Sigal

Autoritetet publike duhet të jenë më të përgjegjshme dhe po ashtu të shtojnë transparencën për mediat dhe qytetarët. Paralajmërimi ka ardhur nga ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën e parë për shtyp e cila do të jetë njëkohësisht edhe zëdhënësja e qeverisë.

Sipas Spiropalit, në kuadër të ligjit për informimin publik, autoritetet publike duhet të bëjnë publike të gjitha dokumentet e prodhuara prej tyre.

“Në kuadër të ligjit për informimin, siç ju e dini të gjitha autoritetet publike kanë detyrën që të japin informacion te mediat dhe te qytetarët mbi të gjitha dokumentet që ata prodhojnë ose mbajnë. Në momentin që kjo nuk ndodh, pra kur autoritetet publike do të duan të mbajnë për vete dokumente që ata i prodhojnë apo që ata i kanë nxjerrë, atëherë ne së bashku do të bëjmë të mundur që këto akte të merren dhe të bëhen publike edhe nga mediat. Kjo është në kuadër të shtimit të transparencës por edhe patjetër edhe detyrimi që autoritetet publike të jenë të përgjegjshme përpara qytetarëve dhe përballë medias.”