Ekonomia e qëndrueshme arrihet me prodhim-eksport, jo me konsum-import

477
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Alqi Naqellari:  Qeveritarët dhe institucionet nuk duhet ta shikojë rritjen e ccmimeve në funksion të pagës se sa të ndryshimit të kostos. Kur u rrit çmimi i ujit, “hëmo” u tha se nuk zë ndonji peshë të madhe në pagë. E njëjta gjë edhe me energjinë, me transportin, me ushqimet dhe tani edhe me bukën.

 

Ekonomia e qëndrueshme arrihet me prodhim-eksport dhe jo me konsum-import

   Prof. Dr. Alqi Naqellari

Sot po diskutohet për rritjen e normës së inflacionit, për rritjen e çmimit të bukës, të qirave, të transportit etj, etj. Shumë mirë bëhet, sidomos me rritjen e çmimit të bukës që është ushqimi bazë për shumicën e shqiptarëve. Arsyet që jepen për këtë rritje të ndjeshme shpjegohen me faktorë egzogjen, shpjegohen me rritjen e çmimeve në bursa, pra nuk shikohet dhe analizohet situata në vend, por burimi i rritjes së tyre shihet jashtë Shqipërisë. Kjo nuk ndodh vetëm për bukën, por edhe për gjithë ushqimet e tjera. Kjo ndodh edhe për vajin, për sheqerin, për orizin, kafenë, kakaon etj, sepse Shqipëria është një vend që importon shumë dhe eksporton shumë pak. Është një vend që qeveritë kanë synuar ta kthejnë në një ekonomi shërbimi dhe jo prodhimi, ta kthejnë në një vend me prioritet turizmin, pa e ditur konceptin e tij, duke e konceptuar si tregëti me pakicë, si hotele e motele në bregdet dhe hane e bujtina në ca fshatra të largëta. E kanë konceptuar si rritje të bujqësisë nën këndvështrimin e tyre, aspak competent, por thesht amator dhe fluturak. Nëse qeveria e PD premtoi dhe u zotua se do mbillte nja 5 milionë rrënjë ullinj, arrore e farore, PS premtoi jo vonë, por para nja një jave se do synojë të shtojë blegtorinë e imët me 2 milionë krerë. PD dështoi me turp në këtë premtim dhe askush nuk mbajti përgjegjësi! Pasojat ranë mbi popullin. Edhe PS do dështojë, se nuk mund të shtohen 2 milion të imta edhe teorikisht dhe jo më praktikisht se të imtat janë qënie të gjalla, me cikël biologjik dhe nuk janë tulla e tjegulla, të shtypim sustën dhe t’i shtojmë. Aq më keq në një ekonomi bujqësore siç është Shqipëria ku ka mbi një milion parcela toke, ku Ligji 7501 i bëri gjëmën ekonomisë shqiptare. Kështu, shkurt fare kjo situatë ekonomike me pasoja papunësinë, inflacionin, emigracionin, shpopullimin e fshatrave dhe përqëndrimin në zona të zhvilluara shpjegohet kryesisht prej faktorëve të brendshëm dhe jo prej faktorëve të jashtëm, shpjegohet prej politikave ekonomike të gabuara të qeverive shqiptare, prej qëndrimit të tyre ndaj korrupsionit, ndaj nepotizmit, ndaj tregut, ndaj konkurencës dhe ndaj popullit. Vetëm një ekonomi e bazuar në prodhim- eksport i mban treguesit makroekonomik të qëndrueshëm dhe jo një ekonomi shërbimi dhe importi. Ekonomitë me bazë shërbimin dhe importin janë absolutisht të pa qëndrueshme, sepse ato reagojnë negativisht ndaj çdo veprimi në ambientin ekonomik  e politik të jashtëm, ato reagojnë negativisht ndaj çdo fenomeni objektiv që ndikon mbi ekonominë, ato reagojnë ndaj konflikteve midis vendeve, ndaj pandemive dhe sëmundjeve të ndryshme, ndaj fenomeneve natyrore etj. Mungesën e qëndrueshërisë së tyre e kanë provuar vendet që e kanë një ekonomi të tillë si Greqia, Spanja etj, e provoi vetë ekonomia shqiptare në periudhën e Covid-19. Më poshtë do shikojmë se çfarë është inflacioni, nga se shkaktohet dhe si zbuten efektet e tij negative.

Çfarë është inflacioni, nga se shkaktohet dhe si zbutet?

Me inflacion kuptojmë një rënie të fuqisë blerëse të parasë, domethënë nëse me 100 lekë dje blija një bukë, sot më duhen 120 lekë. Inflacioni llogaritet mbi 12 grupe mallrash ose mbi 331 lloje të mirash dhe shërbimesh. Pra nuk merren të gjitha mallrat dhe shërbimet që prodhohen në Shqipëri, por një pjesë e tyre pavarësisht se janë prodhime vendi apo të importit. Nëse marrim vetëm prodhimet e vendit kemi deflator të PBB-së, i cili në Shqipëri ka shumë ndryshim me inflacionin. Zëri kryesor në grupet që llogaritet IÇK (Indeksi Çmimeve të Konsumit) është “Ushqime dhe pije jo alkoolike. Ky zë në strukturën e mallrave është llogaritur të jetë 32.1. Shuma e 12 grupeve jep 100. Për mendimin tim kjo pjesë, por e quaj përqindje është e gabuar. Ajo ka variuar nga 72% në 48% dhe 41%. Sipas INSTAT sot është 32.1. Pse? Çfarë ndryshoi? Në një kohë që numri i pensionistëve dhe me arsye të tjera që marrin transfertë pagesash po arrin në 800 mijë kur mbi 300 mijë marrim përkrahje sociale? Arsyeja e thjeshtë është që norma reale e inflacionit të fshihet nëpërmjet treguesve të tjerë që nuk kanë ndonjë peshë të dukshme në konsumin e qytetarëve të theshtë, të shtresës me të ardhura mesatare dhe me të ardhura të ulta. Nëse do përcaktohej inflacioni duke marrë në konsideratë edhe strukturën e popullsisë atëhere pa frikë do jepte një shifër të frikshme. Pensionistët dhe grupet e tjera të marxhinalizuara shpenzojnë më shumë se 70% të të ardhurave për ushqime dhe medikamente.

Inflacioni sipas modelit Keynsian AD-AS (Kërkesë-ofertës agregate) shkaktohet në këto raste:

1-Kur rritet kërkesa agregate më shumë se oferta agregate. Pasojat janë rritje e nivelit agregat të çmimeve, rritje e prodhimit dhe ulje të normës së papunësisë. A ka ndodhur kjo në Shqipëri? Jo. Nuk ka ndodhur, sepse nuk është rritur kërkesa. Nuk mund të rritet kërkesa në një vend që për çdo vit largohen me mijra të rinj e të reja, forcë e aftë për punë dhe konsumator aktiv. Në një vend ku pensionistët shtohen me 20-30 mijë çdo vit.

2-Kur ulet oferta agregate. Supozon faktin që të ulet prodhimi vendas pa ndryshuar kërkesën. Ka ndodhur kjo në Shqipëri? Jo. Sepse thuajse të gjitha mallrat që shiten në treg i kanë çmimet e përcaktuara nga importet, që nga drithrat e deri tek karburantet. Që një mall ta përcaktojë çmimin nga prodhimi i brendshëm duhet që të paktën ai të realizohet dhe tregëtohet në vend mbi 50%. Po cilin mall prodhojmë dhe shesim në mënyrë që çmimi i importeve t’i nënështrohet çmimit të vendit? Asnjë, as grurin e as karburantet. Çmimet e tyre përcaktohen nga importet. Thuhet se 48% e nevojave për grurë sigurohen në vend (B.Çuçi, ish Ministër i Bujqësisë). Pra prodhohen rreth 240 mijë ton grurë. Unë dyshoj në këtë shifër , sepse ne kemi importe 240 mijë ton, atëhere i takon që në Shqipëri të konsumohen 480 mijë ton grurë. Me një popullsi 2.5 milion njerëz i bie që norma për frymë të jetë 192 kg, gjë që është e pa mundur. Norma e konsumit llogaritej para viteve 90, kur baza e ushqimeve ishte buka, me 180 kg/frymë për popullsinë e rritur. Po nga e siguron Shqipëria 240 mijë ton grurë? Shqipëria mbjell 53 mijë e 946 hektar me grurë dhe 56 mijë e 727 hektar me misër(2020), prodhon 233 mijë e 430 ton grurë dhe 399 mijë e 125 ton misër, pra 43 kv ha grurë dhe 70.3 kv ha misër. A janë të vërteta këto shifra? Për mendimin tim dhe kolegëve të mij, që kemi punuar në kooperativa bujqësore,”Jo”. Si mund të merren 70 kv misër për hektar kur mungojnë plehrat kimike, kur sistemi ujitës mungon, kur mekanika mungon? Të marësh 70 kv misër për hektar të paktën duhen 30 kv pleh kimik për hektar. Vetëm ta magazinosh këtë prodhim do duheshin me dhjetra kilometra koçekë misri, sepse ai mbahet në kalli dhe jo në kokër, do duheshin dy palë koçekë nga Vermoshi në Konispol. E njëjta gjë do thuhej edhe për grurin. Rendimenti 40kv/ha merej në parcelat më të mira duke i trajtuar me plehra kimike, me shërbime deri në ujitje. A mund të merret sot një rendiment i tillë në kushtet e bujqësisë shqiptare? Bujqësia shqiptare nuk mund të krahasohet me asnjë vend të Ballkanit, sepse ka bërë reformën agrare, e cila ka dhënë pasoja ktastrofike për prodhimin. Në Shqipëri ka rreth 350 mijë fermerë, toka e të cilëve është e parcelizuar në mbi 1 milionë parcela. Një parcelim i tillë nuk lejon përdorimin në shkallë të gjerë të mekanikës, në përqëndrimin e prodhimit. Secili prodhon produktet, që i nevojiten për të jetuar, vetëm 60 mijë prej tyre kanë NIPT. Ka vetëm 12 mijë traktorë me goma dhe mjete të tjera që i shërbejnë kultivimit të bimëve bujqësore. Mungon sistemi i kanaleve kulluese e ujitëse. Nëse do sigurohej ky prodhim (233 mijë ton grurë dhe 399 mijë ton misër) atëhere nuk do kishte shumë problem me çmimin e grurit, sepse prodhimi vendas së bashku edhe me përdorimin e bukës së misrit do mbulonte një pjesë të mirë të nevojave të shqiptarëve. Kjo do ishte edhe më e sigurtë nëse prodhuesit e miellit dhe shteti do mbanin në magazinat e tyre edhe rezerva siç i mbajnë vendet e tjera.

 

3-Rritja e çmimeve të importit të drithrave. Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar. Shqipëria importon prej Serbisë, e cila zë gati 30% të importeve dhe Rusisë që zë rreth 60%. Vendet kryesore eksportuese në botë janë:

Eksportuesit kryesorë të grurit, miliona tonë

Burimi: FAOSTAT (2021)

 

Po analizojmë Serbinë meqënëse flitet shumë për Ballkanin e Hapur.

 

 Serbia. Në vitet e fundit është bërë partner kryesor në importimin e grurit. Ka qenë partner kryesor Rusia me rreth 70% të importeve ,por sot kanë ndryshuar raportet rrënjësisht.  Serbia, është eksportuesi i shtatë më i madh në botë i misrit. Në vitin 2020, Serbia u rendit e 23 -ta me pjesëmarrjen në eksport.

Në vitin 2020, Serbia u rendit në vendin e 142 -të me pjesëmarrjen në import prej ≈ 0.0%.

Në vitin 2019, Serbia u rendit e 36 -ta me pjesëmarrjen në prodhim.

Serbia është bashkuar me vendet kryesore eksportuese dhe importuese të grurit në Këshillin Ndërkombëtar të Drithërave. Nga një raport i lëshuar nga një atashe i Departamentit Amerikan të Bujqësisë në Beograd, sipërfaqja e përgjithshme e grurit të Serbisë vlerësohet në 600,000 ha, 5 përqind më e lartë se në vitin e kaluar kryesisht për shkak të çmimeve të larta të grurit gjatë MY2019/20. .        Vlerësimet përfundimtare zyrtare të kulturës së grurit MY2020/21 vënë sipërfaqen e përgjithshme të grurit të korrur në 570,000 HA, prodhimi i përgjithshëm i grurit vlerësohet në 2.6 milion MT dhe vlerësoi një rendiment mesatar të grurit në 4.6 MT/HA. Rezervat e larta nga MY2019/20 prej 1 milion MT dhe MY2020/21 prej 2.6 milion MT, do të sigurojnë grurë të mjaftueshëm për konsum të brendshëm dhe rreth 1.2 milion MT për eksport.

Thatësira në Rumani, Ukrainë dhe Hungari uli furnizimin me grurë në rajonin e Detit të Zi dhe kështu ndikoi në rritjen e çmimit. Çmimi i grurit u rrit nga 17 dinarë/kg ($ 170/MT) në korrik në çmimin aktual prej 22.5 dinarë/kg ($ 225/MT). 40 përqind e grurit është eksportohet me rrugë tokësore në vendet fqinje. Në 21/20 në Serbi ishte kjo shpërndarje. Prodhim(2.6ml/T)+ stok në ton = 3526000. Nga kjo zbriten 1800000 (konsum), 1300000 (eksport) dhe 426000 (veprime të fundit). Kështu Serbia eksporton jo më pak se 1.3 milion tonë. Në vitin 2021, diapazoni i përafërt i çmimeve për Serbinë e miellit të grurit është midis 0.29 $ dhe 0.25 $ për kilogram ose midis $ 0.13 dhe 0.11 $ për paund (lb). Çmimi në dinarin serb është 27.93 RSD për kg. Çmimi mesatar për një ton është 285.39 dollarë amerikanë në Novi Sad dhe Beograd. Në Serbi nuk ka ndonjë rritje të çmimit të bukës. Serbët kanë rritur çmimet e eksportit, por gjithsesi nëse i krahasojmë më çmimet në Shqipëri ato mbeten shumë më favorizuese. 22.5dinarë/kg = 225$/ton ose 0.225 $ kg x 103.5= 23.2 lekë/kg. Kjo llogari bëhet me çmimin e rritur nga 17 dinarë/kg në 22.5 dinarë/kg. Nga 1kg grurë del 950 gr miell dhe 1.42 kg bukë. Në Shqipëri një bukë 600 gr pa maja kushtonte 60 lekë, pas rritjes së çmimit kushton 80 lekë. Siç shihet është një abuzim i pastër. Edhe sikur të marrim çmimet 029 dhe 0.25$/kg përsëri kemi abuzim të pastër. Tregëtarët shpesh përdorin si shkak për rritjen e çmimeve “Bursën”. Në fakt bursa është pretekst dhe jo shkak. Le të na tregojnë se për cilën Bursë e kanë fjalën, për të Serbisë, Rusisë apo ka ndonjë Bursë në Shqipëri? Çmimet e produkteve bujqësore në Bursa, ashtu si kurset e këmbimit ndryshojnë çdo ditë, dhe nuk është “Bursa ” ajo që i detyron tregëtarët ta rritin çmimin. Po të qe bursa, në kohën e pandemisë çmimi i karburanteve do kishte shkuar 50 lekë. Sot ka informacion në internet që mund të lidhësh marrëveshje tregëtare shumë efektive, pavarësisht nga Bursa. Kontratat hartohen jo ditore dhe jo mujore por për periudha afat gjata duke marrë në konsideratë edhe ndryshime të çmimeve. Firmat importuese të drithit si edhe vetë shteti sigurojnë rezervat e tyre pikërisht edhe për rastet e paparashikuara, duke i përdorur ato si element regullator, por edhe nëse marrim Bursat e SHBA dhe të tjera do shikoni që përsëri kemi të bëjmë me abuzime. Nuk ndryshon çmimi i bukës në SHBA nga ndryshimi ditor i çmimeve të drithit.

Si frenohet rritja e çmimit të bukës si produkti kryesor i sigurimit të njësive ushqimore nga pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë? A mund të eleminohet prej politikave monetare apo prej politikave fiskale? Qeveritarët dhe institucionet e tjera autonome nuk duhet ta shikojnë rritjen e çmimeve në funksion të pagës sesa të ndryshimit të kostos së tyre. Kur u rrit çmimi i  ujit,” hemo”, -u tha- se nuk zë ndonjë peshë të madhe në pagë. E njëjta gjë edhe për energjinë elektrike dhe po e njëjta gjë edhe për transportin, edhe tash për bukën. Zotërinjtë qeveritarë duhet të bëjnë analizën e strukturës së kostos para se të lejojnë rritjen e një çmimi dhe jo të thonë -he mo se nuk zë peshë të madhe- nuk bëhet gjë se u rrit çmimi i biletës 10 lekë, apo çmimi i bukës 10 lekë. Gjë nuk bëhet për atë që e ka pagën një milion mijë lek,` por për një pensionist me pagë 15O mijë lekë bëhet, sepse ai harxhon për ushqime dhe medikamente mbi 70% të saj.

Politikat monetare të Bankës Qëndrore nuk kanë asnjë efekt. Banka Qëndrore e Shqipërisë ka shumë vite që ka dalë në pension. Inflacioni në Shqipëri nuk është një fenomen monetary, por i importuar dhe më së shumti abuzues. Banka e Shqipërisë ka që nga viti 2008 që e ka ulur normën bazë të interesit nga 6.25 në 0.5 dhe inflacioni ka qëndruar poshtë nivelit minimal të parashikuar dhe në shumë raste ka pasë lidhje pozitive me NBI. Kështuqë nuk bëhet fjalë fare që BQ të ndërhyjë në treg dhe të stabilizojë situatën. BQ nuk e kontrollon dot normën e inflacionit.

– Norma e inflacionit më së shumti, në Shqipëri është provokuar ngë vetë qeveritë e PD-PS nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të çmimit të ujit dhe të çmimeve të transportit, nëpërmjet sistemit të tatimeve në strukturën e çmimit të karburanteve, etj.

–  Qeveria mund të angazhojë dhe të bëjë më efektive punën e AKU, të kalibrimit. Përse e theksoj të kalibrimit? Sepse nëse ne shikojmë çmimin nuk shikojmë peshën. Pesha e një buke ka ardhur vazhdimisht në rënie, pavarësisht se çmimi nuk ka ndryshuar.

–  Autoriteti i Konkurencës është Institucioni më kompetent për të provuar nëse ka abuzim me çmimet apo jo, duke e nisur kontrollin që në burim -doganë – treg- përpunim dhe shitje.

–  Nëse çmimet nuk bien atëherë qeveria të indeksojë pagat dhe pensionet me indeksin e inflacionit çdo vit ose të bëjë politikë sociale duke ju ulur taksat dhe tatimet në të gjithë sistemin e prodhimit të bukës deri në shitje.

Duke e mbyllur theksoj se nëse ekonomia shqiptare do bazohej në prodhim dhe eksport atëhere nuk do kishim probleme të tilla. Shqipëria është vend i pasur, me njerëz punëtorë, por për fat të keq ka pasur pas viteve ’90 qeveritarë që kanë punuar vetëm për xhepat e tyre dhe jo për biznesin e ndershëm dhe për popullin. Këtu unë nuk e ngatëroj biznesin, sepse biznesmenët tanë tregëtarët tanë e kanë mbajtur gjallë Shqipërinë pas viteve ’90. Ata me intuitën e tyre kanë mundur të sjellin në Shqipëri mallra që mund të përballoheshin me pagat e shqiptarëve, pavarësisht nga cilësia e tyre.