Ekonomia, “pacienti” që duhet shëruar!

121

Nga Majlind Lazimi 

Covid 19, pasi po gjunjëzon sistemet shëndetësore në disa nga vendet më të zhvilluara të botës, po krijon premisat e një krize ekonomike globale të ngjashme me atë të Depresionit të Madh të viteve 30 të shekullit të kaluar. Megjithatë, kësaj rradhe superfuqitë si SH.B.A, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Franca, e kanë mësuar leksionin e dhimbshëm të historisë së krizave ekonomike : “Nuk shtrëngohet rripi kur ekonomia është në rënie të lirë”. Do të ishte njësoj sikur ti thuash parashutistit që po i afrohet me shpejtësi tokës, shtrëngo rripin jo hap parashutën.

Fatkeqësisht, këtë leksion të vyer të historisë akoma nuk po e përkthejmë “shqip”. Masat ekstreme të karantinimit të popullatës duhet të shoqërohen me masa ekstreme të stimujve ekonomik, financiar dhe fiskal sepse edhe ekonomia reagon psikologjikisht si një “qënje njerëzore”, ku frika dhe perceptimi kolektiv i asaj që po ndodh sot, është realiteti i nesërm ekonomik.

Në një situatë ku të gjithë duhet të rrimë në shtëpi, ku pothuajse i gjithë kapitali njerëzor është në “pushim të detyrueshëm”, ku fabrikat, industritë dhe shërbimet kanë mbyllur aktivitetin ekonomik dhe të biznesit, dhe ku pothuajse nuk prodhohet asgjë dhe vetëm konsumohet produkte ushqimore (kryesisht importi) me paratë e fituara nga qytetarët kur punonin, çfarë duhet të presim të ndodh?

Figurativisht, mund të themi që ekonomia, pra “pacienti” është në vdekje klinike…

Kush do ta shpëtoj “pacientin”? Individi, biznesi, apo shteti (ose qeveria)? Pse nxituan qeveritë e ekonomive më të fuqishme të globit të prezantojnë sa më shpejt para qytetarëve të tyre paketa ekonomike stimuluese me masa direkte tek individët dhe bizneset? Mos valle ata nuk e dinë që bizneset e tyre të fuqishme kanë mjaftueshëm kursime apo likujditete për të mbajtur punonjesit në punë edhe duke mos punuar për shumë muaj, madje dhe vite?!

Përgjigja e vetme është se në kohe krize ekonomike, kur të gjithë janë të frikësuar të konsumojnë, të prodhojnë apo të investojnë, dhe kur kriza e likujditetit mbetet e pashmangshme, vetëm shtetet dhe qeveritë kanë instrumentat sovrane të guximshme për ta “vrarë frikën apo panikun” dhe për të rivendosur konfidencën në ekonomi, në tregje dhe tek konsumatorët përmes injektimit të shpejtë të parave në qarkullim. Thënë ndryshe, “doktori i vetëm” që mund të injektoj serumin tek pacienti është qeveria.

Pa dashur aspak ta politizoj, e kam të vështirë të besoj se dje shqiptarët u qetësuan teksa dëgjuan planin ekonomik të qeverisë. Në rastin më të mirë, kemi të bëjmë me një “çerek dozë” serumi ose në rastin më të keq me “medikamentin” e gabuar.

Për shembull le të marrin 2 pikat më pikante të planit:

a) 100 milion $ garanci sovrane për kompanitë që nuk paguajnë dot pagat. Si fillim, të kuptohemi, garancia sovrane nuk do të thotë para direkte nga qeveria për biznesin apo për pagesën e punonjesve tashmë në shtëpi. Në këtë rast, ajo luan rolin e “kolateralit” për bizneset që duan të marrin kredi (ndoshta me 3% normë interesi) me supozimin e vetëm për të paguar pagat e punonjesve, të cilët janë ngujuar në shtëpi dhe objektivisht nuk e ndihmojnë dot kompaninë.

Pra vetëm nëse biznesi nuk arrin të paguajë mbrapsht kredinë, atëherë banka do të merr si “cash kolateral” paratë e venë në dispozicion nga qeveria.

Në teori dhe ne kushte ideale, qeveria nuk do të harxhojw asnjë qindarkë nëse biznesi do te jetë plotësisht korrekt me pagesën e kredisë. Por logjika e thjeshtë në situatën aktuale nuk ta lejon, që një pronar biznesi të jetë aq “solidar” dhe të bëj rolin natyral të shtetit duke ofruar “asistencë sociale” për punonjesit e tij (që janë në shtëpi) për një periudhë kohore të pacaktuar, gjatë së cilës nuk prodhon gjë apo nuk fiton para. Tja kërkosh këtë gjë biznesit në këtë kohë kaq të pasigurta, është mendjelehtësi. Kjo shkon përtej altruizmit, përgjegjësisë sociale apo bamirësisë kur bëhet fjalë për ekzistencën e bizneseve. Pra, ky instrument kredimarrje në kohë normale do të ishte i mirëpritur nga çdo biznes që kishte plane investimesh për aktivitetin e tij.

Ndërsa në situatën ku jemi kjo masë nuk detyron dhe nuk garanton pagesat e punonjësve (të karantinuar) për një biznes që është në vështirësi financiare, sepse në fakt do ta bënte falimentimin më të thjeshtë.

Një politikë alternative dhe me impakt direkt tek qytetarët (punonjësit që janë në shtëpi), bizneset dhe ekonominë në tërësi, do të ishte që qeveria në koordinim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë do të benin operacionin e mëposhtëm:

1. Banka e Shqipërisë do të ulte normën bazë të interesit në 0% dhe njëkohësisht të printonte para (Lekë) për të rritur “ofertën monetare” në ekonomi dhe për të shmangur krizën e likujditetit, konsumit dhe prodhimit. Në kushte normale, kjo masë do të prodhonte inflacion, por aktualisht ne po kërcënohemi nga deflacioni (rënja radikale e konsumit (jo ushqimor) do të provokoj në afatshkurtër rënien e çmimeve). Prandaj Banka e Shqipërisë, përmes transmisionit monetar dhe uljes së normës bazë të interesit 0% duhet ti furnizojë bankat e nivelit të 2-të me likujditete shtesë, të cilat duhet të “alokohen” vetëm për kredi të buta (1%) për bizneset e goditura (jo për të paguar punonjësit) për të mbajtur gjallë aktivitetin e tyre ekonomik dhe investimet e nevojshme.

2. Qeveria shqiptare nga ana e saj mund të emëtoj “bonot e rimëkëmbjes” me afat 5 vjeçar, me interes 0%, me një vlerë totale 200-250 milion $, të cilat do të bliheshin direkt nga Banka e Shqipërise. Duhet të kuptohemi që “kosto e printimit” të parasë nga Banka e Shqipërisë është modeste në raport me vlerën që paraja ka në qarkullim. Psh. Kostoja e printimit të karmonedhës 200 lekëshe është pothuajse e njëjtë me kartmonedhën 5000 lekëshe, por vlera e saj në qarkullim është ajo që e dimë të gjithë. Në fakt, kudo në botë bankat një pjesë të konsiderueshme të fitimit (siç quhet ndryshe “seigniorage”) e kanë pikërisht nga printimi i parasë. Me këtë shumë parash të marra nga Banka e Shqipërisë me interes 0%, qeveria do të mund të paguante pagat e punonjësve (të karantinuar) për të gjithë bizneset, për 3 muaj.

b) 65 milion $ për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël. Praktikisht kemi mbi 160 mije SME. Pra nëse i harxhojmë të gjitha paratë për biznesin e vogël dhe të mesëm, i bie në total rreth 400$ për 3 muaj, për çdo SME, kur vetem qiraja mujore e tyre në rastin më të mirë është në këtë vlerë. Po për shtresat në nevojë çfarë mbetet? Akualisht kemi rreth 60 mije familje me ndihmë ekonomike që marrin mesatarisht 2 bukë në ditë për familje. Minimalisht, atyre duhet tu sigurojmë atë që Banka e Botërore e quan kufiri i varfërisë absolute, 2 $ në ditë për person. Një familje me ndihmë ekonomike me 4 persona të përfitojë 8 $ në ditë, pra 240 $ ne muaj, aq sa është paga minimale. Rreth 45 milion $ do tw ishin të mjaftueshëm për këtë operacion, për një periudhë 3 mujore.

Sot, “pacienti” ka nevojë për ilaçin e duhur, me dozën e duhur dhe në kohën e duhur. Nesër do të jetë vonë për të dhe për të gjithë ne.