Ish-presidenti Nishani për propozimin e Sandër Lleshajt për postin e Ministrit të Brendshëm
Ish-Presidenti, Bujar Nishani ka treguar se si do të vepronte sa i përket propozimit për të dytën herë nga Kryeministri Rama të Sandër Lleshajt për postin e Ministrit të Brendshëm. Z. Nishani tha në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH, se ai gjen dy argumente që e pengojnë Lleshaj të marrë këtë pozicion. “Zotëria është ende ushtarak. Vendosja e tij në postin e zv. Ministrit të Brendshëm, e ka ekspozuar këtë njeri si një person që nuk ka respekt për ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Ai prej vitesh ka shkelur ligjin, që nga 2013-ta kur ka hyrë në zyrën e këshilltarit të kryeministrit. Edhe pse vendimi i Gjykatës është marrë në dhjetor 2017, z. Lleshaj e ka pranuar shpërblimin financiar, si të kishte qenë një ushtarak aktiv, kjo është përgjegjësi ligjore administrative. Pastaj duhet vërtetuar, nëse vërtet i ka marrë dy paga publike të shtetit shqiptar, që nga dita që ka dalë në lirimin, ka shpërdoruar detyrën me dëm financiar, çka e ngarkon me përgjegjësi penale. Nëse do të dekretohet për të dalë në lirim dhe nëse ezaurohet ky moment, po të isha president do të kërkoja një interpretim në gjykatën kushtetuese për këto 2 çështje. Do të prisja vendimin dhe po të mos i konsideronte si elemente pengues gjykata kushtetuese, atëherë do ta dekretoja”, u shpreh Nishani në RTSH. Por edhe varianti i propozuar nga ish-Presidenti Nishani është i vështirë të marrë formë në realitet, pasi prej muajsh Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit. Tejzgjatja e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë e bën të vështirë të parashikohet, se kur kjo Gjykatë do të rikthehet në funksion.
Nishani: Dyshoj te reforma në drejtësi. Mungon një mekanizëm kontrolli
Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehet dyshues për rezultatet e reformës në drejtësi. Në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, në RTSH, Nishani tha se i gjithë procesi është bërë me nxitim, që sipas tij ka pasur motiv politik. Sipas tij në procesin e vettingut ka pasur standard të dyfishtë. “Ka edhe të korruptuar dhe të paaftë që e kanë kaluar vettingun dhe këta do të vazhdojnë detyrën. Apelimi i OMN-së i gjysmës së atyre që kanë kaluar verifikon shqetësimin tim, që kanë kaluar njerëz që nuk e meritonin. Dyshoj se do të pranohet apelimi i tyre, pasi ka pasur emra të kontestuar edhe nga trupa që do të bënte vettingun, sepse edhe trupa vet është zgjedhur me konotacion politik”, – tha Nishani. Ish Presidenti Nishani tha në RTSH se edhe mënyra u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm është tregues se sistemi nuk po funksionon. “U dhunua Kushtetuta në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo më shqetëson. Garancinë duhet ta jap mekanizmi, ligji, Kushtetuta, jo Presidenti apo Kryeministri. Nëse dalim nga mekanizimi rrezikojmë të shkojmë në anarki. ”,- tha Nishani dhe theksoi se nevojiten sërish ndërhyrje në ligj për të vendosur mekanizmat që kanë shtetet e përparuara të Evropës.