

– Ngërçi i zgjedhjes të Kryetarit të ri të KQZ-së, mos vallë është një paralajmërim, që fushata e 2013-s do të bëhet e “egër”, siç parashikon edhe raporti i OSBE-së?

– Nuk shoh ndonjë gjë të rëndë, që fushata do të jetë e egër. E rëndësishme është që fushata të jetë në përputhje me rregullat e lojës  dhe në përputhje me ligjet dhe me parimet që kemi përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Por nga ana tjetër, është ende herët për të folur për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet. E rëndësishme  është që të punohet  çdo ditë  për zbatimin e Kodit Zgjedhor, e këtu e kam fjalën për infrastrukturën zgjedhore, që është elementi kryesor sepse  zgjedhjet çalojnë në Shqipëri.

– Mendoni që politika jonë   e ka kuptuar që, pas dhënies të statusit kandidat,  që roli i saj duhet të jetë  më i përgjegjshëm?

– Do të dëshiroja shumë.

– Ka vend për eufori politike, sepse tani shikojmë  shfaqje euforike, por pakëkush ka vënë theksin te analiza e progres-raportit?

– Duhet që ta shfrytëzojmë këtë proces. Ajo që ka ndodhyr me Shqipërinë është e papranueshme. Është një përgjegjësi shumë e madhe, kryesisht e klasës politike në Shqipëri, e posaçërisht, e atyre që e kanë qeverisur Shqipërinë, këto tre vite. Por e thashë edhe njëherë tjetër. Qëllimi i aplikimit për anëtarësim në BE është të ulesh në tryezën e bisedimeve për anëtarësi. Nuk është as statusi dhe as parastatusi, siç jemi ne tani, te faza e parë e statusit. Pra, ne duhet ta shikojmë me shumë realizëm këtë çështje dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë proces.

– Kur thoni, “ta shfrytëzojmë këtë proces” çfarë kuptoni më shumë?

–  Duhet ta shikojmë me realizëm, duhet të shikojmë kryerjen e detyrave të shtëpisë në funksion të demokratizimit dhe transformimit të të gjithë shoqërisë shqiptare, të jetës sonë publike.

– Pse PS-ja ka ndryshuar shpeshherë qëndrimin e saj politik, aq sa janë cilësuar si tërheqje ndaj maxhorancës dhe faktorit ndërkombëtar!

– Nuk ndaj të njëjtin mendim.

– Mos doni të thoni që  lëshimet e PS-së,  janë bërë në funksion të kontributit konstruktiv, për hir të konsensusit?

– Absolutisht. Qëndrimet e PS-së kanë qënnë në përputhje me angazhimet që PS-ja ka si forcë  alternative qeverisëse.

– Ju faleminderit!