Emërimet e diplomacisë shqiptare “qoka” për “Rilindjen” e Soros-it

611
Sigal

Pas dështimit të qeverisë me menaxhimin shëndetësor të Covid-19, edhe Ministria e Jashtme me Gent Cakën po dështon me sukses në menaxhimin e krizës së emigrantëve në kufi. Shumica e diplomatëve shqiptarë të emëruar në ambasada dhe konsullata firmosin për herë të parë në bordero, pa patur përvojë diplomatike. Ja lista me emërimet nepotike të familjarëve të Rilindjes në ambasada dhe konsullata

 

Ministria e Jashtme Shqiptare po dështon me sukses në menaxhimin e krizës së emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë mbetur prej më shumë se dy ditësh në pikën e Kakavijës, në pritje të rikthimit në shtetin fqinj. Situata që vijon pa zgjidhje prej mbi 60 orësh është një tregues i qartë se ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka qenë tërësisht i paaftë të menaxhojë situatën me autoritetet greke. Por, kriza e Kakavijës, është një ndër dështimet më të fundit në radhë të diplomacisë shqiptare. Vendi ynë, sidomos gjatë viteve të fundit, është përfshirë në hartën e zhvillimeve botërore vetëm në raportet negative, për pastrimin e parave, korrupsionin dhe lirinë e medias. E vetmja pikë ku ka “shkëlqyer” djaloshi Gent Cakaj, është politika e kuadrit, në bazë të të cilës “rilindas” e pinjollë të tyre, si edhe elementë të Soros, kanë zënë poste kyçe në selitë diplomatike të vendit tonë në vende të ndryshme, kryesisht në Europë.

Boldnews.al” ka marrë një material anonim, por me të dhëna konkrete, në të cilin denoncohen emërimet  “qokë”, në shkelje të ligjit, të kryera nga ministri në detyrë, Gent Cakaj.

Emërimet “qokë”
Në misionin shqiptar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE) në Vjenë, është emëruar znj. Erida Dobrushi, bashkëshortja e Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i organizatës  “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros”. Nga të dhënat publike, znj. Dobrushi rezulton zv.drejtuese e Presidencës Shqiptare të OSBE-së. Gjithashtu, në të njëjtën seli punon edhe zonja Fjona Isufi, nusja e djalit të Fatmir Mediut. Sipas materialit denoncues, znj. Isufi është emëruar pa eksperiencë, menjëherë sapo ka përfunduar studimet e larta. Në listën e emërimeve të tjera, pa status, të kryer në selitë diplomatike shqiptare, renditen edhe Sokol Bega, Ivis Noçka, Gentian Dekovi, Dalimir Kurti dhe Edasarela Mustafaraj. Në Misionin Shqiptar në Strasburg është emëruar  Sidita Gjipali, motra e Gledis Gjipalit, drejtuesit të “Europian Movement Albania”, i njohur për lidhjet e ngushta me ish-ministrin e Jashtëm të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati. Lista e emërimeve të zyrtarëve diplomatë, pa status, vijon të jetë edhe më e gjatë, sipas materialit denoncues. Për disa prej emërimeve, “Boldnews.al” kreu verifikime në të dhëna publike, nga ku rezultoi se ata realisht ishin të emëruar në ambasada e konsullata shqiptare në vende të ndryshme europiane.

Materiali denoncues, vijon:
– Në Ambasadën Shqiptare në Bullgari, është emëruar konsulle Arxhilda Rringaj, pa status.

– Në Ambasadën Shqiptare në Hollandë është emëruar si konsulle, pa përvojë në diplomaci, Kejsi Ziu. Ajo zëvendësoi zonjën D.T, e cila u largua pas një skandali penal të një familjari të afërt.

– Viliem Kurtulaj, pedagogu i cili u tregua shumë aktiv në protestat e studentëve në vitin 2019, tashmë ka “kapur” një emërim diplomatik nga Gent Cakaj. Ai ushtron detyrën e Konsullit në Ambasadën Shqiptare në Hungari.

– Balciana Rakipi, vajza e ish-deputetit Aqif Rakipi, është emëruar konsulle në Prishtinë, pak pasi u shkarkua nga ambasada në Londër.

– Bukuroshja Mariela Berliku, ish-miss Shqipëria, është zgjedhur të kryejë detyrën e konsulles në Zagreb, Kroaci.

– Në Romë është emëruar konsull Armando Memushi, ndërsa në Milano, Blerina Visha, të dy të sapo-diplomuar, pa status diplomati.

– Gjithashtu pa status diplomati, është emëruar si Këshilltar në Ambasadën Shqiptare në Zvicër edhe Valon Gashi, një shqiptar nga Presheva.

– Në Ambasadën në Bukuresht, është emëruar pa status Jonian Molla, mik i ngushtë i Taulant Ballës, që nga koha kur kryenin studimet sëbashku në qytetin Jashi të Rumanisë.

– Në Austri, zv.Ambasadori Shqiptar është Tonin Beci, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ambasadorit në Mal të Zi, para se të shkarkohej nga qeveria “Rama”. Bashkë me të, në Vjenë është emëruar konsulle Artjola Ganellari, vajzë 22 vjeçe, pa eksperiencë në fushën diplomatike, siç përshkruhet në materialin denoncues mbërritur pranë “Boldnews.al”.

– Gent Cakaj ka emëruar si konsulle në Madrid, znj. Evi Sadushaj, vajza e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj.