“Mosvotimi i Kryetares së KQZ-së nga opozita është një premisë e fillimit të mosbesimit”

441
Sigal

INTERVISTA/ Dëshira Subashi, ish-anëtare e KQZ-së: “Rekomandimet e ODIHR-it për përbërjen e KQZ-së, nuk u plotësuan”

Me zhvillimet politike në Shqipëri, edhe pse BE-ja, u mundua të tregohej zemërgjerë, duke na dhënë një (para)status me kushte, politikanët shqiptarë, duket sikur kanë vënë bast me vetveten, se si  në çdo rast të mundshëm përpiqen që të sfidojnë rekomandimet e BE-së, e të organizmave të tjera ndërkombëtare. Një ditë pasi BE-ja i dha me kushte Shqipërisë statusin kandidat, Parlamenti shqiptar voton Kryetare të KQZ-së, drejtoreshën e Kryetares së Kuvendit, ndërsa Kryeministri shpërblen Ristanin, për shërbimet që i dha si kryetari i KQZ-së, me rol aktiv në PD! Zonja Dëshira Subashi, ish-anëtarja e KQZ-së, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, “rekomandimet e ODIHR-it nuk u plotësuan me zgjedhjen e KQZ-së së re”. Duke vazhduar edhe më tej logjikën e këtij konkluzioni, zonja Subashi paralajmëron se: “Zgjedhja e Kryetares së re të KQZ-së, pa konsensusin e opozitës, është premisë e fillimit të mosbesimit”. Me fjalë të tjera, kushti kryesor i BE-së, për statusin kandidat, është sfiduar që ditën e parë, nga vetë politika shqiptare. Këto sfida mund të shpjegojnë përse periudha e  tranzicionit në Shqipëri i afrohet gjysmë shekullit.

-Zonja Subashi, tashmë që kemi KQZ-në e re, mund të themi që është arritur rikompozimi i saj, sikurse ishte kërkesa kryesore e PS-së në Reformën Zgjedhore, por edhe shpresa e shumë shqiptarëve, të cilët u zhgënjyen me rolin e KQZ-së në zgjedhjet e 2009-s e 2011-s?

– Është e vërtetë që ky ndryshim ishte kërkesë e PS-së gjatë reformës zgjedhore, për  të ndryshuar KQZ-në, që administroi procesin zgjedhor të vitit 2009 dhe 2011.  Unë besoj se nuk  është plotësuar kërkesa kryesore e PS-së në reformën zgjedhore për rikompozimin e KQZ-së, derisa Kryetarja e re e KQZ-së nuk është produkt i kompromisit, sikurse është reforma zgjedhore. PS-ja synoi një Kryetar të KQZ-së të zgjedhur nga institucionet e drejtësisë dhe institucione të pavarura, por PD-ja nuk e pranoi.  Gjithsesi, reforma duhej përfunduar, mendoj se duhet të ketë qenë çështje kompromisi pranimi i këtij ligji që kemi, kompromis që mund të jetë lidhur edhe me ndryshimet e tjera të Kodit Zgjedhor. Kështu funksionon, edhe pse personalisht mendoj se anëtari  i shtatë i KQZ-së (që përkon të jetë Kryetari)  është pozicioni garantues i vendimmarrjes dhe duhet të jetë si një balancë e anëtarëve të propozuar nga maxhoranca dhe opozita

– Së pari, procedura e përzgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së, a mund të jepte te të gjithë kandidatët që dëshironin të njëjtat mundësi- sikurse pretendohet nga ligjvënësit?

– Procedura për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së e parashikuar në Kodin Zgjedhor i jepte të drejtë kandidimi të gjithë personave që e dëshironin këtë post dhe plotësonin kushtet ligjore, ndryshe nga Kodi i mëparshëm, që në mënyre direkte i jepte të drejtën e propozimit partisë në maxhorancë qeverisëse. Por deri këtu. Rekomandimet e ODIHR-it për përbërjen e KQZ-së, nuk u plotësuan.

– Ju mendoni se u shkel procedura nga Komisioni i Ligjeve dhe u imponua vullneti i PD-së, për të përcjellë me çdo kusht 2 kandidatë e votuar nga PD-ja?

– Jemi para shkeljes se Kodit Zgjedhor, sepse 2 kandidaturat e votuara nuk i përmbushnin kriteret.   Ndaj, në bazë të ligjit, nuk mund të përzgjidhen për t’u seleksionuar nga opozita. Përzgjedhja bëhet vetëm me kandidatë që plotësojnë kriteret e ligjit për konkurrim. Në çdo rast, PD-ja në Komisionin e Ligjeve dhe në Kuvend është e favorizuar në votim për shkak të numrit të anëtarëve që ka në këto institucione.

– Një ditë pasi Këshilli i Europës publikoi progres- raportin dhe propozoi dhënien e statusit kandidat Shqipërisë me kushtin kryesor se si do të zgjidhen zgjedhjet e 2013-s, zgjedhja njëanshmërisht e Kryetares së KQZ-së, a mund të merret si sfidë politike e Berishës ndaj BE-së?

– Sigurisht, zgjedhjet e vitit 2013 janë të një rëndësie të veçantë për çështje e integrimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç ishin edhe zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2011. Zgjedhja e njëanshme e Kryetares së KQZ-së nuk mund të ketë  ndikim të drejtpërdrejtë. E rëndësishme për raportet e integrimit do të jetë në se do të kemi nga ana e saj pozicionin e një arbitri të paanshëm. Shqiptarët e dëshirojnë, e meritojnë, sfidat politike koha i provon.

– Po deklarata e Berishës, se tani e tutje Ristani do të jetë aktiv në krahun e tij politik, mund ta marrim si shpërblim politik që i bën Berisha “kontributit” të Ristanit që i dha (Berishës) në zgjedhjet e 2009-s e 2011-s?

– Sigurisht që po. Zoti Berisha këtë e ka thënë hapur dhe publikisht. Veçse nuk përbën etikë politike, që Kryeministri të “shpërblejë” kështu një Kryetar të KQZ-së, i cili është kontestuar për shërbime të porositura gjatë kryerjes së detyrës në KQZ. Kjo më shumë dëmton Berishën, duke dhënë  vetë ai, kështu provën e akuzave politike që i ka bërë opozita, duke provuar vërtetësinë e opozitës. Ndodhi ajo që thotë populli: i shërbeu, e shpërbleu.

– Duke u nisur nga përvoja juaj, përse administrata zgjedhore deri te KQZ-ja  përse  nuk depolitizohen?

– Partitë politike kanë mungesë besimi të madh tek përzgjedhja e njerëzve të pavarur, kanë mungesë besimi tek institucionet e shtetit. Jeta është në të vërtetë tejet e politizuar. Kjo situatë e politizuar nuk bën të mundur depolitizimin e administratës zgjedhore. Ndonëse Kodi i Praktikave të Mira Zgjedhore,të Komisionit të Venecias rekomandon që në vende me demokraci të pakonsoliduara komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve duhet të jenë të pavarura. Vendet me demokraci të konsoliduar mund të kenë komisione zgjedhore me përbërje politike, sepse, duke qenë një demokraci e konsoliduar, nuk  ndodh ndikimi politik mbi to. Ndaj edhe ODIHR-i, në rekomandimet e vitit 2011, kërkonte në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që përbërja e KQZ-së të ishte e pavarur, kjo sërish nuk ndodhi. Besoj për arsye besimi të munguar.

– Që një KQZ të jetë larg ndikimeve të interesave politike të PD-PS, çfarë duhet bërë? 

– Vetëm të zbatojë korrektësisht, pa interpretime të mbrapshta ligjin. Kjo është detyra. Interesat e partive politike për proceset zgjedhore janë të pranishme në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Zbatimi i ligjit kërkon dinjitet profesional dhe e ritheksoj uroj KQZ-në e re që ta marrë këtë notë, që do t’i lejojë të jenë jashtë ndikimit të interesave të politikës.

– Kush është synimi juaj, tani në përfundim të mandatit në KQZ?

– Kodi Zgjedhor ka parashikuar që me mbarimin e mandatit anëtari i KQZ-së kthehet në punën e mëparshme ose në një vend ekuivalent me të,kur nuk është e mundur. Në momentin që unë kam marrë detyrën e anëtarit të KQZ-së, kam qenë gjyqtare, në Gjykatën e Apelit Tiranë. Është një e drejtë e ligjshme që institucionet kushtetuese duhet ta realizojnë, sepse jepet në këtë mënyrë edhe një mesazh publik, që institucionet kushtetuese zbatojnë të parët Kodin Zgjedhor.  Besoj, në kohë e sipër, të shikoj vlerësimin për punën që kam kryer dhe ky është synimi im.

– Faleminderit!